Kritika nga ShBA-ja: A e 'bosnjëzoi' Kurti imazhin e Kosovës?
Raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë në ditët më të mira të tyre. Për herë të parë, Amerika ka shumë kritika ndaj Kosovës, për qasjen e saj ndaj dialogut e sulmet ndaj përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Në intervistën e fundit të Gabriel Eskobarit, emisar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, vërehet një e vërtetë e hidhur: imazhi i Kosovës në Amerikë është “bosnjëzuar”. Pse?
Në intervistën e fundit për “Zërin e Amerikës”, Eskobari në mënyrë të tërthortë i ka ndarë shtetet konstruktive dhe ato me sfida e të kritikueshme. Në pjesën e parë, pra te shtetet konstruktive, hyjnë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa në pjesën e dytë, pra te shtetet që kanë sfida e kritika nga ShBA-ja, janë vetëm dy vende: Kosova dhe Bosnja.
“Bosnjëzimi” i imazhit të Kosovës
Eskobari e kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovës karshi dialogut, duke shtuar se dialogu nuk ka alternativë.
“Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo” dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë” – deklaroi z. Eskobar.
Tutje, ai e kërkoi dënimin e kritikave në sferën shoqërore ndaj Miroslav Lajçakut, për të cilin tha se nuk do të largohet nga dialogu.
“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut, që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. U kërkova presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme” – tha ai.
Përveç Kosovës, Eskobari kishte kritika edhe ndaj Bosnjës, për të cilën tha se ka sfida të mëdha.
“Siç e dini, Bosnja ka disa sfida shumë të mëdha. Mendoj se sfida më e madhe tani është se Dodiku po i sfidon bazat e stabilitetit dhe sigurisë të Bosnjës e Hercegovinës për mbi 25 vjet – që është pra Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, si dhe të gjitha strukturat brenda saj, përfshirë paqeruajtjen dhe përfaqësuesin e lartë. Pra kjo është realisht sfida më e madhe për Bosnjën e Hercegovinën në këto momente”– tha Eskobari.
Grupi i shteteve konstruktive
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi morën lëvdata publike nga Eskobarit. Përfaqësuesi i ShBA-së e cilësoi qasjen e Shqipërisë si të shkëlqyer.
“Shqipëria ka qenë e shkëlqyer në përqasjen për vendin që e ka në Këshillin e Sigurimit, si dhe në rrugë dypalëshe dhe në kuadrin e NATO-s”– theksoi Eskobari.
Emisari amerikan e falënderoi Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij, po “provon vazhdimisht” se është partner shumë i mirë.
“E falenderoj Maqedoninë e Veriut për rolin e arsyeshëm udhëheqës dhe rolin udhëheqës evropian, si kryesuese e OSBE-së. Mendoj se ajo që Maqedonia e Veriut e provon vazhdimisht është se janë një partner shumë i mirë. Dhe në këtë drejtim, do të donim ta shihnim pjesë të Bashkimit Evropian si një partner shumë i mirë edhe aty” – theksoi Eskobari.
Amerikani pati lëvdata të mëdha edhe për Malin e Zi dhe për presidentin e ri malezias, Jakov Milatoviq.
“Me Malin e Zi, patëm disa takime shumë të mira me presidentin e ri. E siguruam atë se është një partner i mirëpritur dhe i rëndësishëm i komunitetit transatlantik dhe i bëmë thirrje ta inkurajojë krijimin e një qeverie ku marrin pjesë vetëm palë të përqëndruara tek Evropa dhe të përkushtuara ndaj NATO-s. Dhe ai tha se do të veprojë kështu. Pra, ne jemi të kënaqur që e mori këtë mesazh të rëndësishëm dhe që ai do të ndërmarrë veprime për këtë” – tha Eskobari në intervistën për “Zërin e Amerikës”.
Serbia
Në një grup të veçantë, të dalluar dhe e vetme, mund të thuhet se është Serbia. Shteti serb nuk është as krejtësisht konstruktiv, por as krejtësisht në grupin e shteteve që kanë kritika të ashpra nga ShBA-ja. Në intervistën e tij, Eskobari pati dy kërkesa për Serbinë - mosdestabilizimin e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve -, por njëkohësisht “shpresoi” që do ta takonte Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë.
“Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës” – deklaroi Eskobari.
Pasi e quajti konstruktive, Eskobari ia kërkoi Serbisë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Do të doja ta them që ne mendojmë se Serbia duhet të vendosë sanksione. Nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të vepruar kështu dhe është qartësisht një vend që mund ta drejtojë vetë politikën e tij të jashtme, por nuk është në të mirë të imazhit të Serbisë që të qëndrojë në periferi të familjes evropiane. Pra kjo është ajo që e kemi thënë vazhdimisht dhe do ta përsëris” – shtoi Escobar.


