Konferenca, mostrat, përjashtimi e ftesa nga Prokurori - Haki Abazi kryefjalë e së enjtes - NACIONALE

Konferenca, mostrat, përjashtimi e ftesa nga Prokurori - Haki Abazi kryefjalë e së enjtes

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Deputeti që i fundit siguroi ulëse nën petkun e VV-së, Haki Abazi, shumë shpejt mund të largohet nga ky grup parlamentar. Të paktën zhvillimet e fundit japin premisa të tilla, ani pse një gjë të tillë e mohoi gjatë ditës së sotme.

Abazi, dje përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", konfirmoi një konferencë për media, që do ta mbante të enjten, por me premtimin se do të flasë për përgjime mes disa prej figurave të VV-së.

Megjithatë, ai nuk i publikoi këto përgjime, duke ftuar mediat që të "vrapojnë" pas tyre. Në fakt, Abazi trazoi opinionin publik, pasi apostrofoi kryeministrin Kurti në çështjen e humbjes së provave të rastit Dehari.

Ai thotë që ka bërë një hulumtim dhe se ka shtruar pyetje e diskutime në lidhje me rastin, çka kishte sjellë edhe anatemimin dhe shkarkimin brenda Vetëvendosjes.

Por, vini re përshkrimin e tij për video-incizimet e këtij rasti tronditës që mund të ketë pasoja të rënda politike:

“Por ne as si shoqëri as si qytetarë individualë nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë, dhe të gjithë duhet ta kryejmë punën që na takon. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave. Dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerr mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostra tjera, dhe janë zhdukur.” - u shpreh ai.

Kush do ta dinte që këto mostra ishin të vendosura nën mostra tjera përveç dikujt që ka njohuri specifike për këtë çështje?

Ja çka tha paraprakisht, z. Abazi në fjalën e tij:

“Video-inçizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mia që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellur tek shkarkimi dhe anatemimi brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari, dhe si është e mundur që në pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje të zhduken mostrat e Astrit Dehari dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Asnjë.”

Përjashtimi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar propozimet e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, duke e shkarkuar deputetin e tyre Haki Abazi nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.

Ky shkarkim erdhi vetëm pak orë pas konferencës për media ku ka akuzuar zyrtarë të lartë të kësaj partie dhe kryeministrin Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ftesa

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka dhënë një përgjigjje për Gazetën Nacionale, për pretendimet e Abazit se duhen të intervistohen kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu për zhdukjen e mostrave në rastin Dehari.

Isufaj ka thënë se kjo do të ndodhë në ditën e ardhshme të punës.

Nëse ka thënë ashtu, ne nëser do ta intervistojmë Kurtin e Haxhiun. Në fakt të hënën, meqenëse nesër nuk është ditë pune, menjëherë në ditën e ardhshme të punës, do t’i i ntervistojmë.” - ka thënë Isufaj.

Isufaj poashtu ka thënë se pas dhënies së deklaratave nga Abazi, ky i fundit do të ftohet nga Prokuroria për Intervistim.

“Nëse ka thanë se ka informata, natyrisht se do ta intervistojmë. Kuzhdo që thotë se ka informacione, ai ka me ardhë më dëshmu,"- tha Isufaj.

Ndërkohë, rasti i zhdukjes së mostrave të Deharit nga frigoriferët e IML-ë, ende po hetohet nga Prokuroria.

"Nuk mundem me komentu asgjë, rasti është nën hetim,”- tha Isufaj për Nacionalen.

Shënim: Kryeprokurori Isufaj e ka ndërruar përgjigjen e tij i kontaktuar sërish nga Nacionale pasi në medie tjera tha se kryeministrin "nuk do ta ftojmë njëherë". Ai u shpreh se "është keqkuptuar" në përgjigjen dhënë redaksisë tonë, megjithëse pyetja e bërë kishte qenë krejtësisht e qartë, ashtu si edhe përgjigja e tij.

"Çele guri gojën"

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.

Ky i fundit, e priti shefin e ekzekutivit për të marrë një opinion të tij rreth deklaratave të Haki Abazit, por që nuk pranoi asnjë mesazh.

Madje, Kurti ishte aq i shpejtë sa dukej në një garë vrapimi.

Lajme të ngjashme