Konsullatat e Kosovës paguajnë banesa me qira pa i shfrytëzuar – dallavere me fonde në Ministrinë e Jashtme - NACIONALE

Konsullatat e Kosovës paguajnë banesa me qira pa i shfrytëzuar – dallavere me fonde në Ministrinë e Jashtme

1 vit më parë

nga Besian Beha

Konsullatat e Kosovës paguajnë banesa me qera pa i shfrytëzuar – dallavere me fonde në Ministrinë e Jashtme

Zv/konsulli i Kosovës në Strasburg e kishte përfunduar mandatin në dhjetor të vitit 2020. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Konsullatën kosovare në këtë qytet që ta vazhdojë pagesën e banesës me qira që e përdorte zv/konsulli, edhe për disa muaj të tjerë. Madje, nga buxheti i shtetit u paguan mbi 7 mijë euro për banesën që nuk e shfrytëzoi askush.

Kështu të paktën ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e publikuar për vitin 2021, në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës, raporton gazeta Nacionale.

“Konsullata në Strasburg kishte paguar qiranë deri në muajin maj 2021 për banesën e cila kishte qenë në shfrytëzim të ish zëvendës konsullit i cili e kishte përfunduar mandatin në dhjetor 2020. Vlera e këtyre pagesave ishte 7,569€ (shpenzimet e qirasë ishin 6,241€ dhe shpenzimet e kaucionit 1,328€). Kërkesa për ndërprerjen e kontratës së qirasë ishte bërë në muajin prill 2021”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Probleme me pagesat e banesave me qera pati edhe në Ambasadën e Kosovës në Francë, ku nuk u morën parasysh çmimet e Entit.

“Me vendim të gjykatës në Francë, Ambasada e Kosovës në muajin shkurt 2021 kishte bërë pagesën e qirasë në vlerë 13,507€, për banesë të ish konsullit në Paris. Ambasada nuk kishte kryer pagesën e qirasë në plotëni si dhe nuk kishte marrë parasyshë ndryshimin e çmimit sipas Entit të Statistikave që bënë rivlerësimin e çmimit. Për shkak të vonesave në pagesën e obligimeve vlera prej 2,998€ ishte diferenca e qirasë që ishte vlerësuar nga Enti i Statistikave, shpenzimet gjyqësore dhe penalet”, thuhet më tutje në raportin e Auditorit.

“Sipas zyrtareve të MDK-së, pagesa e qirasë në Strasburg ishte bërë për ruajtjen e saj për të emëruarit e rinj, megjithatë askush nga diplomatët e rinj nuk kishte pranuar të akomodohej në këtë banesë, ndërsa sa i përket pagesës për banesën në Paris arsyeja ka qenë se pagesat ishin bërë vetëm për qiranë bazë, edhe pse në bazë të e-mailave të shkëmbyera nga ish konsulli drejtuar MPJD shihet se ishin bërë përpjekje të vazhdueshme për pagesë, mirëpo nuk ishte paguar kjo diferencë ku në fillim shuma e borxhit ishte më e vogël mirëpo për shkak të vonesave ishin aplikuar edhe penalet”, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit.

Me mijëra euro Auditori ka gjetur se ka pasur tejkalim nga limitet bankare, në Misionet Diplomatike e Konsullore. Kjo, duke mos i transferuar mjetet në Fondin e Konsoliduar të Kosovës.

“Sipas Thesarit tejkalimet ishin si në vijim: Konsullta-Shtutgart në janar kishte tejkalim për 114,938€, kurse në qershor për 189,254€, Konsullta-Mynhen në janar kishte tejkalim për 79,918€, kurse në qershor për 190,906€, Konsullta - Dyseldorf në janar kishte tejkalim për 180,060€, kurse në qershor për 116,765€, dhe Konsullta-Gjenevë në janar kishte tejkalim për 67,246€ kurse në qershor për 111,413€”, ka gjetur Auditori.

Diplomatët tejkalojnë shpenzimet – shkak, drekat zyrtare

Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur se në disa raste, ka pasur shpenzime që nuk janë aprovuar. Në një rast në Berlin, shpenzimet ishin shtuar për shkak të drekave, e blerjes së mobiljeve. Të gjitha këto, pa aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm.

“MDK në Berlin, kishte raportuar shpenzimet për periudhën qershor deri në gusht, 2021 në vlerë 141,932€. Pas analizimit të tyre nga zyrtarët shpenzues në MPJD ishte identifikuar dhe raportuar në nivelet menaxheriale se shpenzimet prej 37,866€ nuk ishin në përputhje me Urdhëresën e lartëcekur. Tejkalimet kishin të bënin me shpenzimet e drekave[1], përderisa blerja e mobiljeve dhe blerjet tjera që kërkonin aprovim ishin bërë pa aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm. Po ashtu, MDK në Berlin në muajin gusht kishte bërë pagesë për biletë të udhëtimit në vlerë prej 285€ për një person nga shoqata ekonomike gjermano-kosovare. Për këtë shpenzim nuk kishte aprovim nga sekretari”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Jashtme.

“Ministrja e MPJD-së më datë 21 maj 2021 kishte nxjerr vendimin për lirim nga detyra të shefit të misionit në Berlin, pas marrjes së dekretit nga Presidentja. Në bazë të vendimit shefi i misionit duhej të kthehej në Kosovë me 30 gusht 2021. Pas këtij vendimi ishin bërë këto tejkalime të shpenzimeve dhe nuk ishin marrë aprovime paraprake siç kërkohet”, theksohet më tutje në raport.

Ministria e Jashtme kishte lidhur kontratë marketing paligjshëm, me një portal, duke shkelur rregullat e prokurimit.

“MPJD me qëllim të informimit të opinionit publik dhe reklamimit të institucionit kishte lidhur marrëveshje për shërbime me një operator ekonomik (media-portal) pa zhvilluar ndonjë procedurë të prokurimit. Marrëveshja ishte nënshkruar në afat prej pesë muaj (nga data 20.01.2021 deri më 19.06.2021), dhe për këtë marrëveshje ishin kryer pagesa në vlerë prej 5,000€. Këto blerje nuk bëjnë pjesë te shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim”, thekson raporti i auditorit.

Të gjithë këto probleme sipas Auditorit, kanë ardhur si pasojë e keqmenaxhimit në Ministrinë që e udhëheqë Donika Gërvalla.

Lajme të ngjashme