“Komandant Çeliku, PDK-ja në opozitë”: Krejt çka tha Kurti mbrëmë në intervistën përkëdhelëse në RTK
Në promon e intervistës, gazetari e quajti veç kryeministër. As në detyrë jo.
E ngjashëm si promoja, shkoi e gjithë intervista e Albin Kurtit në televizionin publik të Kosovës. Aty, ku në krye të tij ka vendosur ish-anëtarin e partisë së tij, donatorin, Rilind Gërvalla.
Kurti foli fjalë miradie për Fatmir Limajn, që dikur partia e tij e quante ‘hajn të asfaltit’. Për PDK-në tha se duhet të qëndrojë në opozitë, e AAK-ja pa Nismën nuk do ta kalonte pragun.
“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku siç njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që duhej të jetë parti simotër me VV-në, i ka tre deputetë në Kuvend, por le të mos harrojmë një gjë tjetër: jo vetëm që u rikthye Fatmir Limaj në Kuvend, por njëkohësisht ia mundësoi AAK-së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të ngelej nën prag. Nisma Socialdemokrate është në Kuvendin e Republikës. Unë kam pasur takime me Limajn. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për bashkëpunim. Mirëpo, ku nuk ka pasur mosmarrëveshje, thjesht për shkak të një insistimi, parakushti, madje as kushti, për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa. Një partie me tre deputetë t’ia japim kryeparlamentarin, kur e kam një parti që është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që VV e ka me Guxo dhe Alternativa. Nuk ishte një gjë e mundur.” – tha ai në RTK.
Kurti kërkoi që të testohet nëse i ka votat për qeveri.
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre ‘me testoni’. Nëse ata besojnë që Albin Kurti si ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më besojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar korumin.” – tha Kurti në RTK.
Kurti tha se do ta presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mos të harrojmë se kemi dy raste në Kushtetuese lidhur me këto zgjedhje. Rasti i parë është ai i votave të manipuluar me postë dhe rast tjetër është ky që u dërgua tash së fundmi nga deputetët opozitarë, e që konsideron se nuk bënë të ndërrohet metoda në kudër të seancës për konstituim”, ka thënë Kurti.
Ai ka mohuar se parti e tij e ka ndryshuar mënyrën e votimit në mes të procesit të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit.
“Me lejoni të theksoj se nuk po ndërrohet metoda në gjysmë të procesit sepse ende nuk ka filluar procesi. Ne e kemi provua me një metodë që është votimi i hapur që nuk ka pasur sukses dhe tash po e provojmë një metodë tjetër. Ndërrimi i metodës është serish kthim në fillim e jo ndryshim në gjysmë të rrugës”, ka thënë Kurti.
“Unë besoj që zgjidhja përpara është të mos ia imponojmë njëri-tjetrit kryetarët. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena Haxhiu nuk kalon përsëri, le ta provojnë votimin e fshehtë Dhe porsa të konstituuohet Kuvendi, si kryeministër në dëtyrë, si kryëtar i VV-së, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re.” – tha në një intervistë për RTK