Krasniqi beson se do ta udhëheqë Kosovën pas Kurtit, por gjasat më të mëdha i ka Abdixhiku, sipas sondazheve - NACIONALE

Krasniqi beson se do ta udhëheqë Kosovën pas Kurtit, por gjasat më të mëdha i ka Abdixhiku, sipas sondazheve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Memli Krasniqi u rikthye në RTV Dukagjini pas bojkotit 1-vjeçar e pak që PDK-ja ia bëri këtij televizioni. Në emisionin “Debat Plus”, z. Krasniqi foli për shumë çështje, përfshirë qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, dialogun me Serbinë, marrëveshjen finale e intervenimin kirurgjik sekret të presidentes Vjosa Osmani në një spital privat. Por deklarata më e fuqishme e tij (natyrisht edhe optimiste) ishte rreth të ardhmes së tij politike.

Ai tha se do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, kurdo që të përfundojë qeverisja e Kurtit, të cilës, sipas Krasniqit, po i vjen fundi.

Me përfundimin e qeverisjes së tij do të vijë një politikë e re të cilën do ta drejtojmë ne, që do ta drejtoj unë dhe që do t’i sjell Kosovës një tjetër lloj politike, qasje dhe tjetër lloj vizioni dhe një politikë ku do të ketë llogaridhënie e jo linçime”- theksoi ai.

“E vërteta e hidhur”

Një deklaratë e tillë vjen pak ditë pasi gazeta Nacionale botoi ekskluzivisht një sondazh, ku PDK-ja e Krasniqit renditej larg dy partive të para, LV-së e LDK-së. Me shumë gjasë, z. Krasniqi ose nuk e ka lexuar raportimin e Nacionales, ose ka zgjedhur të mos i besojë sondazhit, duke zgjedhur të jetojë në botën e tij.

Sipas sondazhit, gjasat më të mëdha aktualisht që ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës, pas Albin Kurtit, i ka Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në sondazhin e publikuar nga Nacionale, LDK-ja radhitej larg PDK-së, duke marrë 25,6 për qind të votave, gjersa partia e Memli Krasniqit kishte 20,1 për qind të votave të respodentëve.

Madje rezultati i LDK-së në këtë sondazh është më i mirë se vetë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019, kur Vjosa Osmani garonte si kandidate për kryeministre të Kosovës, duke marrë 24,5 për qind.

Në bazë të disa sondazheve që i ka publikuar Nacionale, tashmë LDK-ja, e jo PDK-ja, është betonizuar në vendin e dytë, duke u bërë konkurrentja kryesore e LV-së. Madje dallimi ndërmjet LV-së, që mori 50.1 për qind në zgjedhjet e 14 shkurtit, e LDK-së tani është ulur në 8.3 për qind të votave.

Kritikat e Memlit

Krasniqi, që dukej energjik gjatë debatit, ishte kritik, madje shumë kritik ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, të cilin e cilësoi si “liderin e fundit të gjeneratës së vjetër”. Sipas tij, Kurti ka pushtet edhe mbi Presidencën e Kosovës, që për udhëheqëse e ka Vjosa Osmanin, e cila nuk shpëtoi nga kritika e Krasniqit rreth intervenimit.

Mënyrës së të bërit politikë siç bën Albin Kurti, po i vjen fundi. Albin Kurti është lideri i fundit i gjeneratës së vjetër politike në Kosovë. Me përfundimin e qeverisjes së tij do të vijë një politikë e re të cilën do ta drejtojmë ne, që do ta drejtoj unë dhe që do t’i sjellë Kosovës një tjetër lloj politike, qasje dhe tjetër lloj vizioni dhe një politikë ku do të ketë llogaridhënie e jo linçime”- tha Krasniqi në "Dukagjin".

Megjithatë, ai ka pranuar se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

Problemi është se opozita nuk i ka numrat në Kuvend. Në një moment të caktuar, ndoshta një pjesë e deputetëve të LVV-së do të veprojnë me integritet dhe do të rrëzohet kjo qeveri”- theksoi z.Krasniqi.

E pasi e kritikoi gjerë e gjatë Kurtin, z. Krasniqi u mor edhe me presidenten Osmani, më konkretisht me intervenimin kirurgjik të saj në një spital privat.

Është ofenduese për krejt këta mjekë e infermierë, që sot punojnë me shumë vështirësi, që sot punojnë pa ua rritë pagat përkundër premtimeve, e që shumë prej tyre po lypin një perspektivë jashtë këtij vendi dhe, normalisht, kur t'i ofendon i pari i vendit, në këtë rast presidentja, që thotë "juve nuk ju besoj dhe po shkoj në një klinikë private”- tha z. Krasniqi.

Lajme të ngjashme