Kontradikta e madhe: Si u zgjodh guvernator në BQK njeriu që në konkursin e parë “nuk i plotësoi kriteret” - NACIONALE

Kontradikta e madhe: Si u zgjodh guvernator në BQK njeriu që në konkursin e parë “nuk i plotësoi kriteret”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ahmet Ismaili edhe zyrtarisht u zgjodh guvernator i ri i Bankës Qendrore të Kosovës në seancën e të enjtes në Kuvend. Megjithatë, Ismaili nuk ishte vlerësuar si i denjë për këtë pozitë vetëm pak muaj më herët. Konkursi i parë për guvernator ishte anuluar me arsyetimin se kandidatë nuk i plotësojnë kushtet. Nacionale sjell detaje nga ky proces me shumë dilema për ndërhyrje.

Ahmet Ismaili në konkursin e parë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishte në mesin e katër emrave që u dërguan në Kuvendin e Kosovës. Veç tij në këtë listë bënin pjesë edhe Lulzim Ismajli, Shkëndije Himaj e Nexhat Kryeziu.

Megjithatë, pas shumë përpasjeve në Komisionin për Buxhet e Financa, ishte marrë vendim që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të njoftohet se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet. Kështu kishte thënë me zë e me figurë kryetari i komisionit për Buxhet e Financa, Armend Muja.

"Bazuar në nenin 110, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk përmbushin kushtet sipas ligjit, Komisioni kërkon nga kryetari e Kuvendit ta njoftojë komisionin propozues për mos përmbushjen e kushteve", kishte deklaruar kryetari i Komisionit, Armend Muja. Kjo deklaratë është publike edhe në faqen zyrtare të Kuvendit.

Kundër këtij propozimi kishin qenë deputetët Eman Rrahmani e Duda Balje. Pra, pa shkuar emrat fare në Kuvendin e Kosovës, BQK-ja më pas e kishte shpallur konkursin e ri për guvernator.

Sërish edhe në konkursin e dytë në Kuvend u dërguan dy emrat e njëjtë që u dërguan herën e parë. Megjithatë, për dallim nga hera e parë, për Komisionin për Buxhet nuk pati asnjë problem. Emrat e Ahmet Ismailit e Lulzim Ismajlit u dërguan për votim në Kuvendin e Kosovës.

Me shumicë absolute të votave pas votimit të fshehtë në Kuvend, deputetët e zgjodhën Ahmet Ismailin për guvernator të BQK-së. Njeriun që po i njëjti Kuvend e kishte vlerësuar se nuk i plotëson kushtet ligjore vetëm pak javë më përpara.

Jozyrtarisht në media është raportuar se anulimi i konkursit të parë dhe përzgjedhja e njeriut të njëjtë që “nuk i plotëson kushtet” sipas Komisionit për Buxhet, kishte ardhur me qëllim të eleminimit të kandidatëve që ishin vlerësuar më shumë nga britanikët.

Proces me shumë dyshime

I gjithë procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës ishte përcjellur me shumë dyshime. Fillimisht, komisioni përzgjedhës në konkursin e parë kishte pasur disa dallime me vlerësimin e britanikëve. Më pas, edhe pse kandidatët Shkëndije Himaj e Fehmi Mehmeti kishin vlerësim identik, emri i Mehmetit nuk u dërgua në Kuvend, duke pasur shkelje të barazisë para ligjit.

Pasi konkursi i parë u anulua, nga monitorimi i gjithë këtij procesi u tërhoqën edhe britanikët. Kështu kishin bërë të ditur nga ambasada e Britanisë në një përgjigje për Nacionalen.

“Ne kemi qenë të angazhuar në procesin e parë rekrutues për Guvernator të Bankës Qendrore. Ky proces ka dhënë kandidat profesionist, të aftë për të udhëhequr me pozitën. Sidoqoftë asnjëri nga kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanik zbatues të projektit nuk është emëruar”, thuhet fillimisht në përgjigjen e ambasadës së Britanisë për Nacionalen.

“Është politikë e jona që mos të angazhohemi në procese të ri-shpallura të cilat përkundër që japin kandidatë të emërueshëm, nuk emërohen vetëm sepse ata kandidatë nuk i pëlqejnë dikujt në vendimmarrje. Por ne nuk kemi qenë të përfshirë në monitorimin e procesit për Guvernator të Bankës Qendrore.”, përfundon përgjigja.

Dyshime për procesin kishin shprehur edhe organizatat e shoqërisë civile.

Kush është Ahmet Ismaili?

Ahmet (Vehbi) Ismaili u lind në Podujevë, ku e ka kryer edhe shkollën fillore dhe te mesme.

Studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, në Drejtimin Banka dhe Financa, me ç’rast për rezultatin e lartë të studimeve mori edhe çmimin ‘Student i Dalluar’ nga Universiteti i Prishtinës.

Është doktor i shkencave ekonomike, në drejtimin Banka dhe Financa, po në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Ismaili kishte qenë drejtor i Thesarit të Shtetit kur nga aty u vodhën rreth 2 milionë euro. VV-ja që aso kohe ishte në opozitë, kishte pasur shumë kritika për skandal duke kërkuar dorëheqjen e të gjithë personave të përfshirë.

“Ky është krimi më i madh që i ka ndodhur shteti, as vjedhja në dhomën e dëshmive nuk ka qenë kaq e madhe. Këtu kanë dështuar shumë persona. Ministri, auditori, sekretari i përgjithëshm dhe kryeministri”, reagonte asobote Mefail Bajqinovci, si një nga më të zëshmit ndaj kësaj ndodhie.

Ahmet Ismaili asokohe kishte reaguar për vjedhjen e 2 milionë eurove përmes një reagimi dërguar RTK-së ku vjedhjen e asaj shume të madhe parash e kishte quajtur “veprim krejtësisht invidual”.

Lajme të ngjashme