Kokaina dhe sjelljet e çuditshme të punëtorëve në Leposaviq: Disa luanin me letra e disa ‘Counter Strike’ gjatë orarit të punës - NACIONALE

Kokaina dhe sjelljet e çuditshme të punëtorëve në Leposaviq: Disa luanin me letra e disa ‘Counter Strike’ gjatë orarit të punës

10 muaj më parë

nga Besian Beha

Konsumi i drogës nga zyrtarët serbë komunalë të Lesapoviqit, pamjet e të cilave Nacionale i publikoi gjatë gjithë javës, nuk kalonte pa efekte.

Madje, kjo shkaktonte sjellje të çuditshme tek disa prej punëtorëve. Nga disa pamje të Nacionales, shihen sjelljet e tyre.

Ata kapeshin me njëri-tjetrin, bënin lëvizje të çuditshme, e krejt kjo nëpër zyrat e komunës.

E kur nuk ishin nën ndikimin e narkotikëve, ata zgjedhnin mënyra të tjera për të kaluar kohën e lirë. Dikush luante Counter Strike. Në mesin e tyre duket të jetë edhe djali i zv/ministrit Radoica Radomiroviq, Nikola, që është drejtor për Administratë.

E kur nuk luanin Counter Strike, punëtorët e kalonin kohën duke luajur me letra. Kjo dëshmohet në një tjetër video-incizim.

Kur kishte pak momente relaksi, anëtarët e kabinetit të Lulzim Hetemit në zyrë, bashkë me zv/ministrin Radomiroviq e zyrtarë të tjerë serbë, pinin edhe pak raki.

Sipas udhëzimeve administrative, kalimi i kohës me lojëra të tilla e duke konsumuar alkool, përbën shkelje të vendit të punës. Megjithatë, asnjë masë ndaj tyre deri më tash nuk është planifikuar.

Nacionale gjatë gjithë javës ka publikuar video-incizime lidhur me konsumimin e drogës nga zyrtarë të lartë serbë të komunës së Leposaviqit. Gjithashtu kemi publikuar edhe audio-incizime ku është i përfshirë zv/ministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.

Shteti është vënë në lëvizje, nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq u shkarkua, dhe nisën hetimet për konsumimin e lëndëve narkotike.

Një tjetër polic gjithashtu u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës, pasi ishte në pamje duke konsumuar lëndë narkotike.

U shkarkuan edhe dy punëtorë të tjerë të komunës. Megjithatë, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk ka pranuar të komentojë për Nacionalen rreth këtyre pamjeve.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi nisjen e hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Pas raportimit të Nacionales, nënkryetarja e Leposaviqit, polici dhe të gjithë punëtorët e tjerë të përfshirë që shihen duke konsumuar kokainë, janë përjashtuar, dhe ndaj tyre ka hetime penale.

Lajme të ngjashme