Kosova s`i rinovoi, Serbia i forcoi: A po i hakmerret Kosovës ndalja e kontratave lobuese në SHBA? - NACIONALE

Kosova s`i rinovoi, Serbia i forcoi: A po i hakmerret Kosovës ndalja e kontratave lobuese në SHBA?

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Kosova vazhdimisht ka angazhuar kompani ndërkombëtare të konsulencës për të lobuar në ShBA. Synimi i këtyre kontratave ishte forcimi i raporteve Kosovë-SHBA dhe shtyrja përpara e agjendave të rëndësishme nacionale. Por, pushteti i ri i shihte me sy të keq kontratat e tilla dhe nuk i rinovoi ato.

Ndërprerja e kontratave me kompani lobuese në SHBA po shihet si veprim i gabuar i institucioneve të Kosovës. Ftohja e raporteve në mes të dy vendeve po i dedikohet edhe mungesës së kompanive lobuese në Uashington.
Përderisa Kosova nuk i ka vazhduar këto kontrata, viteve të fundit Serbia i ka shtuar angazhimet dhe kontratat e lobimit në SHBA.

Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se në kohën e fazës finale të dialogut me Serbinë lobimi në SHBA dhe vendet tjera të fuqishme është shumë i nevojshëm për të shtyrë përpara agjendën e Kosovës.

Sipas tyre, në momentet më kritike Kosova i ka ndalur lobimet.

Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka vlerësuar se Kosovës po i kushton ndalja e kontratave lobuese.

Sipas tij, prej kohës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kosova nuk ka vazhduar asnjë kontratë të tillë.

Personalisht nuk jam pajtuar me politikat publike dhe zhvillimore te Hashim Thaçit, por ai dhe ekipi i tij arritën, kryesisht përmes diplomatëve dhe kontratave lobuese me i avancu dhe mirëmbajte marrëdhëniet shumë të mira me SHBA. Puna është që Albin Kurti e ka mirë në parim me qëndrime, por ai po e luan dhe kupton një lojë me konzervative politike (që nuk po jep fryte)”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se Serbia e ka shfrytëzuar pasivitetin e Kosovës në këtë drejtim.

Në SHBA nuk kemi kontrata të lobimit prej kohës së Hashim Thaçit, përderisa Serbia ka arritur me i pas disa kontrata të mira. Në këtë aspekt, mendoj që jemi ne disavantazh të madh në aspektin e lobimit në SHBA, dhe këtu është dallimi. Rrjedhimisht, Albin Kurti duket që ka humbur lojën dhe tani nuk ka lidhje nëse ka të drejtë apo jo çfarë flet dhe pozicionet që i ka nëse janë të drejta. Kështu që, Qeveria e Kosovës nuk është në pozitë të mirë dhe nuk duket që ka mundësi me u rikuperu nga ky pozicion”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, për forcimin e raporteve ndërshtetërorë janë të nevojshme edhe kontratat lobuese.

Në përgjithësi është një deadlock dhe mundet me vazhdu me mbetet si e tillë për shkak se s`po shifet një rrugëdalje. Për me pasë më shumë ndikim në qëndrimet e SHBA-së, përpos marrëdhënieve bilaterale shtetërore është absolutisht e domosdoshme me pas disa kontrata për me pasë çasje në administratën amerikane. Tash mund te jemi vonë për të ndryshuar momentumin, por mirë është me konsideru këtë për të ardhmen", ka vlerësuar Sheholli.

Të njëjtin mendim ka ndarë edhe drejtori i Institut GAP, Agron Demi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në kohen kur më se shumti i duhet Kosova ka ndalur lobimin.

