"Komuna imagjinare e Listës Serbe në Drenas" - Politikani nga Uglari që i frikësohet Milan Radoiçiqit
Teksa Mirovica e Veriut ka një javë që po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme nga sulmet kundër institucioneve të Kosovës dhe po ngjallë frikë tek banorët lokal me mjete shpërthyese, në një qytet tjetër ku nuk ka asnjë serb dhe situata është e qetë, Listës Serbe i kanë dalë probleme.
Mund të ju duket qesharake, dhe madje krejt surreale, por Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë pretendon se ka pushtet ne qytetin e Drenasit, në të cilin nuk banon asnjë serb.
Natyrisht nuk ka asnjë ndikim në jetën e asnjë banori në këtë qytezë, por ka shumë ndikim tek njerëzit që emëron si “drejtues të Gllogocit”, sikurse rasti i Nebojsha Garliq (Nebojša Galić) i cili ka qenë “shefi për Gllogoc” sipas Qeverisë së Serbisë.
Lista Serbe është krijuar në vitin 2014 me iniciativën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij, Partia Progresiste që drejton Qeverinë e Serbisë.
Por një vendim i fundit i Qeverisë së Serbisë ka shkarkuar Garliq, nga pozita e anëtarit në institucionin paralel të Serbisë, që quhet “Autoriteti i Përkohshëm i Komunës së Gllogocit”.
Kjo e ka nervozuar Garliq, dhe ka dalë publikisht me akuza ndaj Listës Serbe dhe sidomos nënkryetarit të kësaj partie, njeriut që kërkohet për krime, Milan Radoiçiq (Milan Radoičić).
Gjithë kjo histori qet në pah faktin sesi Qeveria e Serbisë vazhdon të emëroj zyrtarisht dhe të paguaj me para publike mbi 50 njerëz që kanë “pushtet” në 23 komuna në Kosovë. Por le ta sqarojmë fillimisht rasti e Galiq.
Përfaqësues i kujt?
Në intervistën e dhënë për Radio KIM, Nebojsha Galiq ankohet se është shkarkuar me vendim të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq. Por ai akuzon gjatë intervistës nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili sipas pretendimeve të tij “e përcakton fatin serbëve në Kosovë”.
"Kam punuar si anëtar i Autoritetit të Përkohshëm qe 10 vite. Kam punuar si kryetar i komunës një muaj pas vdekjes së Pera Saviqit. Deri në emërimin e Sasha Daniqit kam kryer detyrat e mia. Kam shkuar në komunën e Gllogocit kur kemi pasur mbledhje buxhetore.Si anëtar është dashur të marr pjesë dhe kam marrë pjesë në çdo mbledhje.Ato takime janë mbajtur në Qendrën Koordinuese në Graçanicë. Për fat të keq nuk ka asnjë serb në komunën e Gllogocit”, thotë Garliq, duke ngjallur një pyetje të sikletshme nga Radio KiM.
“Cilat janë kompetencat tuaja dhe të Autoritetit në Gllogoc kur atje nuk ka asnjë serb, kënd përfaqësoni?”, pyet gazetari teksa Garliq jep një përgjigje qesharake.
“Komuna e Gllogocit është virtuale, ka njerëz që kanë ardhur dhe janë punëtorë të përhershëm të komunës së Gllogocit, zyra e tyre është në Qendrën Koordinuese dhe janë raportuar në punë rregullisht. Në Gllogoc kemi shkuar sipas nevojës, dhe kemi qenë në gjendje gatishmërie për çfarëdo ngjarje.Duhej të ishim aty si drejtues”, thotë Garliq.
Por gazetari sërish nuk e kupton. E pyet se cilat kanë qenë disa punë që kanë bërë për komunën kur aty nuk jeton asnjë serb. Garliq sërish bëhet qesharak. Thotë se e kanë prezantuar planin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nëpër vende ku banjonë serbët.
Por shihet se në mendje ka vetëm një person, Milan Radojiçiq, një biznesmen që është në listen e zezë për krim të organizuar të SHBA-së dhe së fundmi të Britanisë së Madhe.
“Milan Radoiçiq e përcakton fatin tonë, të krejt serbëve, nëse do të jemi në Kosovë ose jo. Kryetari i komunës së Gllogocit, Sasha Daniq, është i pafuqishëm, një njeri që i frikësohet hijes së tij”, thotë Galiq gjatë intervistës.
Kush janë kryetarët paralel të komunave në Kosovë?
“Organet e përkohshme komunale në Kosovë” kanë funksionuar në kaudër të Qeverisë së Serbisë për 8 vjet. “Kuvendet e komunave paralele serbe”, në kuadër të sistemit të Serbisë, u shpërndanë në vitin 2013 me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Ato herë janë shpërbërë nga Qeveria e Serbisë e herë janë krijuar sërish. Shpërbërja e tyre ishte edhe pjesë e marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. Megjithatë Serbia nuk e respektoi këtë marrëveshje.
Kështu që gjatë vitit 2021 Serbia mori sërish një vendim që këto “organet e përkohshme” të ri sistemoheshin duke hequr dorë nga zgjedhja e Kryetarëve dhe Kuvendeve përmes zgjedhjeve të banorëve serb, dhe vetëm duke i emëruar direkt nga Qeveria e Serbisë.
Qeveria e Serbisë emëroi 50 drejtues të ri në 23 komuna të Kosovës. Më shumë se 10 prej të emëruarve kishin detyra të dyfishta, dhe sharkimet e emërimet e reja bëhen aq shpesh sa Lista Serbe ka emëruar “3 kryetarë të rinj në Drenas”.
Në mediat lokale sebe sikurse “Kossev” raportohej për paradoksin e “emërimit të përfaqësuesve nëpër komuna ku nuk jeton asnjë serb”. Sikurse rasti i komunës së Drenasit.


