“Kryeministri hoqi dorë nga Republika”: A po pranon Kurti edhe përfaqësim të cunguar ndërkombëtar?
Albin Kurti me Vetëvendosjen kishin bërë zhurmë të jashtëzakonshme në fundin e shkurtit të vitit 2012 kur ishte arritur marrëveshja e famshme (ose famëkeqe) e fusnotës. Por, deklaratat e sotme në lidhje me marrëveshjen e qesin në dritë të keqe gjithë atë që ishte thënë dikur.
Albin Kurti i ka ndërruar dhjetëra qëndrime politike tash e disa vite, e në veçanti prej kohës sa e mori detyrën e kryeministrit të vendit.
Por, një tjetër qëndrim mund të marrë spikamë pas deklaratave të sotme në Forumin Ekonomik mes Kosovës dhe Kroacisë që u mbajt në një hotel të kryeqytetit.
Hoqi dorë nga Republika
Duke dashur të minimizojë rolin e marrëveshjes për Asociacionin, Kurti rriti rolin e secilës marrëveshje tjetër (shumë prej të cilave i ka konsideruar si të dëmshme).
“...po e riktheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje,” – deklaroi Kurti, pasi tha që e vetmja që s’e kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese ishte... ajo për Asociacionin e vitit 2013.
Pra, të gjitha marrëveshjet – folur me fjalët e Kurtit – janë të barabarta dhe duhen shikuar nga fillimi.
Kjo barazi e marrëveshjeve nxjerr domethëniet e saj politike. Në shkurtin e vitit 2012, do të arrihej një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal.
Aty përcaktohej që Kosova do të paraqitej me denominimin “Kosovo*”.

Në nenin 3 thuhej në mënyrë eksplicite si vijon: “Ky përcaktim është pa paragjykim për pozicionet mbi statusin, dhe në vijë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.”
Albin Kurti me Vetëvendosjen e kishin kundërshtuar ashpër dikur një gjë të tillë. Menjëherë në muajin mars, kjo parti do të dilte me një komunikatë (tashmë e fshirë nga faqja e tyre) të titulluar “Fusnota kundër Republikës”.
“Sa më shumë që po rritet numri i marrëveshjeve me Serbinë, aq më shumë po zvogëlohet sovraniteti i Kosovës. Marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale e ka dëmtuar shumë rëndë subjektivitetin shtetëror të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.”

Kjo parti politike që edhe në atë kohë drejtohej nga Albin Kurti, shkruante edhe se me pranimin e fusnotës ishte vulosur mospranimi i shtetësisë së Kosovës nga organizata të ndryshme rajonale e botërore.
Ndërkohë, edhe në komunikata tjera që tashmë janë fshirë do të shkruhej për këtë çështje me terme mosvet negative. Ta zëmë, në atë të titulluar “Dekadenca e Garantuar” kjo parti politike shkruante: “Me fusnotë në emrin e shtetit tonë dhe pa fjalën Republikë në të, përfundimist po legjitimohet mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës nga mosnjohësit e saj...”
Më poshtë shkruhej se kryeministri i Kosovës hoqi dorë nga Republika.

A hoqi dorë edhe kryeministri aktual i Kosovës nga Republika?
Njohja në qendër?
Në po të njëjtin vend e të njëjtën kohë kur po fliste për barazinë mes marrëveshjeve të Brukselit, z. Kurti foli edhe për “njohjen në qendër”.
Megjithatë, logjikisht është e qartë se respektimi i marrëveshjes në fjalë çon në mosnjohje nga Serbia – ashtu edhe siç përflitet se mund të jetë përmbajtja e planit franko-gjerman (i riemërtuar nganjëherë edhe si plani euro-amerikan).
Përtej njohjes, respektimi i kësaj marrëveshjeje do të nënkuptonte qartazi edhe përfaqësim të cunguar ndërkombëtar për Republikën e Kosovës në nisma rajonale.
Duhet thënë që në pikën e 11 të kësaj marrëveshjeje shkruhej se aranzhimet në fjalë ishin të përkohshme, çka kishte shtyrë pushtetet e kaluara të pretendonin se fusnota do të shkrihej (sic) si fluskë bore. Megjithatë, kjo nuk kishte ndodhur siç ishte paralajmëruar nga vet kryeministri Kurti.
