“Kosova ka garanci enorme të sigurisë”: Si ia bëri ShBA-ja bajat Vuçiqit? - NACIONALE

“Kosova ka garanci enorme të sigurisë”: Si ia bëri ShBA-ja bajat Vuçiqit?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërcënoi Kosovën, duke deklaruar se Serbia do ta presë “çastin më të mirë të mundshëm dhe për të luftuar për mundësinë tonë”. Kjo deklaratë në Kosovë u pa si kërcënues, ndërsa kryeministri Albin Kurti shfaqi një video, ku shiheshin disa ushtarë të Serbisë, të cilët patrullonin në afërsi të kufirit me Kosovën.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish ofruan sigurinë e palëkundur për Kosovën, duke dërguar një mesazh të qartë për Serbinë e Vuçiqin. Madje, James O’Brien, ndihmës i sekretarit amerikan, e nxori një vijë të kuqe në lidhje me përdorimin e forcës kundër Kosovës.

“Po punojmë me qeveritë për të gjetur zgjidhje. Vuçiqi e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Çështja është se të dyja palët duhet të punojnë. E kemi bërë të qartë që individët që morën pjesë në sulmin e shtatorit (në Banjskë) duhet të dalin para drejtësisë dhe kjo do të bëhet”, u shpreh dje O’Brien gjatë një konference në përkujtim të 25-vjetorit të fillimit të sulmeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Në të njëjtën linjë të qartësisë me O’Brien, ishte edhe Jeff Hovenier, ambasadori i ShBA-së në Kosovë. Në një konferencë për medie në Prishtinë, Hovenier sqaroi se ShBA-ja është në Kosovë në përgjigje të çfarëdo kërcënimi. Madje, sipas Hovenierit, “kjo është çështje e kryer”, ndërsa Kosova ka “garanci enorme të sigurisë”.

“Lidhur me pyetjen për kërcënimet, mund ta them vetëm këtë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë këtu në përgjigje të çfarëdo kërcënimi dhe kjo është çështje e kryer.

Kosova ka përfitimet nga prania e madhe e NATO-së këtu, një rast tejet unik në rajon dhe kështu ka një garanci enorme të sigurisë, përfshirë edhe shumë ushtarë amerikanë në kuadër të NATO-së për të siguruar një mjedis të lirë dhe të sigurtë dhe përballë çfarëdo sulmi që njerëzit kanë frikë.

Ne nuk po e humim gjumin gjatë NATO-së për këto kërcënime sepse besojmë që NATO është mjaftueshëm e përgatitur dhe besojmë se edhe populli i Kosovës duhet të fle rehat sepse aleanca më e suksesshme ushtarakë në histori, është e pranishme këtu”, tha Hovenier.

Çka tha Vuçiqi?

Në përvjetorin e trazirave të marsit 2004, Vuçiqi akuzoi Perëndimin se është duke synuar “poshtërimin e Serbisë”. Tutje, ai shtoi se Perëndimi dëshiron ta çojë përpara Kosovën, të preferuaren e saj.

“Nuk ka problem, i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t'i ndihmoni ata? Do të mbijetojmë…Por, jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të zgjuar dhe të guximshëm, dhe kemi mësuar mjaft, kemi fituar përvojë të mjaftueshme pas gjithë asaj çfarë na keni bërë në 25 vjetët e shkuara, për ta pritur çastin më të mirë të mundshëm dhe për të luftuar për mundësinë tonë. Këtë nuk kemi përse ta fshehim nga askush” – tha disa ditë më parë Vuçiqi gjatë një manifestimi në Beograd.

Pas deklaratave nga ShBA-ja, Vuçiqi e ka ndryshuar deklaratën, duke sqaruar se Serbia nuk do të hyjë në luftë.

“Serbia nuk do të futet në luftë, do ta presë momentin për veprimin e saj politik”, tha Vuçiq për televizionin serb Prva të premten.

Lajme të ngjashme