Krasniqi: Rreziku i përshkallëzimit në veri është evident, kryeministri t’ju drejtohet qytetarëve
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Ai ka vlerësuar se rreziku i përshkallëzimit të situatës në veri është evidet, duke shtuar se qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri i vendit duhet të iu drejtohet qytetarëve të Kosovës.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.
Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje.
Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, t'i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.
Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë.