Koalicioni mes BDI-së dhe Aleancës shpall ambicien për 150 mijë vota - NACIONALE

Koalicioni mes BDI-së dhe Aleancës shpall ambicien për 150 mijë vota

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

4 shtator 2025 – Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani ka paralajmëruar se koalicioni i njohur si Aleanca Kombëtare për Integrim do të etablohet si forca e dytë politike në Maqedoninë e Veriut.

Në një konferencë për media, Osmani ka paralajmëruar se ky koalicion do të marrë rreth 150 mijë vota, kurse VLEN-i do të përfundojë si forca e pestë ose e gjashtë.

“Ne presim të marrim rreth 150 mijë vota si AKI, kurse VLEN-i do të ketë rreth 50-60 mijë vota”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi i kësaj aleance është të dalë si forca e dytë në vend për nga numri i votave.

“Ky shtet duhet të funksionojë mbi partneritetin mes dy komuniteteve më të mëdha, shqiptar dhe maqedonas, duke respektuar të drejtat e të gjitha pakicave”, ka shtuar ai.

Sipas tij, këto zgjedhje kanë peshë të veçantë politike dhe do të përcaktojnë marrëdhëniet e reja të forcave mes blloqeve etnike e politike në vend.

Përndryshe siç ka shkruar Nacionale kohë më parë, ‘dueli’ mes Bujar Osmanit dhe Izet Mexhitit për kryeparin e komunës së Çairit do të jetë një nga pjesët më interesante të garës për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut.

Si bashkëpartiakë të dikurshëm, përballja në vjeshtë mes Bujar Osmanit nga BDI dhe Izet Mexhitit nga koalicioni VLEN është pasqyra e një përplasje tejet të ashpër mes dy blloqeve kryesore politike shqiptare në shtetin fqinj.

Edhe sfondi i tyre politik premton një përplasje më të pazakontë se gjetkë: Bujar Osmani ka qenë në qeverinë e kaluar të Dimitar Kovaçevskit ministër i Punëve të Jashtme, kurse Izet Mexhiti në Qeverinë e Mickoskit mban postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me një popullsi tejet të dendur prej 62,586 në një sipërfaqe tejet të vogël prej 3.52 kilometra katrorë, Çairi, në fakt, po i bën vend edhe matjes së atyre që ishin pjesë e së njëjtës parti.

Më 2005, kryetar i komunës qe zgjedhur Izet Mexhiti nga radhët e BDI-së.

Si çerdhe e partisë së Ali Ahmetit, kjo komunë në Shkup kishte mbetur e tillë derisa nga ‘vatha’ e saj u nda një pjesë e figurave lokale të BDI-së dhe në gusht të 2023-s themeluan Lëvizjen Demokratike.

Kësisoj, kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, i cili është në mandatin e dytë në krye të kësaj komune, i qëlloi të kalonte në LD pavarësisht se ishte kandiduar nga radhët e BDI-së.

Nga ajo kohë, qeverisja lokale e Çairit është bërë arenë përplasjesh të forta mes LD-së dhe BDI-së, ku kjo e fundit ka pasur në maje gjuhe shkeljet për sa u përket legalizimit të ndërtimeve, buxhetit publik dhe aferave korruptive. /Nacionale/

Lajme të ngjashme