Memli Krasniqi shumë i heshtur, a është Vlora Çitaku kryetarja de fakto e PDK-së?
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, shpesh është kritikuar për opozitën e tij. Prej kur është bërë numri një i partisë më të madhe opozitare, nuk është se mbahet mend për ndonjë kritikë të madhe ndaj Qeverisë Kurti. Për më shumë, ai është përballur me ikjen nga PDK të disa prej figurave më të rëndësishme, me qëndrime të ndryshme brenda partisë, e me performancë të dobët në sondazhe.
Në sondazhet e fundit, të cilat i publikoi ekskluzivisht gazeta Nacionale, PDK është radhitur e treta pas LDK, e cila ka një dyfishim nga zgjedhjet e 14 shkurtit..
Duke marrë parasysh gjitha këto, shpesh është spekuluar për një kryetar të ri në PDK, gjersa emri më i përfolur është ai i Bedri Hamzës, aktualisht kryetar i Mitrovicës së Jugut, i cili nuk e përjashtoi kandidimin për të parin e partisë që dikur udhëhiqej nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
Kryetarja de facto?
Por, një bashkëpunetore e këtij të fundit, ka kohë që është shumë aktive në opinion publik. Zonja Vlora Çitaku është nënkryetarja më aktive e PDK-së. Me statuse, intervista në televizion, deklarata të forta e kritika të vazhdueshme ndaj Qeverisë Kurti është karakterizuar opozitbërja e zonjës Çitaku që nga kthimi nga SHBA-të, ku ishte ambasadore e Kosovës.

Çitaku është shumë herë më aktive se z.Krasniqi në përballjen politike me Kurtin, aq sa ajo duket më shumë si kryetare faktike e PDK-së.
Ndonëse nuk është fare deputete, ajo është ndër njerëzit që më së shumti përfaqësojnë PDK-në në media.
Hiç më larg se dje (8 shtator), zonja Çitaku ishte e pranishme në njërin nga emisionet më të shikuara televizive, pra në Oxygen tek Besim Dina. Ndonëse një emision me karakter parimisht jo politik, zonja Çitaku rrëfeu shumëçka, duke dhënë edhe kritika ndaj qeverisë aktuale.
Përkundër që ishte në një emision televiziv, Çitaku nuk e la me aq opozitën e saj. Që në mëngjesin e së dielës, ish-ambasadorja shkroi një status kritik karshi kryeministrit Albin Kurti, që së fundmi u lëvdua për rritjen ekonomike e investimet qindra milionëshe gjatë 18 muajve të fundit.
Ajo shkroi se në Kosovë janë rritur çmimet e produkteve esenciale, të rrymës, inflacioni e radhët e pritjes për vizë në Ambasada.
“E në ndërkohë, përderisa qeveritë e vendeve në rajonin tonë kanë ndërmarrë masa për të ndihmuar qytetarët, Kryeministri Kurti ka vendosë me u mundu me na bindëme fjalë se punët nuk i kemi pasë kurrë më mirë. Kjo është shqetësuese posaçërisht pasë parasyshë dimrin e vështirë që po na pret.”, shkroi zonja Çitaku në Facebook.
Për dallim nga ish-ministrja, i pari i PDK-së ende nuk ka pasur asnjë reagim për statusin plot lëvdata të Kurtit, që ngjalli tepër shumë kundërpërgjigje që nga e shtuna.
Z.Krasniqi nuk ka shkruar asgjë në Facebook. Ndërsa, në Twitter, për çudi, në vend se t’i reagonte z.Kurtit, i pari i PDK-së gjeti kohë të komentonte një fitore të ekipit Bad News Eagles në Counter Strike.
Kritikat e ikjet
Ndryshe, kohë pas kohe, PDK po përballet edhe me mungesë kohezioni të brendshëm. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, disa herë radhazi ka dalë jashtë qëndrimeve zyrtare të partisë, e posaçërisht në temën e Ballkanit të Hapur.
Hoxhaj, që dikur udhëhoqi diplomacinë kosovare, ka përkrahur publikisht iniciativën, duke theksuar se PDK nuk ka qëndrim për Ballkanin e Hapur.
“Unë mendoj që Kosova është duke humbur kohë, pa nevojë, pa argument politik apo ekonomik, duke i thënë jo ‘Open Balkan’! Unë jam deklaruar pro pjesëmarrjes në ‘Ballkanin e Hapur’. Ky është qëndrim personal imi si nënkryetar i kuvendit të Kosovës, si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja ndërkohë nuk ka qëndrim", deklaronte ish-ministri i Jashtëm.
Në fakt, Krasniqi, që është kryetar i Hoxhajt, ka shprehur rezerva për këtë nismë rajonale, të cilën e përkrah edhe SHBA.
“Kur është publikuar kjo ide, kemi thënë që rezervat tona janë të bazuara në arsye që nuk mund të anashkalohen. Përtej një projekt ekonomik, ai është një projekt politik. Dhe ne nuk mundemi që duke qenë padyshim mbështetës të tregut të lirë, qarkullimit pa pengesa, të njerëzve, mallrave dhe ideve po ashtu, nuk mund t’i mbyllim sytë përballë faktit se Kosova dhe Serbia kanë një konflikt të ngrirë i cili nuk po duket se do të zgjidhet së shpejti. Origjina e Ballkanit të Hapur për neve është problematike”, vlerësonte Krasniqi.
Ndërsa, Bedri Hamza, dikur ministër i Financave në Qeverinë Thaçi, kohë më parë pati kritika ndaj PDK-së, duke theksuar se partia e tij duhet të jetë më aktive.
“PDK duhet të jetë më aktive. E vlerësoj punën, por unë besoj që mund të bëhet më mirë. Jam i bindur për këtë gjë.”, përgjigjej Hamza javë më parë.
Madje, Hamza nuk ngurroi të deklaronte se PDK duhet të punojë më shumë për të ndërtuar një opozitë më cilësore.
“Ne kemi nevojë me ndryshu, të gjithë e dimë. Kemi nevojë me bo ma shumë. Kem nevojë për vlerë të shtuar brendapërbrenda PDK-së. Që nënkupton vajza të reja, gra, burra – me përgatitje të duhur, me vullnet, me angazhim. Dhe me i përfshi të gjitha shtresat e shoqërisë.” – u shpreh z. Hamza.
Kujtojmë që së fundmi Ramë Buja, një nga themeluesit e PDK-së e ish-ministër i Arsimit, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.



