KGjK paralajmëroi konferencë për medie, reagon Ministria e Drejtësisë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë ditës së sotme reagoi ndaj deklaratave të Kurtit si dhe paralajmëroi konferencë për media gjatë ditës së nesërme.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me qëllim të informimit drejtë të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit, përfshirë edhe qëndrimet e Këshillit lidhur me deklaratat e Kryeministrit dhe Ministres së Drejtesisë për punën e sistemit gjyqësor, me datën 5 shtator 2022, me fillim nga ora 10:30 organizon Konferencë për Media në ndërtesën e Këshillit Gjyqësor, rruga "Luan Haradinaj", Prishtinë", thuhej në këtë njoftim.
Zhvillimet e fundit kanë të bëjnë me dorëheqjet e fundit në polici.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë, para pak çastesh reagoi duke thënë përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pasqyron rekomandimet e opinioneve të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian, kurse reforma e fundit e Këshillit Prokurorial bazohet në Opinionin e Komisionit të Venecias.
Më poshtë edhe postimi i plotë:
Republika e Kosovës respekton standardet ndërkombëtare mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
Përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pasqyron rekomandimet e opinioneve të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian, kurse reforma e fundit e Këshillit Prokurorial bazohet në Opinionin e Komisionit të Venecias.
Njësoj kemi bërë edhe me vettingun.
Nismat tona janë të bazuara në idenë për drejtësi dhe barazi, kurse reforma bazohet në Kushtetutë e ligj.
Të këtillë e duam edhe gjyqësorin – të pavarur në aksion, e me veprim të bazuar në ligj.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor dhe këto i ndan me publikun e gjerë.
Veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun.
Sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër.
Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial?
Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpiejnë te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve.
Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika.
Mos reagim i këtillë përkon me qëndrimet e fuqishme të dy Këshillave që një veprim i këtillë të mos parashihej në Strategjinë për Sundim të Ligjit.
Qasja në statistika nuk kërcënon pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia reflektohet në vendimmarrje, jo në numër final të gjeneruar nga vetë prokuroritë dhe gjykatat.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve. Për këtë qëndrojmë të hapur ndaj bashkëpunimit ndër institucional por, assesi nuk do heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies.

