Konterashat e Albin Kurtit
Kryeministër, lëri djemtë rehat e mos i përdor politikisht, lërna edhe neve rehat. Ju nuk keni bërë asgjë më shumë se, të themi unë, për suksesin e djemve që në triko mbajnë flamuj të Kosovës. Në fakt s’keni bërë asgjë pos prishjes së gjumit, andaj edhe nuk ju takon juve t’i okuponi meritat e talentit të tyre.
More apo s’more vesh në Counter-Strike, nëse dje në ora 18:00 ke qenë në redaksinë e Nacionales, ke ndie emocion e ke bërtitur si i çmendur kur ‘juanflatro’ i ‘vrau’ tre brazilianë për ta çuar ekipin e vet në nivel legjendar, ani pse pak metra tutje, drejtori pati mysafirë të ftuar në një mbledhje serioze.
“BRAVOOOOOOOOOOOOOOO”, ushtonte zyra, me duartrokitjet që pësuan pastaj.
Kampionët e kampionëve të panjohur nga shoqëria jonë, por shumë të njohur brenda komunitetit të ‘konterashave’ garojnë mes vete për të fituar miliona dollarë në një ‘sport’ digjital.
Në mesin e këtyre 16 ekipeve, e kemi edhe një ekip shqiptar që në triko mbajnë flamuj të Kosovës [jo të gjithë], të cilëve Kurti po u kushton vëmendje nga koha e tij e çmuar që po e shpenzon në SHBA.
Suksesi i djemve nuk ka asnjë lidhje me Albin Kurtin – fansin “më të madh” të Bad News Eagles. Kryeministri u ka ndihmuar djemve aq sa unë, duke ia bërë nga një argat në stream. [Bile unë e kam përcjellë krejt, jo vetëm për një foto].
Para se Kurti ta takonte juanflatron – lojtarin më karizmatik të BNE-së – ky i fundit veçse ia kishte krisur disa të shara kryeministrit me arsyetimin se s’po bën gjë, ama ia ka hangër votën.
Kryeministër, lëri djemtë rehat, lërna edhe neve rehat. Ju nuk keni bërë asgjë më shumë se, të themi unë, për suksesin e atyre djemve. Andaj edhe nuk ju takon t’i okuponi meritat e talentit të tyre.
Albin Kurti nuk merr vesh në video-lojërat Counter-Strike [ndoshta meqë kanë të bëjë me luftën], edhe pse jam i bindur që paraqitet sikur edhe aty është njëfarë eksperti i llojit të vet, duke e theksuar P-në në çdo fjalë që nis me ‘p’.
“Fillimisht e çelim A-në me ‘molotov’, gjuhet një ‘fllesh’ mbi muri Për rënien e domosdoshme në birucë, Pastaj lëshohet ‘smoku’ Për ngritjen e mëvonshme, në fund e monton C4-shin - që është një lloj eksplozivi plastik, që përdor RDX si indikacion shpërthyes - Për ta fituar lojën.”
S’ka lidhje, Kurti merr vesh në populizëm dhe kaq i duhet që suksesin e këtyre djemve ta përdorë për të kapur ndonjë votë, duke e prishur gjumin në tre të natës për ta shkrepur një fotografi kinse po e përcjell ‘luftën’ e djemve.
Ia kujtojmë Kurtit se këta djem nuk kanë as organizatë sikur 15 ekipet e tjera që fitojnë rrastë. Kjo z. Kryeministër vjen si rezultat i ekonomisë së dobët për të cilën fajtorë jeni ju dhe ata që ishin para jush.
Problemin s’e kam veç me Kurtin, por edhe me shoqërinë që përtojnë të mendojnë. Kur dëgjoj persona që e nënvlerësojnë këtë ngjarje, më kujtohet vëllai i gjyshit tim.
Mehmet Gërguri – që ne familja i themi bali Met – pasi kishte kryer studimet në Angli, më 1963, erdhi në shtëpi ku në valixhe pati edhe një palë këpucë të çuditshme.
Dihej se ishin qepur për të mos rrëshqitur, por pse? Për të mos rrëshqitur maleve kur pren dru? Apo në ndonjë punë tjetër në fushë? Po, në fushë, por jo fushën ku lëvrohej me traktor.
Më vonë u kuptua se ato këpucë ishin këpucë futbolli me të cilat luante bali Met në Angli, e pastaj edhe në Kosovë. Ama loja shahej pak a shumë sikur Counter-Strike që shahet sot nga Halil Matoshi.
Topi portretizohej si koka e pejgamberit, andaj s’duhej goditur. Ama shoqëria evoluon, deshi apo s’deshi autori i mitit ku krahason topin e futbollit me kokën e profetit Muhamed.
Sot, sporti më i popullarizuar në botë është futbolli, ku lojtarët shiten e blihen në vlera qindra milionëshe, por edhe paguhen ngjashëm. Shumë prej tifozëve kjo u duket absurde.
Edhe më absurde është kur ta mendosh se në kohën kur bali Met gjatë viteve të gjashtëdhjeta luante futboll si student në Angli, shumica absolute e futbollistëve këtë sport e luanin si hobi, apo punë sekondare.
Një lojtar mesatar paguhej 15£ në javë, apo 283£ në vlerën e sotme. Ndërkohë që paga mesatare është 600£ në javë.
“Dembele i Barcelonës s’vlen 100 milionë euro”, e kam dëgjuar shpesh.
Këta konterasha profesionistë që sot s’kanë organizatë, në të ardhmen mund të paguhen sikur futbollistët tash.
“juanflatrihno s’vlen 100 milionë euro”, e paramendoj duke thënë dikë në vitin 2060. Derisa tash me frikë i kujtoj fjalët e presidentit të Real Madridit ku thotë “Futbolli po vdes”.