“Kishte gënjyer për gjithçka”: Largohet nga komitetet e Kongresit, republikani George Santos
Tre anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesëve kanë bërë të ditur për CNN, se në konferencën e GOP të mbajtur me dyer të mbyllura, kongresmeni George Santos ka thënë se ai dëshiron të largohet nga dy komitetet e tij derisa çështjet e tij të zgjidhen.
Kujtojmë se ndër shumë gjëra të tjera, kongresmeni i zgjedhur republikan i Nju Jorkut është duke u përballur me pretendime për mashtrim me diploma universitare, një portofol joekzistent i pasurive të paluajtshme, mashtrim për përvojën e tij profesionale dhe një konfuzion identiteti nëse është hebre ose jo.
Santos i cili është anëtar i Komitetit për Shkencën, Hapësirën dhe Teknologjinë si dhe anëtar i Komitetit për Biznesin e Vogël, është duke u hetuar nga prokurorët federal edhe për financat e tij personale.
Santos është zgjedhur për herë të parë vjeshtën e kaluar, ndërsa, lidhur me largimin e tij, përfaqësuesja republikane Marjorie Taylor Greene e Georgia-s, ka thënë për CNN se ishte vendimi i tij që të “abstenojë” nga komitetet.
“Ai thjesht ndjeu sikur kishte kaq shumë dramë mbi situatën, dhe veçanërisht atë që ne po bëjmë për të punuar për të hequr Ilhan Omar nga Komiteti i Punëve të Jashtme”, - është shprehur ajo për CNN.
Për çfarë dyshohet se ka gënjyer Santos?
Më 19 dhjetor, New York Times ka publikuar një histori duke vënë në pikëpyetje pjesë të mëdha të CV-së së Santos, duke përfshirë arsimimin dhe përvojën e tij të punës.
Që atëherë, media të tjera nuk kanë gjetur asnjë provë se gjyshërit e tij kanë ikur nga antisemitizmi në Evropë ose se ai është hebre, pavarësisht mburrjeve që ai kishte pasur me parë, duke thënë se ishte një "çifut krenar amerikan".
Që nga raportet fillestare, Santos e ka pranuar se e ka “zbukuruar” të kaluarën e tij. Është mësuar se ai kurrë nuk ishte diplomuar nga ndonjë universitet dhe nuk kishte punuar për Goldman Sachs dhe Citigroup. Ndërsa në vend që të kishte një pronë në Nju Jork, siç kishte pretenduar, Santos jetonte me motrën e tij në Long Island.
Kongresmeni gjithashtu ka pranuar se ka “keqinterpretuar” besimin e tij, duke i thënë New York Post se ai ishte katolik dhe pasi ka mësuar se familja nga nëna e tij kishte prejardhje hebreje, ai kishte thënë se është hebre.
