"Krejt ma bëri Radoica, që vendin t'ma zë i biri i tij Nikolla": Milletiq ndërron "fajtorët" pas skandalit të drogimit në komunë të Leposaviqit
Shtrirja e sovranitetit në Leposaviq – Komunë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje – doli të ketë qenë e shoqëruar me nivele të larta shtrirjeje edhe të serotoninës.
Aty ku qëndron Lulzim Hetemi qe më shumë se gjysmë viti – ku ha, pi, lahet e flen – doli të ishte shndërruar edhe në një rezidencë e llojit të vet të një klubi punonjësish të droguar.
Nga ajo që publikoi Nacionale u pa dhe u dëgjua që drogimi brenda objektit komunal kishte qenë praktikë e mirëetabluar.
Kokaina konsumohej kollaj dhe festueshëm.
Dhe ku? Në një objekt të stëruajtur nga jashtë prej edhe vetë KFOR-it; e ku pushteti e jepte si marka shënjuese e shtrirjes së sovranitetit.
Si ekzemplar edhe të vetë sundimit të ligjit, rendit dhe, për çudinë e shumëkujt, demokracisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e quante Lulzim Hetemin si “kryetari më i rëndësishëm, jo veç i komunës”; ndonëse një frazë e tillë – argumentativisht – ishte veçse letërsi e dobët.
Një flamur i shtetit në kat të tretë krahas një klime sot e atë ditë jepet për triumf epokal.
Lëvizja Vetëvendosje e jepte se kishte gjetur 'serbë autentikë' për kontrast me organizatën (ndonëse jo edhe de jure të dezignuar terroriste) politike “Lista Serbe”.
Këta ishin 'shembulli i bashëpunimit të komuniteti serb me Qeverinë e Kosovës', simbas kastës së pushtetit; dhe këta serbë “lojalë” do të përbënin ndryshimin.
E me këta serbë 'besnikë', na thoshin nga pushteti, “vetëm prisni” inkarnimin e një alternative serioze politike në veri, dashamirëse karshi shtetit, që do të shkundin njëherë-e-mirë Srpska-n e SNS-së së Aleksandar Vuçiqit.
Kjo së paku ishte vija shpjeguese – para se të shihnim edhe vijat e drogës.
Nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletic, e emëruar në atë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje – ishte e para që u shkarkua pas publikimit të Nacionales; pas pamjeve brutale të konsunimit të drogës brenda komunës.
Nacionale – para publikimit – kontaktoi zonjën Milletiq për ta pyetur për konsunimin e narkotikëve.
E mohoi në rend të parë vërtetësinë e një gjëje të tillë duke e quajtur “të rreme” dhe “shpikje të Listës Serbe”.
Por, pamjet ishin autentike ashtu siç ishte edhe ngjarja.
Milletiq u shkarkua nga Lulzim Hetemi.
Me shkarkimin e Milletiq, ndërroi edhe rrëfimi i saj.
Kjo e fundit e kontaktoi Nacionalen pas shkarkimit, ku pretendoi se “më kanë shtyrë me zor” të konsumonte drogë; dhe se kishte pasur kërcënime edhe “me gjuajte me bombë” në shtëpinë e saj.
Këto informacione, ajo në të njëjtën kohë po ia jepte prokurorisë; rrëfim ky që s’e kishte dhënë me fillim kur ishte pyetur; pasi veçse ishte shprehur se pretendimet se ajo konsumon kokainë në komunë “janë të rreme” dhe që “vinë nga Lista Serbe”.
Listën Serbe nisi ta harrojë, duke u lëshuar në vlerësime për, thënë kushtimisht, tjerë 'komplotues'
Për Nacionalen ajo nisi të jep emra tjerë; emra punonjësish në vetë vendin e punës ku ka punuar dhe nga zyrtarë të lartë serbë shtetërorë si Zëvendës Ministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.
Në shpjegimin vijues të saj, ajo nisi të skicojë “tjetër komplot”.
Tha se e tëra iu bë nga “dy tradhtarët politikë”, sipas saj, Radoica Radomiroviq dhe Drejtori për Urbanizëm në Komunë të Leposaviqit, Marko Jabllanoviq (ndonëse edhe këto dy të fundit janë subjekt/objekt i materialeve që ka siguruar dhe botuar Nacionale).
“Mezi po pres që publiku ta di të vërtetën rreth atyre dyve”, na tha Milletiq, duke mos shtuar detaje të tjera ngase po pret rezultatin e hetimeve zyrtare; por na paralajmëron se “do të çuditeni” nga ç’ka për të thënë ajo.
Ndonëse tregon se i duhet të qëndorjë “e rezervuar” në deklarime, për një gjë tash ajo s’rezervohet: Arsyen pse, sipas saj, Radomiroviq “ma bëri këtë”.
Tha se synon “ngritjen” ose “nxënien” e pozitës së gëzonte të nënkryetares, “nga i biri i tij, Nikolla (Radomiroviq); ky i fundit Drejtor në Komunë të Leposaviqit.
"E bëri për Nikolla Radomiroviqin. Po, babai i tij Radoica e kreu krejt këtë për shkak të vendit që e do për të birin. E bënë këtë bashkërisht që nga fillimi me mercenarët e tyre që ishin nën urdhra të tyre për të shpifur ndaj nesh, për hir të një pozite politike", tha Milletiq në bisedë me Nacionalen.
Nacionale kishte raportuar për Nikolla Radomiroviq qysh vitin e kaluar kur ishte emëruar, i cili pak para se të bëhej drejtor, ishte ushtar i Ushtrisë së Serbisë, përkatësisht i Brigadës së Katërt të Ushtrisë Tokësore të vebndosur në Kazermën Ushtarake në Rashkë – pjesë kjo nga e cila Kosovës i kërcënohet më së shumti integriteti territorial.
Se kishte qenë pjesë e ushtrisë serbe deri në ardhjen e tij drejtor, na e kishte pohuar vetë ai. “Kam shërbyer në ushtri. Para se të bëhesha pjesë e drejtorisë”, na pati thënë Radomiroviq.
Milletiq njofton se do t’i bëjë të ditura – pasi të kryhen procedurat hetuese – “lidhjet Radoica-Marko”; dyshen që ajo tash, ndryshe nga ç’thoshte në fillim, pretendon se “ma bënë këtë”.