Krasniqi thotë veriu do të ketë tamam kryetarë, harron se Kurti i quajti “udhëheqës me "u" të vogël”
Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk i ka pëlqyer vlerësimi i ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se kryetarët e rinj në veri do të jenë kryetarë teknik. Ai ka bërë me dije se ata do të t`i ushtrojnë të gjitha kompetencat që i kanë të parapara me ligj. Duket se ministri Krasniqi ka harruar se edhe kryeministri Albin Kurti kryetarët e rinj i kishte quajtur “udhëheqës me "u" të vogël”.
Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ministri Krasniqi kryetarët do t`i ushtrojnë të gjitha kompetencat që i kanë të përcaktuar me ligj.
“Çka është e rëndësishme, është që të gjithë kryetarët e tjerë dhe Atiqi do të ushtrojnë të gjitha kompetencat e parapara me kushtetutë dhe ligjet aplikative, keni parasysh që komuna e Mitrovicës së Veriut ka të drejta të deleguara shtesë, janë nën përgjegjësinë e atit, dhe kjo është e rëndësishme dh ne si Qeveri jemi në mbështetje të implementimin të mandatit të tij”, ka deklaruar Krasniqi për RTV Dukagjini.
Ndonëse mbajta e këtyre zgjedhjeve është vlerësuar si legale, mandati i dal nga ky proces zgjedhor nuk po shihet i plotë. Kjo për shkak të pjesëmarrjes se ulët të qytetarëeve dhe bojkotimit të procesit nga serbët.
Disa ditë me parë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore duhet të marrin rol teknik dhe jo politik.
Në një intervistë për “Telegraf”, ambasadori amerikan i ka inkurajuar kryetarët e rinj që të jenë të përgjegjshëm.
“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të jenë të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të tyre”, ka thënë Hovenier.
S`do të jenë udhëheqës më “U” të madhe
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se roli i kryetarëve të rinj në atë pjesë të Kosovës nuk do të jetë normal.
Pas takimit të 27 prillit në Bruksel, Kurti kishte thënë se ata mund të mos kenë mandat të plotë.
“Unë e kuptoj që këta nuk janë kryetarë të komunave në kuptim normal e standard të fjalës. Mirëpo, legaliteti është i domosdoshëm. Arkitektura e Republikës së Kosovës nuk lejon që qytetari të ngelet pa komunë. Ndërkaq, për funksionim të shërbimeve publike, ministria e financave e ka të domosdoshme kryetarin e komune. Andaj, tash i kemi kryetarët e komunave”, ka thënë ai.
Ai kishte thënë se do të donte që këto zgjedhjeve të organizoheshin në rrethana të reja.
“Do të dëshiroja të kemi rrethana të tjera, mos të kishim këtë dalje të ulet, mirëpo kjo vjen si pasoj e braktisjes së institucioneve nga lista serbe me urdhër të Beogradit dhe vjen si pasoj e bojkotit që ata ia bën zgjedhjeve. Me fjalë të tjerat Lista Serbe ka gabuar. Mirëpo, gabimi e Listës Serbe nuk mund ta paguan shteti i Kosovës edhe qytetarët e vendit. Gabimin e Listës Serbe duhet ta paguaj Lista Serbe”, kishte thënë Kurti.
Madje, shefi i ekzekutivit ka bërë me dije se kryetarët e rinj nuk do të jenë udhëheqës më “U” të madhe, por me “u” të vogël.
“Nuk do të jetë mandat i plotë. Ne dimë këtë. Pra, nuk do të bëhet fjalë për mandat katër vjeçar dhe nuk do të jenë udhëheqës komunal me “U” të madh, do të jenë udhëheqës komunal me “u” të vogël. Unë kam dhënë instruksione që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Kurti.
Një ditë me parë, ka dhënë betimin kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Ceremonia ka përfunduar në mënyrë të qetë dhe pa incidente. Shumë më problematike po shihet ceremonia e betimit të kryetarëve të Zveçanit, Leposaviqi dhe Zubin Potokut. Kjo pasi serbët lokalë mund të pengojnë këtë ceremoni.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ende nuk ka vendosur se ku dhe kur do të mbahet betimi i tre kryetarëve tjetër.
Afati i fundit për betimin e tyre është 28 maji. Nëse kjo nuk ndodh, ata e humbin mandatin.
