Konkursi në Ibër-Lepenc ku u punësua asamblisti i VV-së: Ankesa nga kandidatët, dyshime për shkelje të mëdha ligjore - NACIONALE

Konkursi në Ibër-Lepenc ku u punësua asamblisti i VV-së: Ankesa nga kandidatët, dyshime për shkelje të mëdha ligjore

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Nacionale javën e kaluar publikoi hulumtimin që dëshmonte me mesazhe të siguruara në Kuvendin e Kosovës, si realizohen konkurset nëpër ndërmarrje publike.

Në mesazhe, një asamblist i VV-së në Malishevë, Veton Zogaj, i shkruante deputetit Gani Krasniqi, që të interesohet te Faruk Mujka, kryeshefi i Ibër-Lepencit, për ta punësuar në këtë ndërmarrje.

Megjithatë, duket se konkursi ka pasur edhe shkelje të tjera ligjore të cilat janë evidentuar nga kandidatët. Disa prej tyre kanë dërguar ankesa, duke numëruar shkeljet ligjore që nga shpallja e konkursit.

Nacionale ka siguruar disa prej fakteve që kanë renditur kandidatët në ankesat e tyre. E para, del të jetë se konkursi në Ibër-Lepenc për pozitën e Shefit të Shërbimeve për Burime Njerëzore ku u punësua dhëndri i Adnan Rrustemit, ka qenë kundërligjor.

“Pra e gjithë procedura rekrutuese jo vetëm për pozitën e Shefit i Shërbimit të Burimeve Njerëzore por edhe pozitat e tjera të shpallura me konkursin e njëjtë kanë zhvilluar procedurat rekrutuese duke u bazuar në një udhëzim administrativ që veçse ishte i shfuqizuar më 12.03.2023 dhe i njëjti nuk ka asnjë efekt juridik. E kjo bërë që konkursi të jetë i kundërligjshëm, e rrjedhimisht edhe vendimi i marr nga komisioni përzgjedhës për pozitën në fjalë është i kundërligjshëm. I njëjti konkurs duhet të anulohet dhe të shpallet përsëri duke u bazuar në udhëzimin administrative që është në fuqi”, thuhet në njërën prej pikave ku kandidatët janë ankuar për këtë konkurs.

Arsye tjetër që është përmendur si parregullësi, është fakti që pyetjet me shumicë kanë qenë të hapura.

“Në testimin me shkrim të gjitha pyetjet ishin në formë të eseve e kjo është në kundërshtim me udhëzimin administrativ 07/2017 neni 10, pika 3 e cila përcakton ‘Komisioni përzgjedhës në përpilimin e testit mund të parashohë edhe pytje në formë të esesë, nëse e konsideron të nevojshme…’. Pra duke u bazuar te kjo pikë, komisioni duhet të gjithsesi të parashtroj pyetje me alternativa në testin me shkrim, ndërsa pyetjet me ese munden të parashtrohet por jo të jenë të gjitha”, thuhet në një tjetër ankesë.

Kandidatët kanë evidentuar edhe gabimet amatoreske të komisionit në numërimin e pikëve.

“Vlerësimi i komisionit përzgjedhës sa i përket testim me shkrim ka qenë i padrejtë. Kjo është vërtetuar me rastin e shikimit të testim tim, ku tek një pyetje më janë shtuar 3 pikë kështu duke marr maksimumin për atë pyetje. Kjo më është mundësuar vetëm pasi që na unë kam bërë kërkesë që të më mundësohet qasje në test. Pas kësaj kërkese kemi pranuar Emaili duke na treguar se na lejohet qasja në teste për 3 ditë. Ndryshim të pikëve të vlerësimit të testit me shkrim ka pasur edhe te një kandidate tjetër, ku edhe asaj u janë shtuar disa pikë. E kjo gjë na bën të besoj se vlerësimi nuk ka qenë korrekt, i drejtë, i paanshëm dhe meritor në bazë të përgjigjeve të kandidatëve”, thuhet në ankesën e siguruar nga Nacionale.

Kandidatët kanë bërë të ditur se disa pyetje kanë qenë të njëjta në test me gojë dhe me shkrim. Madje, ata thonë që pavarësisht se janë përgjigjur njëjtë në dy raste, vlerësimi ka qenë i ndryshëm.

“Gjatë intervistimit me gojë, kandidatëve por edhe mua me janë parashtruar 3 ose 4 pyetje të njëjta siç i kemi pasur në testimin me shkrim dhe për të njëjtat pyetje ne kemi marr vlerësimin qysh me fazën e parë(testimit). E kjo e bën të pakuptimtë dhe nuk ka bazë ligjore që në dy stade të ndryshme të kemi pyetje të njëjta dhe për të njëjtat të kemi dy vlerësime të ndryshme, sepse kjo ndikon direkt në rezultatin final të përzgjedhjes së kandidatit”, thuhet më tutje në njërën prej ankesave.

