Koreja Veriore thotë se gati 800 mijë qytetarë janë paraqitur vullnetarë për të luftuar kundër ShBA-së - NACIONALE

Koreja Veriore thotë se gati 800 mijë qytetarë janë paraqitur vullnetarë për të luftuar kundër ShBA-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore ka pretenduar se rreth 800 mijë qytetarë të saj janë paraqitur vullnetarë për t’u anëtarësuar ose rianëtarësuar në ushtri për të luftuar kundër Shteteve të Bashkuara, sipas një raportimi të një gazete shtetërore.

Rreth 800 mijë studentë e punëtorë, vetëm të premten, në mbarë vendin e shprehën dëshirën për t’u anëtarësuar ose rianëtarësuar në ushtri për t’u ballafaquar me Shtetet e Bashkuara, raportoi gazeta “Rodong Sinmun”, përcjell agjencia “Reuters”.

Ky pretendim u bë pas hedhjes së raketës balistike ndërkontinentale, “Hwasong-17”, nga Koreja Veriore të enjten si kundërpërgjigje ndaj ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes Koresë Jugore e Shteteve të Bashkuara.

Koreja Veriore hodhi një raketa balistike në detin mes Gadishullit Korean dhe Japonisë të enjten, disa orë para se presidenti i Koresë Jugore udhëtoi për në Japoni për të marrë pjesë në një samit ku do të diskutohet për mënyrat e ballafaqimit me Korenë Veriore, shtet që ka armë bërthamore.

Raketat balistike të Koresë Veriore janë të ndaluara me rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe hedhja e kësaj rakete u dënua nga Shtetet e Bashkuara, Japonia e Koreja Jugore.

Forcat e ShBA-së dhe të Koresë Jugore filluan të hënën ushtrime të përbashkëta ushtarake, të cilat do të zhvillohen për 11 ditë. Niveli i këtyre ushtrimeve është më i larti që nga viti 2017.

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong-un, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë Jugore se i kanë ngritur tensionet me këto ushtrime ushtarake.

Lajme të ngjashme