Kurteshi sërish “poshtërohet” nga VV-ja: Paralajmëroi ankesë në Supreme për rivotimin me postë, por partia s'e përfilli - NACIONALE

Kurteshi sërish “poshtërohet” nga VV-ja: Paralajmëroi ankesë në Supreme për rivotimin me postë, por partia s'e përfilli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), sërish nuk e ka marrë seriozisht anëtarin e saj në KQZ, Sami Kurteshin. Ndonëse ky i fundit kishte paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme për rivotimin me postë, VV-ja nuk e ka përfillur kërkesën e tij. Kjo është hera e dytë që Kurteshi “poshtërohet” nga partia e tij.

Pavarësisht pretendimeve të Kurteshit se gjoja ka prova të mjaftueshme për ta kontestuar vendimin e PZAP-së në Gjykatë Supreme, partia në pushtet i ka injoruar pretendimet e anëtarit të saj në KQZ.

Pretendimin e tij për ankimimin e vendimit të PZAP-së në Supreme, Kurteshi e kishte bërë më 10 mars, pas një mbledhje të KQZ-së.

Ne kemi me u anku në lidhje me çështjen e rivotimit me postë nga vota e jashtme, nga mërgimtarët tanë. Kemi shumë dëshmi, fakte, prova se ai proces është tërësisht i kontaminuar.”, kishte thënë Kurteshi.

Ndryshe nga pretendimet e Kurteshit, partia e Albin Kurtit nuk e ka kontestuar vendin e PZAP-së, i cili ka refuzuar si të pasafatshme ankesat e LVV-së lidhur me anulimin e rezultateve të votimit me postë dhe përsëritjen e këtij procesi.

Për këtë çështje në Gjykatë Supreme është ankuar vetëm Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK LPB), ankesë kjo që është rrëzuar dje nga Gjykata Supreme.

Ky nuk është injorimi i parë që VV-ja i bënë anëtarit të saj në KQZ.

Në këtë mënyrë VV-ja Kurteshin e kishte poshtëruar edhe para dy muajve, duke mos e marrë parasysh një kërkesë të tij.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Sami Kurteshi kishte thënë se VV-ja nuk do të ankohej në Gjykatë Supreme për vendimin e PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe, por parti kishte vepruar kundër vullnetit të tij.

Unë mendoj se nuk ka ndonjë kuptim me u anku në Gjykatë Supreme sepse edhe ata do të kenë të njëjtin arsyetim, kështu që ne do të mbajmë qëndrimintonë, kemi bindjet tona. Vendimi i PZAP-së është i punuar sipas atij parimi “me letra krejt në rregull”, kishte thënë Kurteshi, pasi PZAP-ja kishte rrëzuar ankesën e VV-së.

Duke e injoruar komplet qëndrimin e Kurteshit, LVV-ja kishte vendosur të ankohej për këtë çështje.

Aso kohe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte dorëzuar ankesën e VV-së në Supreme për të kundërshtuar vendim e PZAP-së, i cili e ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton.

PZAP-ja kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për të mos ta certifikuar atë.

Edhe kjo ankesë e VV-së ishte rrëzuar nga Gjykata Supreme.

Prokuroria autorizon policinë ta intervistojë Sami Kurteshin

Pozita e Kurteshit në KQZ është bërë sebep që të nis një hetim ndaj tij.

Gjatë kësaj jave, derisa qëndron në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, gjatë kësaj jave, Kurteshi ka bërë deklarata skandaloze për gazetën Nacionale dhe media të tjera.

Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”, kështu i ishte drejtuar Sami Kurteshi gazetares së Nacionales, Besarta Hoti, e cika kishte shkuar në QNR për të përcjell procesin e numërimit të votave.

Sot Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës ta intervistojë Kurteshin për këto deklarata.

Kështu ka mësuar gazeta Nacionale nga burimet e saj brenda Prokurorisë.

“Është lëshuar autorizimi në Polici, pas deklaratave për vrasës me pagesë. Policia do ta intervistojë”, thane burimet e Nacionales.

Kjo nuk është hera e parë që Sami Kurteshi fyen mediat. Pas deklaratat e tij ndaj Nacionales i ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ai ka thënë se AGK-ja është “Aleancë e Grupeve Kriminale”.

Lajme të ngjashme