“Kosova e përjetshme, qeveritë të përkohshme”; “Ministër sharlatan”: Liburn Aliu “gozhdohet” për deklaratën skandaloze
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk beson në Republikën e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar mbrëmë duke thënë se shteti i Kosovës është projekt i përkohshëm.
Kjo ka habitur gjithë opinionin. Deklarata e tij është vlerësuar si skandaloze nga opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend.
Ata kanë bërë me dije se kjo shpërfaq qëndrimin e partisë në pushtet ndaj shtetit të Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se qeveritë janë të përkohshme, kurse Kosova është e përjetshme.
Duke iu përgjigjur ministrit Liburn Aliu, i cili nuk beson se Kosova është projekt i përjetshëm, ajo ka thënë se nuk mund ta duash Shqipërinë duke e urryer Kosovën.
“Nuk mundesh me e dashtë Shqipërinë duke e urrejtë Kosovën. Qeveritë janë të përkohshme. Kosova është e përjetshme.”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Edhe anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Kosova është e përjetshme.
“Kosova shtet i përkohshëm?! Kështu po thotë sonte MINistri Liburn Aliu, nga partia që se njeh Kosovën shtet! Nga PARTIA (VV), që nuk ka guxim të intonojë himnin e Kosovës në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të partisë! Këta janë ministrat dhe partia që guxojnë veq paratë edhe privilegjet me ia marr këtij ‘shtetit të përkohshëm’. Kosova është e përjetshme! Qeveria e VV-së e përkohshme!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Më i ashpër ndaj ministri Aliu është treguar analisti Imer Mushkolaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Aliu është një politikan sharlatan, i cili nuk i beson shtetit të Kosovës.
“Qe një politikan sharlatan, i cili nuk i beson shtetit të cilit do të duhej t'i shërbente. Nëse ky nuk i beson shtetit të vet, qysh me i besu qytetarët këtij dhe të tjerëve si ky, që kanë me e kry ndonjë punë t'hajrit, që e çojnë këtë vend përpara. Një dështak e demagog i gërditshëm”, ka shkruar Mushkolaj.
Ndërsa, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se të përkohshëm janë vetëm politikanët.
“Të përkohshme, janë vetëm pushtetet dhe politikanët!”, ka shkruar Kryeziu.
Çka tha Aliu?
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, beson se Republika e Kosovës nuk është projekt i përjetshëm.
Në emisionin “ZANAT” në T7, ai ka thënë se shteti i Kosovës është projekt i përkohshëm.
Sipas tij, Republika e Kosovës në të ardhmen do ta marrë një rrugë.
“Unë mendoj që Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, ka thënë Aliu.
Lëvizja Vetëvendosje edhe më herët është kritikuar për qëndrimet ndaj shtetit të Kosovës. Një nga kritikat për të ka qenë se nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Kjo për faktin se sa ishte në opozitë kjo parti nuk i respektohen simbolet e Kosovës.
Fyhej me fjalët me të rënda flamuri i Kosovës e deputetët e saj nuk ngriheshin në këmbë kur intonohej himni.
Edhe pas ardhjes në pushtet, në selit të kësaj parti nuk ka simbole të Kosovës. Në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lart të kësaj parti, intonohet vetëm himni kombëtar dhe jo ai i Republikës së Kosovës.

