AVONET dënon gjuhën denigruese të përdorur në Kuvendin e Kosovës nga përfaqësuesit e popullit
Rrjeti i OJQ-vë, AVONET ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte ka përcjellë me vëmendje seancën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, AVONET kanë thënë se shprehin shqetësim e thellë për nivelin e diskutimit parlamentar dhe përdorimin e gjuhës joparlamentare.
“Duke qenë se Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i vendit dhe njëherit duke qenë edhe organ legjislativ, duhet të shërbej si vend ku mbizotërojnë vlerat e demokracisë e jo të shndërrohet në një vend të akuzave të ndërsjella. AVONET e dënon gjuhën e përdorur nga ana e përfaqësuesve të popullit, sepse Kuvendi si i tillë do të duhej të shërbente në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, e jo të shndërrohet në nje arenë të kërcënimit, fyerjeve dhe tentimit për të sulmuar gojarisht grupet parlamentare.” – thuhet në komunikatë.
Tutje nga rrjeti i OJQ-ve, AVONET kanë kërkuar nga deputetët që të mos përdorin gjuhë denigruese dhe joparalamentare, por të zbatojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
AVONET, po ashtu kërkon që të merren masa të menjëhershme ndaj deputetëve që përdorin gjuhë joparlamentare.
