Komiteti i 6 janarit thotë se Trumpit duhet t’i ndalohet rikthimi në post
Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmit të 6 janarit në Kapitolin e ShBA-së, në raportin përfundimtar ka rekomanduar që ish-presidentit amerikan Donald Trump, t’i ndalohet rikthimi në detyrë.
Kujtojmë se, ish-presidenti do të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë dhe shihet si pretendenti kryesor për nominimin e partisë republikane në vitin 2024. Megjithatë, deri më tani kandidatët e mbështetur nga ai kanë treguar një fushatë të dobët në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit, si dhe ka pasur shfaqje të figurave rivale brenda partisë, siç është guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
Në raportin prej 814 faqesh të publikuar nga Komiteti hetues të enjten vonë, demokratët nga komiteti kanë parashtruar disa gjetje që kanë fajësuar direkt “një njeri” për ngjarjet e dhunshme që përfshin selinë legjislative të qeverisë amerikane për disa orë në vitin 2020.
“Shkaku qendror i 6 janarit ishte një njeri, ish-presidenti Donald Trump, të cilin shumë të tjerë e ndoqën”, shkruhej në raportin e publikuar, ku më pas shtohej se, “asnjë nga ngjarjet e 6 janarit nuk do të kishte ndodhur pa të”.
Në detaje të gjera, komiteti po ashtu ka akuzuar ish-presidentin për "një plan shumëpalësh për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020".
Në raport thuhet se, sjellja e Trump në atë ditë, garanton zbatimin e një ndalimi kushtetues që zhvilluesi i pasurive të paluajtshme të Nju Jorkut të mund të mbajë përsëri postin.
Të hënën, komiteti gjithashtu votoi për referimin e Trump në Departamentin e Drejtësisë për të paktën katër akuza penale, duke përfshirë kryengritjen dhe pengimin e një procesi zyrtar të Kongresit.

