Kryetari dhe votimi i fshehtë: Gruda i PDK-së interpreton në detaje paragrafët e aktgjykimit të Kushtetueses
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media ku është interpretuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda ka sqaruar në detaje paragrafët e Gjykatës Kushtetuese ku flitet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si dhe votimin e fshehtë, transmeton Nacionale.
Fillimisht, sa i përket votimit të fshehtë, ai ka thënë:
“E para që dua të ngris është çështja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, aktgjykimi e trajton ktë çështje në mënyrë të saktë dhe të plotë në paragrafin 130 të aktgjykimit, paragrafi është dhënë këtu.
E kemi nxjerrë për ta lexu dhe interpretu.
Paragrafi 130 – zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit
- Gjykata rithekson se e drejta e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14. Megjithatë, Gjykata nënvizon që e drejta për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe në konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm – dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit (...)
Në këtë paragraf kemi disa elemente, njohjen e të drejtës ssë grupit më të mdh që s’e kemi kontestuar asnjëherë, por kjo e drejtë nuk është absolute, është e kushtëzuar nga bashkëpunimi me forca të tjera politike. Po ashtu, kjo e drejtë nuk mund të shërbejë për bllokimin e konstituimit të Kuvendit” – u shpreh ai.
Gruda ka deklaruar se kjo nënkupton që zgjedhja duhet të përmees bashkëpunimit, në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv. Po ashtu, ai sqaron se në asnjë fjalë nuk i ngarkohet asnjë detyrim grupeve të tjera politike, përpos partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje.
“GJK ka thënë se kjo duhet të bëhet përmes bashkëpunimit, në mirëbesim, konsultimit konstruktiv me të gjitha grupet parlamentar, përmend dy fjalë kyçe, për të gjetur konsensusin dhe kompromisin, që në çdo interpresim nënkupton lëshimin pe nga diçka.
Në asnjë fjalë nuk i ngarkohet asnjë detyrim grupeve tjera politike, në këtë pjesë të aktgjykimit. I vetmi detyrim, i ngarkohet grupit më të madh parlamentar që ka të drejtë më propozu.
Kështu duhet të shihet ky aktgjykim, asnjë gjykatë tjetër evropiane nuk mundet me bë më shumë se kaq. Vetëm duhet të bëhet interpretim profesional, do të rezervohem nga komentimi politik, vetëm profesional” – tha ai, transmeton Nacionale.
Gruda foli edhe për votimin e fshehtë, duke interpretuar paragrafët e Gjykatës Kushtetuese me të cilët sqarohet kjo çështje:
“Janë tre paragrafë të aktgjykimit që e sqarojnë çështjen e votimit të fshehtë. Gjykata ka thënë se nuk mund të ketë votim të fshehtë në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Po i lexoj disa pjesë.
Paragrafi 155:
Pavarësisht që paragrafi 2 i nenit 8 të Rregullores së Kuvendit parasheh që Kryetari i legjislaturës paraprake në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend merret me propozimin e rendit të ditës për seancën konstituive dhe aspektet tjera procedurale organizative, megjithatë paragrafi 4, i përcaktuar pas paragrafit 2 të nenit 8 të saj, ka definuar në mënyrë taksative dhe formale rendin e ditës për Seancën Konstituive, e cila përbën përmbajtjen kryesore dhe të vetme të seancës konstituive, dhe e cila duhet të udhëhiqet me përpikmëri nga Kryesuesi i Seancës Konstituive.
Kjo pjesë e thotë në mënyrë të qartë se rendi i ditës është i pëercaktuar në mënyrë taksative, që nënkupton numërimi i çështjeve që duhet të rregullohet, dhe formale thotë, dhe masanej thotë se duhet të udhëhiqet me përpikmëri nga kryesuesi i seancës konstituive.
Pra rendit, duhet me përpikmëri të lexohet nga kryesuesi. Ajo që ka ndodhur, është se kryesuesi e ka futur votimin e fshehtë pasi seanca ka fillu, pasi janë mbajtur rreth 10 mbledhje, duke ndryshu pra rendin e ditës.
VOTIMI I FSHEHTË – PARAGRAFI 178
- Gjykata thekson që çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse e njëjta duhet të jetë në mënyrë të hapur apo të fshehtë nuk është përcaktuar as me dispozitat kushtetuese dhe as me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit. Gjykata vëren se Kreu i IV [Konstituimi i Kuvendit] i Rregullores së Kuvendit, në kontekstin e mbajtjes së seancës konstituive nuk përmban asnjë referencë në nenin 53 (Ndryshimi i rendit të ditës), nenin 57 (Mocionet procedurale), si dhe as në nenin 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit) (...).
Ky paragraf pra e bën të qartë, janë dy kategori, është seanca konstituive ku jemi ne, dhe të gjitha seancat pas kësaj janë plenare. Nenet thotë Gjykata se vlejnë për seancë plenare, jo konstituive, gjykata thotë qartë se kapitulli 4 nuk përmban asnjë referencë në nenin 53.
Dmth nuk i referohet asnjëherë dhe nuk lidhet me nenin 53” – tha ai, transmeton Nacionale.
Në fund, Gruda ka thënë se janë tre parametra përmes së cilit ndodhë konstituimi, dhe se vazhdimisht, praktika e përdorur ka qenë votimi i hapur.
“Paragrafi 187 i aktgjykimit, Konstituimi ndodhë sipas tre parametrave, Kushtetutës, rregullores, praktikës së deritanishme, cila ka qenë praktika, votimi i hapur.
Pra meqenëse rregullorja, Kushtetuta nuk kanë folur por e kanë ndalu ndryshimin e rendit të ditës, është përdorur praktika e deritanishme”.