Kandidatët kanë kërkuar që konkursi të anulohet.

Raportimi i Nacionales

Shpallja e një konkursi për Shef të Shërbimit për Burime Njerëzore në Ibër-Lepenc, kishte mobilizuar figura të larta të Vetëvendosjes për ta rehatuar një militant e asamblist të tyre. Angazhimi kulmoi ditën e sotme kur asamblisti i pushtetit doli më i vlerësuari për t’u punësuar në ndërmarrjen e Faruk Mujkës.

Fjala është për Veton Zogajn, që është asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Malishevës. Për ta siguruar këtë pozitë udhëheqëse në ndërmarrjen ku kryeshef është Faruk Mujka, Zogaj dërgoi intervenimet e para qysh në fillimin e muajit prill.

Kjo dëshmohet në disa biseda të cilat Nacionale i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës. Gazeta ka siguruar edhe vlerësimet e komisionit për këtë pozitë, pasi ato ende nuk janë bërë publike në faqen zyrtare.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u zhvillua më 4 prill, deputeti Gani Krasniqi mori një mesazh në rrjetin social “Whats App” nga kolegu i tij i partisë, Veton Zogaj. Megjithatë, diskutimi nuk ishte rreth partisë, por rreth konkursit të shpallur nga ndërmarrja Ibër-Lepenci.

Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.

Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.

“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.

“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.

Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.

“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.

“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.

Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.

Asamblisti i VV-së, Veton Zogaj, tashmë i përzgjedhur për t’u punësuar në Ibër-Lepenc, ka mohuar t’i ketë shkruar deputetit Krasniqi për këtë punësim. Pavarësisht se atij iu bë me dije se gazeta posedon fotografitë, ai bëri akuza për shpifje.

“Nuk është e vërtetë kjo. Asnjë burim nuk është i vërtetë. Për ato për konkursin në ndërmarrje që po flet mundesh me shku me këqyr krejt procedurat qysh ka shku, me marrë informacione të sakta. Jo, nuk i kam shkruar. Nëse ki foto, publikoj, çfarë komunikimi kam unë me të? Ai është deputet, unë jam prej Malishevës, është koordinator i qendrës, unë jam sekretar. Unë jam asamblist, kam komunikim të rregullt”, tha në fillim Zogaj.

“Nuk është e vërtetë zotëri, janë shpifje të juaja, shko lype konkursin në ndërmarrje publike në fjalë, pyete komisionin. Le të dalin fotografitë, s’ka çka me dalë përveç konkursit në mënyrë të rregullt. Jam në mbledhje edhe a ka mundësi mos mem shqetësu me kësi far temash që i shpikni ju, edhe absolutisht nuk është kurrgjë e vërtetë, është shpifje që bëni ju si medium jo veç këtë rast po edhe 100 raste tjera. Unë kam punuar në media, po nuk bëj qysh bëni ju. Nëse ki foto publiko fakte”, deklaroi më tutje asamblisti i VV-së, Zogaj.

“Për korrektësinë shko në ndërmarrje në fjalë përcilli krejt procedurat merre komisionin vlerësimin, nëse del një shkronjë që ka shkelje unë dha përgjegjësi”, përfundoi përgjigjen e tij Zogaj.

Për këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me deputetin e Vetëvendosjes, Gani Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se i mbështetë personat profesionist. Ai e ka pranuar se nëse dy ekspertë janë të barabartë, atëherë ai i përkrahë njerëzit që iu beson.

“Krejt jetën time në veprimtarinë publike, politike, kombëtare, institucionale, prej kryetarit të komunës edhe përpara. Unë kurrë, edhe iu them kurrë nuk kam shikuar e nuk shikoj as sot, në rend të parë vjen profesionalizmi. Në mesin e profesionalistëve të barabartë, duhet një, dy, natyrisht që me profesionalist dhe me njerëz të besueshëm me projektin tim përpara, projektin qeveritar, projektin tim në çdo agjencion që ka të bëjë me ekspertët. Në mesin e ekspertëve të barabartë, me marrë ekspertin që edhe i besoj”, tha Krasniqi për Nacionalen.

“Çka ka politike aty? Dëgjo, po. Pozicionin e merr si profesionalist, vetëm si profesionalist. Nuk kom fol, dëgjo. I kom thanë ti konkurron se është njeri profesionalist, futu në test, ti kur futesh në test, testohesh, nëse ti ke pikë, ne do të thirremi në të drejtën atëherë interesom, dhe jam për me çu të drejtën përpara. Pahiri nuk është, por është me hiri”, deklaroi deputeti më tutje.

Lajme të ngjashme