'Kosova nuk i ka punët mirë me administratën Trump', Hovenier: Asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik-partnerët duan bashkëbisedues të besueshëm - NACIONALE

'Kosova nuk i ka punët mirë me administratën Trump', Hovenier: Asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik-partnerët duan bashkëbisedues të besueshëm

55 minuta më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur për marrëdhëniet jo në nivelin e duhur mes Kosovës dhe SHBA-së, veçanërisht me administratën Trump, ku ka përmendur pezullimin e Dialogut Strategjik si pasojë e politikave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai, në një prononcim për REL, tha se nuk është sekret që Kosova nuk i ka marrëdhëniet e mira me administratën Trump.

Hovenier theksoi se treguesi më i mirë për këtë gjendje është se sot SHBA-ja dhe Serbia nisin Dialogun Strategjik, ku ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, do të jetë në Uashington për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau.

Ndërsa shtoi se Kosova nuk ka bërë asnjë lëvizje rreth Dialogut Strategjik të pezulluar me SHBA-në në shtator të 2025, për shkak të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me disa “zgjedhje politike të bëra nga kryeministri”.

“Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën [e presidentit amerikan, Donald] Trump nuk është në nivelin e dëshiruar.Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar, për shkak të dallimeve lidhur me disa zgjedhje politike të bëra nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti. Kjo është diçka që, sipas meje, Kosova duhet ta adresojë. Mendoj se Kosova dëshiron ta pozicionojë veten si një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam dëgjuar nga të gjithë liderët politikë dhe të gjithë e kanë deklaruar publikisht - edhe pasi unë jam larguar nga Kosova. Por, për ta bërë këtë, duhet të kesh një qeveri. Duhet të kesh politika qeveritare. Duhet të kesh komunikim dhe angazhim. Dhe besoj se të gjithë ata që janë aktualisht në qeveri, do të thoshin se po i bëjnë këto gjëra. Megjithatë, situata është ndryshe kur ekziston kërcënimi i zgjedhjeve të tjera, kur nuk është zgjedhur ende presidenti ose kur qeveria vazhdon të jetë në detyrë. Për të ecur përpara duhen politika qeveritare”, tha Hovenier.

Diplomati amerikan foli edhe për zgjedhjet e njëpasnjëshme në Kosovë, duke thënë se kjo e dëmton vendin dhe ka ndikim negativ, sidomos sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në dhe avancimit të aspiratave, si strategjike ashtu edhe ekonomike.

Ai tutje shtoi se partnerët e rëndësishëm të Kosovës duan të shohin një bashkëbisedues të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

“Janë mbajtur tri palë zgjedhje dhe ky proces i pamundësisë për të formuar një qeveri të qëndrueshme ose për të zgjedhur një president vazhdon. Kjo ndikon negativisht në aftësinë e Kosovës për të avancuar objektivat e saj strategjike, siç janë ripozicionimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, avancimi i aspiratës për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, përfaqësimi i interesave të saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të rëndësishme, si zhvillimi i ekonomisë. Prandaj, e vetmja gjë që mund të them është se partnerët më të rëndësishëm të Kosovës duan të shohin një bashkëbisedues të besueshëm dhe të qëndrueshëm”, tha tutje Hovenier.

Lajme të ngjashme