Pse do ta kemi vështirë ta kuptojmë se kush votoi "PËR" nëse marrëveshja shkon në Kuvend? - NACIONALE

Pse do ta kemi vështirë ta kuptojmë se kush votoi "PËR" nëse marrëveshja shkon në Kuvend?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Nëse eventualisht marrëveshja e Kosovës me Serbinë shkon në Kuvendin e Kosovës për miratim atëherë qytetarët do ta kenë të vështirë për të kuptuar se cili nga deputetët ka votuar për, kundër apo ka abstenuar ndaj marrëveshjes. Pse?

Sepse tash e më shumë se një vit, Kuvendi i Kosovës nuk e ka të funksionalizuar sistemin elektronik të votimit.

Shpeshherë në seancat e Kuvendit të Kosovës, kryetari Glakuk Konjufca gjendet në pozicion të pafavorshëm për numërimin e votave sepse votimi bëhet duke ngritur duart lart deputetët dhe ngatërrohet numri.

Megjithatë, pavarësisht ngritjes së duarve, këto vota kurrë nuk bëhen publike. As nuk respekohet rregullorja e Kuvendit për këtë çështje.

Sipas dokumentëve që ka siguruar Nacionale, mund të shihet dhe mund të kuptojmë, për shembull se nësë janë 58 vota për, por nuk mund ta dijmë se cilët deputetë votuan për apo kundër dhe abstenuan.

Më tej, mungesa e votimit elektronik, tregon mungesë të transparencës së punë së Kuvendit të Kosovës dhe tregon mosrespektim të Nenin dhe Rregullorës.

Sipas Nenit 61, paragrafi 9 të Rregullores, “Publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare.”, këto vota nuk bëhen publike deri më tani.

Kur rikthemi në të kaluarën, ish-deputetët por edhe deputetët, shpesheherë kanë qenë cak i sulmeve duke iu publikuar votimi në Kuvend.

Rasit më i shpeshtë kur janë publikuar emrat e deputetëve është votimi për Marrëveshjen e viti 2013 me Serbinë.

“Cenohet transparenca dhe llogaridhënia”

Të shqetësuar ndaj mosrikthimit të votimit elektronik në Kuvendin e Kosovës, janë shprehur edhe Instituti i Demokratik i Kosovës (KDI).

Në një reagim të tyre të bërë më 22 shkurt, kishin kërkuar rikthimin e votimit elektronik në Kuvendin e Kosovës.

KDI kishte thënë se mungesa e votimit elektronik e cenon funksionimin transprent dhe llogaridhënien e Kuvendit.

KDI vlerëson që mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sipas Nenit 61, paragrafi 9 të Rregullores, “Publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare.”” – thuhet në reagimin e tyre.

Gjithashtu, KDI ka kërkuar nga Kuvendi që t’i bëjë të qasshëm rezultatet e votimit me dorë për secilin deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit dhe e deputetëve individualisht, KDI kërkon nga Kuvendi, që në një afat sa më të shpejtë të mundshëm t’a rikthejë votimin elektronik. Në ndërkohë, Kuvendi përveç publikimit të votave kumulative, duhet të bëjë të qasshme për publikun rezultatet e votimit me dorë për secilin deputet individualisht në seancat e Kuvendit.” – thuhet në reagimin e tyre.

Prishja e sistemimit të votimit

Ndërkohë në një përgjigje për Nacionalen, Kuvendi i Kosovës ka thënë se për shkak të amortizimit, sistemi elektronik që nga viti 2020 është pjesërisht funksional.

Për shkak të amortizimit, nga viti 2020 sistemi elektronik është pjesërisht jofunksional (mungon pjesa e votimit, ndërsa funksionon pjesa e diskutimit). Aktualisht regjistrohet vetëm rezultati i votimit, i konstatuar nga kryesuesi i seancës.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Kuvendi ka bërë të ditur për Nacionalen që është siguruar buxheti i nevojshëm për hapjen e procedurave për furnizimi me pajisjen.

Me Ligjin për buxhetin për vitin 2023 është siguruar buxheti i nevojshëm për hapjen dhe zhvillimin e procedurave për furnizim me pajisje.” – thuhet në përgjigje.

Përndryshe, Nacionale ka pyetur se çfarë do të bëhet me votimet e kaluara dhe si do të publikohën ato, mirëpo, Kuvendi për këtë pyetje nuk ka pasur përgjigje.

Lajme të ngjashme