Kunati i Albulena Haxhiut me fjalë të mëdha për Hashim Thaçin dhe gërditet nga aktivistët e LVV-së - NACIONALE

Kunati i Albulena Haxhiut me fjalë të mëdha për Hashim Thaçin dhe gërditet nga aktivistët e LVV-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë vëllezër, por duket se qëndrimet politike nuk i kanë krejt të njëjta. Burri e kunati i ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiut, kanë dhënë deklarata të ndryshme për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, sidomos për Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Dardan Krasniqi është vëllau i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ministres së drejtësisë. Të dy aktivistë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Madje, Albani në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për kryetar të Malishevës. Si veteran i luftës së UÇK-së, Dardan Krasniqi në një emision në Kanal 10 ka folur fjalë të mëdha për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kontributin e tij në luftë.

Për dallim nga i vëllau, Dardani thotë se çuditet kur sheh njerëz që akuzojnë se Thaçi nuk ka luftuar. Madje, komentet nga aktivistët e Vetëvendosjes kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit e të tjerëve që janë në Hagë, i ka quajtur si gërditëse.

Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Malishevë ia kemi dhënë të gjitha në periudhën 98-99. Të gjitha ia kemi dhënë, s’ka familje që ka dhënë më shumë, asnjëherë nuk jemi pishman. Më vjen kërdi kur shoh bashkëaktivistë të mi duke e sharë familjen Haradinaj, tmerrohna. Për qata kena dështu si shoqëri me nxjerrë vlera në këtë vend. Mua kjo më dhemb”, tha fillimisht kunati i Albulena Haxhiut.

Çuditem kur njerëzit e shajnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin që mbahen në Hagë, edhe iu thojnë mos u kthefshi kurrë. Jo more zotëri. Është çoroditje nëse thua nuk je me mu, je armiku im. Sado që të jetë jeta, kategoria e UÇK-së, e këtyre komandantëve, janë të shenjtë”, shtoi tutje Dardan Krasniqi, vëllau i Albanit, emrit të njohur në Lëvizjen Vetëvendosje në Malishevë.

Madje, veterani i UÇK-së zëshëm e thotë se Hashim Thaçi ka luftuar.

Njerëzit nuk i njohin çka kanë bo. Unë çuditem kur njerëzit që nuk e njohin Hashim Thacin e dalin thonë s’kanë luftu. Ku e njeh more zotëri. Ku e njeh a ka luftu a ska luftu. Ai e ka përfaqësuar një isntiucion brenda UÇK-së”, deklaroi Dardan Krasniqi.

‘Përplasje’ ndërmjet vëllezërve

Megjithatë, qëndrime krejtësisht të ndryshme për kontributin e Hashim Thaçit në luftë, ka vëllau i Dardanit, Albani. Madje, pikërisht ky, në postimet e tij në facebook, shprehte dilema për angazhimin e Thaçit në luftë. A thua tmerrohet Dardani edhe nga vëllau i tij?!

Madje, Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut, vëllau i Dardanit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi se ka ngritur aktakuzën ndaj Thaçit, këtë të fundit e kishte quajtur “cub” që thirret në emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një grusht injorantësh mirëpresin kryecubin i cili e krijoi një gjykatë në të cilën ra vet. Populli din ta dallojë UÇK-në nga cubat që thirren në emër të saj. Andaj i ka braktisur dhe së shpejti do t’ua jap shqelmin e fundit”, kishte shkruar Krasniqi në korrikun e vitit 2020. Një muaj pasi u publikua komunikata e famshme nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Deklaratat e ashpra të zyrtarit të Vetëvendosjes, ndaj Thaçit ishin pothuajse të përditshme. Në majin e vitit 2020, ish-presidentin, Alban Krasniqi e quante figurën më të urryer në Kosovë.

Si qytetar i këtij vendi mbështes çdo veprim demokratik institucional dhe qytetar për ta larguar këtë monstrum nga pozita që ka uzurpuapr. Nuk mund të lejojmë të përfaqësohemi më për asnjë minutë më tepër nga Hashim Thaçi, figura më e urryer në Kosovë. Si qytetar i këtij vendi mbështes çdo veprim demokratik institucional dhe qytetar për ta larguar këtë monstrum nga pozita që ka uzurpuar”, thuhej në postimin e Alban Krasniqit.

Kërcënimi i Krasniqit ndaj Veselit

Hashim Thaçi nuk ishte shënjestra e vetme për bashkëshortin e Haxhiut. Ndryshe nga elozhet e të vëllaut, Alban Krasniqi e kishte kërcënuar Kadri Veselin edhe me vrasje. Madje, këtë e kishtë thënë publikisht në facebook. Status i cili nuk ekziston më, megjithatë gjurmët nuk kanë mundur të fshihen tërësisht.

Kadri Veseli duke keqpërdorë ditët e fundit të Bacës Adem i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kadri,ti kurrë nuk do mund ta fshehësh kriminalitetin tënd përmes abuzimit me figurën e Adem Demaçit. Kadri të vjen radha edhe ty..shumë shpejtë ska milici që të mbronë nga populli i revoltuar. Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, kishte shkruar Krasniqi në facebook në vitin 2016.

Ndaj kësaj deklarate, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, kishte ngritur edhe padi, për të cilën kishte folur publikisht pak kohë para se të nisej drejt Hagës.

Është viti i tretë, i katërt kur burri i Albulena Haxhiut më ka kërcënuar ka thënë se më duhet plumb në ballë. Edhe ende organet e tona juridike e bëjnë nga një ftesë, akoma se kanë proceduar”, kishte thënë Veseli në qershor 2020.

Mbase, kjo mund të ketë qenë njëra prej arsyeve që Veseli refuzoi ta pranojë në takim ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiun.

Sidoqoftë, i gjithë ky debat vjen pasi kryeministri Albin Kurti, nxiti reagime në publik pas deklaratave të shpeshta të tij, që duhet të ketë verifikim në listat e veteranëve.

Lajme të ngjashme