Në kohën kur i duhen më së shumti, Kosova ka ndalë fondet për lobim, i ka lanë ambasadat pa staf e politika e jashtme është inekzistente”, ka shkruar Demi.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk po i shijojnë ditët më të mira. Tashmë është i njohur “ftohja” mes kryeministrit Albin Kurti dhe amerikanit Gabriel Escobar. Ndërsa, raportet mes Amerikës dhe Serbisë janë më të mirat ndonjëherë në këto 30 vite. ShBA-ja, përfshirë sekretarin Blinken e Escobarin, kanë dhënë lëvdata publike për “qasjen konstruktive” të Serbisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Në një raport të Ilir Dugollit, ambasador i Kosovës në Uashington, vërehej “frika” nga “brutaliteti amerikan”.

Në këtë raport, të cilin e ka botuar gazeta Nacionale, theksohej edhe mungesa e stafit vendor dhe problemet e tjera logjistike, përfshirë rrezikun që Ambasada e Kosovës të mbetej jashtë Uashingtonit, për shkak të buxhetit të vogël të ndarë nga Qeveria Kurti për blerjen e një objekti në kryeqendren amerikane.

Dugolli aty tregon se ka vështirësi edhe në organizimin e takimeve me zyrtarët amerikanë.

Kosova dhe kompanitë lobuese amerikane

Prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, institucionet e Kosovës vazhdimisht kishin lidhur kontrata lobuesi për kompani të ndryshme amerikane. Përmes këtyre kontratve, të cilat paguheshin miliona euro, Kosova synonte forcimin e raporteve me SHBA-të dhe sigurimin e njohjeve të reja.

Kontrata e fundit është ajo e ish-Presidentit Kosovës, Hashim Thaçi, kompaninë lobuese “Ballard Partners”.

Presidentja kishte bërë me dije se për kontratën që ishte nënshkruar më 22 dhjetor të vitit 2017 ishin ndjekur të gjitha procedurë ligjore.

Gjithashtu, ishte bërë e ditur që kjo kompani do të ndihmojë edhe në modernizimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në një forcë shumetnike dhe do të ndihmojë Kosovën në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Paraprakisht, Kosova kishte paguar për të lobuar edhe kompanin “Podesta Group” dhe kompaninë “Alston & Bird LLP” për këshillime strategjike në lidhje me raportet e Kosovës me Qeverinë dhe Kongresin amerikan.

Osmani e Kuriti pa lobim

Ndryshe nga pushtet e kaluar, institucionet e dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 nuk kishin angazhuar ndonjë kompani lopuese në vendet e fuqishme.

Madje, Presidentja dhe Kryeministri edhe i kishin kritikuar këto kontrata, duke shprehur edhe dyshime korruptive.

Gjatë vitit 2020, kur Vjosa Osmani ishte ushtruese e detyrës së presidentes kishte tentuar të mos e vazhdonte bashkëpunimin me Fondacionin e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Ëilliam Ëalker.

Vetëm pas presionit publik, Osmani e kishte vazhduar bashkëpunimin me këtë fondacion.

Në njoftim e Presidencës thuhet se Osmani dhe Ëilliam Ëalker, kanë biseduar personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre. Sipas njoftimit, të dy kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja për Kosovën dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend.

Ndërkohe, në shtator të vitit të kaluar “Top Chanel” ka raportuar për një kontratë në mes të kompanisë “Bailey Strategic Advisors” dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Sipas kësaj medie shqiptare kjo kompani lobuese do të angazhohej të “përforcojë perceptimin për Kosovën tek zyrtarët amerikanë”.

Por, Zyra e Kryeministrin e kishte mohuar lidhjen e kësaj kontrate.

“Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi midis z. Bailey dhe Qeverisë së Kosovës”, kishte thënë për Top Chanel shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.

Një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet e Kosovës u përpoqën që përmes një reklame televizive prej 60 sekondash të krijojnë një imazhi të ri për Kosovën.

Në këtë mënyrë, Qeveria Thaçi I kishte angazhuar firmën e njohur izraelite “Saachi and Saachi” në përpjekje për të prezantuar një imazh të ri të Kosovës.

Lajme të ngjashme