“Kosova meriton ma mirë”; “garojmë për të fituar”; “kryeministër me rrotacion”: A mund të bashkëpunojë opozita pas zgjedhjeve? - NACIONALE

“Kosova meriton ma mirë”; “garojmë për të fituar”; “kryeministër me rrotacion”: A mund të bashkëpunojë opozita pas zgjedhjeve?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Opozita ende nuk ka një qëndrim të qartë se si do të veprojë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë shprehur preferencat e tyre që institucionet e reja të formohen nga partitë opozitare. Megjithatë, zyrtarët e këtyre partive nuk kanë dhënë ndonjë alternativë se si do të veprojnë.

Deri me tani, vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë një propozim.

Ai ka bërë me dije se pas zgjedhje opozita duhet të formojë qeverinë e re.

Sipas tij, kjo qeveri duhet të udhëhiqet nga një kryeministër me rotacion, ku secila prej tri partive opozitare duhet ta këtë postin kryeministrit në një kohë të caktuar të mandatit.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Haradinaj ka thënë se ky është vetëm një propozim.

Ai është zotuar se nuk do t`i kushtëzojë subjektet opozitare për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve.

Janë do nxitime, nuk i kuptojnë këto procese një pjesë e njerëzve që janë në politikë, e kanë me nxitim. Kujtojnë se veç ajo çka ndodh atë ditë. Ne duhet me gjet mënyra për me bashkëpunuar, në një mënyrë a një tjetër. Unë e kam dhënë një ide, nuk kom insistuar në atë, asnjë kusht nuk e qes”, është shprehur ai.

I pari i AAK-së ka vlerësuar se opozita duhet t`i formojë institucionet e reja.

Nuk kam kushte për një qeveri opozitare, kam dhënë opsione që mos me u blloku, mos me thanë PDK ‘veç na’’, ose LDK-ja ‘veç na’, ose AAK-ja. Të gjejmë një zgjidhje, a rrotacionin, a të gjejmë një formulë, por opozita i bën institucionet”, ka thënë Haradianj.

Kandidati i AAK-së për kryeministër ka folur edhe për të dy kolegët e tij opozitarë, të cilët pretendojnë postin e kryeministrit në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka vlerësuar lartë Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Të dytë janë njerëz të mirë, me vlera të mira, me njohje profesionale të mirë”, ka thënë Haradinaj.

PDK-ja dhe LDK-ja nuk e përkrahin propozimin e Haradinajt

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë thënë “jo” propozimit të lideri të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që pas zgjedhjeve opozita të pajtohet që qeveria e re të udhëhiqet me rrotacion.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë bërë me dije se garojnë për t`i fituar zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se propozimi i të parit të AAK-së nuk vije në shprehje.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kjo pati nuk e ka diskutuar dhe nuk e diskon këtë opsion.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Mustafa ka deklaruar se LDK-ja ka për synim fitoren në zgjedhjet e shkurtit.

Nuk është diskutuar dhe nuk diskutohet ky opsion. LDK-ja garon me i fitu zgjedhjet, pastaj varësisht nga rezultati ulemi dhe flasim për koalicione të mundshme. Por, rrotacione e këto as nuk konsiderohen”, ka thënë Mustafa.

Më i ashpër me propozimin e Haradianjt ka qenë deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.

Ai ka bërë me dije se koha kur partitë e vogla e shihnin karrigen e Kryeministrit si dhuratë me rrotacion ka përfunduar.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për eksperimente politike dhe premtime boshe.

Në profilin e tij në “Facebook”, Lushtaku ka shkruar se tani është koha që Bedri Hamza ta udhëheq Kosovën.

Koha kur partitë e vogla e shihnin karrigen e Kryeministrit si dhuratë me rrotacion ka përfunduar. Kosova nuk ka nevojë për eksperimente politike dhe premtime boshe. Është koha për një udhëheqje që sjell stabilitet dhe zhvillim të vërtetë ekonomik, për arsim cilësor dhe sistem shëndetësor që vendos qytetarin në qendër. Me Bedri Hamzën, ndryshimi i vërtetë është i mundur. Ai nuk premton kot, por punon për një Kosovë të drejtë dhe të fortë. Kosova meriton ma mirë!”, ka shkruar Lushtaku.

Lajme të ngjashme