"Kosova s'ishte fleksibile në substancë": Krejt çka tha mbrëmë Borrelli? - NACIONALE

"Kosova s'ishte fleksibile në substancë": Krejt çka tha mbrëmë Borrelli?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë fjalimin e mbrëmshëm të Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell. Çka tha kryediplomati?

Shumë prej deklaratave të tij u bënë kryetituj lajmesh. Megjithatë, duhet kuptuar gjithë atë që u tha në mënyrë që të mësojmë edhe frymën e fjalëve të politikanit spanjoll.

Borrell mes tjerash ishte shprehur edhe se Kosova nuk kishte qenë fleksibile sa i përket substancës së marrëveshjes, ndërkohë që Serbia kishte refuzuar të nënshkruante.

Më poshtë e keni të përkthyer në gjuhën shqipe krejt fjalimin e thënë në Ohër nga Josep Borrell:

“Mirëmbrëma për të gjithë ju,

Krejt e patëm një ditë të gjatë. Po, ka qenë një ditë e gjatë dhe dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për miqtë tanë këtu në Maqedoni të Veriut, për një mikpritje kaq zemërgjerë. Falemnderit kryeministër që na mirëpritët në këtë Ohër të bukur me liqenin dhe malet dhe qytetin. Ishte pamje fantastike nga dritaret e takimit. Dhe na ka ofruar një vend fantastik për këtë takim me rëndësi. Prandaj, falemnderit, ne do të kthehemi me më shumë kohë për ta shijuar.

Ju tashmë e dini se objektivi i sotëm për Kosovën dhe Serbinë ishte që të pajtoheshin për të zbatuar Marrëveshjen, me të cilën ishin pajtuar në takimin e Nivelit të Lartë më 27 shkurt në Bruksel. Marrëveshja u arrit në fund të shkurtit por sot çështja ishte të pajtoheshin se si do të bëhej zbatimi.

Kjo do të thotë, hapa praktikë në atë se çka të bëhet, deri kur duhet të bëhet, nga kush dhe si. Shpesh thuhet që dreqi është në detaje. Nganjëherë dreqi është në kalendar, në afate, në kohë.

Dhe ne e kemi diskutuar për 12 orë këtë gjë. Jam i kënaqur të ju njoftoj se, më në fund, pas 12 orësh, e kemi një pajtim, e kemi një marrëveshje se si ta bëjmë.

Prandaj, mund të ju njoftoj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes tyre, mes Kosovës dhe Serbisë.

Si pjesë e Aneksit, palët do të angazhohen plotësisht në respektimin e të gjitha Neneve të Marrëveshjeve, dhe të zbatojnë krejt obligimet respektive në mirëbesim.

Dhe ky rezultat vjen pas negociatash të gjata dhe të vështira. Nuk dua ta fshehë. Nuk rrini dymbëdhjetë orë duke debatuar për gjëra të lehta.

U takuam sot në shumë formate të ndryshme, me qëllimin për t’i pajtuar dallimet mes nesh.

Më lejoni të fokusohem në disa çështje specifike:

Për të zbatuar Nenin 7 të Marrëveshjes, Kosova është pajtuar që të nis menjëherë – dhe kur them menjëherë, nënkuptoj menjëherë – negociatat brenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për vendosjen e masave dhe garancive specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Palët janë pajtuar për të miratuar Deklaratën mbi Personat e Zhdukur, siç është negociuar nën Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Më duhet të pranoj se fillimisht propozuam një propozim më ambicioz e më të detajuar për Aneksin. Fatkeqësisht, palët nuk mund të arrinin një marrëveshje mbi këtë propozim të detajuar.

Mendoj se kjo ndodhi sepse njëra palë, Kosova, nuk kishte fleksibilitet mbi substancën, dhe sepse Serbia në anën tjetër ishte zotuar të mos nënshkruante pavarësisht që janë plotësisht të gatshëm që ta zbatojnë.

Në mënyrë që të shmangim këto rrethana kemi bërë një numër propozimesh kreative edhe sa i përket nënshkrimit edhe sa i përket substancës, por Palët nuk ishin të gatshëm që të gjejnë zgjidhje të përbashkët aq ambicioze sa po e propozonim ne.

Prandaj, Aneksi dhe Marrëveshja konsiderohen të adoptuara përmes deklaratës time që do të publikohet.

Më besoni, pavarësisht faktit se një tekst më ambicioz ishte propozuar në fillim, ajo me çfarë palët janë pajtuar – Marrëveshjen dhe zbatimin e saj përmes Aneksit – do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre respektive për në BE.

Dhe në mënyrë që ta bëjmë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë formalisht amandamentet relevante në Kapitullin 35 të Negociatave të Serbisë me BE-në, dhe në agjencën e Grupit Special të Kosovës për Normalizimin.

Në këtë formë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja që do të jetë pjesë e rrugëve të tyre për në Bashkimin Evropian.

Dhe ne, në Bashkimin Evropian, me forcë do të kërkojmë që palët të përmbushin obligimet e tyre sepse tashmë janë palë, ose do të jenë palë e Rrugëve drejt BE-së.

Dhe mos-përmbushja e tyre do të vijë me pasoja.

Mendoj se duhet të fokusohemi në kontentin e asaj se me çka jemi pajtuar sot. Dhe është e qartë se të dyja palët do të marrin përfitime domethënëse nga kjo Marrëveshje.

Për shkak se dialogu nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë. Dhe vëmendja nga ju – media nga rajoni dhe përtej – e dëshmojnë një gjë të tillë.

Kjo nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë. Është për stabiltietin, sigurinë, prosperitetin e krejt rajonit.

Dialogu duhet parë në kontesktin aktual të gjerë gjeopolitik, si një mjet i rëndësishëm prë të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Dhe të hënën, ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen në Bruksel dhe liderët e BE-së do të takohen të enjten dhe të premten në Këshillin e Evropës. Unë do t’i njoftoj ata për këto bisedime dhe për angazhimin e të dyja palëve që menjëherë e plotësisht të zbatojnë obligimet e tyre.

Dua të falenderoj Përfaqësuesin Special Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, po ashtu ekipin tim që erdhi nga Brukseli, për punën e palodhshme. Jemi angazhuar gjithë kohën dhe mendoj se ata meritojnë mirënjohje dhe lavdërim për punën e bërë, që më besoni, nuk është gjithnjë e lehtë.

Dua të theksoj se për të hapur rrugën drejt objektivit strategjik për të hyrë në BE, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet e tyre. Nuk ka rrugë tjetër.

Dhe kjo marrëveshje, ky aneks, që është pjesë integrale e marrëveshjes, është një hap i rëndësishëm përpara në mënyrë që të bëhet realitet kjo gjë.

Ne do të vazhdojmë të punomë pa u lodhur derisa të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Falemnderit për vëmendjen, më falni që pritët kaq gjatë, dhe falemnderit sërish për vëmendjen që i keni dhënë kësaj ngjarjeje.

Falemnderit.

Lajme të ngjashme