Kritikoi Qeverinë që e ofroi Asociacionin për KiE-në, Osmani “harron” se vetë ishte zotuar për këtë gjë në letrën drejtuar Bakojanisit - NACIONALE

Kritikoi Qeverinë që e ofroi Asociacionin për KiE-në, Osmani “harron” se vetë ishte zotuar për këtë gjë në letrën drejtuar Bakojanisit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar ftohjen e raporteve me Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo ka bërë me dije se kjo gjë ka ndodhur për shkak të rrugës që Kosova ka ndjekur në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Gjatë një interviste në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që në momentet e fundit ka ofruar Asociacionin për anëtarësim në KiE.

Por, në këtë intervistë, shefja e shtetit nuk e ka përmendur faktin se ajo më 22 mars të këtij viti, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kishin nënshkruar një letër, ku i zotoheshin KiE-së se besnikërisht do ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në letrën, që ishte botuar nga gazeta Nacionale, Osmani, Konjufca dhe Kurti zotoheshin se do t`i zbatonin të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Letra në fjalë i ishte drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis.

Aty thuhej se Kosova do të respektojë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në shtojcën, të cilën ata ia kishin bashkëngjitur letrës.

Në këtë shtojcë përmendet themelimi i Asociacioni sa më shpejt që është e mundshme.

Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhej në letrën e tre krerëve institucionalë.

Më tej, ata e informonin raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës se do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I.

Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, është thënë në letër.

Çka tha presidentja?

Presidentja Vjosa Osmani fare nuk e ka përmendur letrën që bashkë me dy krerët institucionalë ia kishin dërguar Dora Bakojanis dhe ku zotoheshin për Asociacionin.

Ajo e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për letrën që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, më 16 maj, ia kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.

Në këtë letër, Gërvalla tregon se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Osmani ka vlerësuar se kjo letër ka qenë gabim dhe për të nuk është konsultuar fare nga Qeveria.

Duke harruar se edhe vëtë dy muaj më parë kishte nënshkruar një letër të tilllë, ajo thotë Qeveria e ka prishur procesin e anëtarësimit të Kosovës me këytë letër.

Qeveria e ka prishur procesin për Këshill të Evropës, mu në momentin më të rëndësishëm. Unë kam menduar që është gabim madje të ofrohet Asociacioni për KiE. S’kam qenë unë që e ofrova këtë, e bëri Qeveria. Ka pasur mënyra të tjera se si do të duhej të përdoret oferta për Asociacionin, e jo për KiE. Nëse flasim për NATO-n, s’ka Asociacion që mund të të shkatërroj për brenda”, ka thënë Osmani.

Ajo ka treguar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës në fillim ka qenë i koordinuar.

Ky proces, sipas saj, nuk është koordinuar vetëm në pjesën e fundit.

Krejt nuk ka qenë e pakoordinume. Pjesa ma e rëndësishme, pikërisht aty ku u kompliku puna, aty ka mungu koordinimi. Dhe për fat të keq po i shohim pasojat. Ju e dini kush e prishi dasmën sepse jemi deklaru për atë punë publikisht. Tash duhet me u rishiku qysh me i bashkë forcat", është shprehur presidentja Osmani.

Lajme të ngjashme