KFOR-i pas sulmit të mbrëmshëm në veri: Janë planifikuar takime mes të gjitha palëve - NACIONALE

KFOR-i pas sulmit të mbrëmshëm në veri: Janë planifikuar takime mes të gjitha palëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

KFOR-i ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle të tyre, mbrëmjen e së dielës. Pas kësaj, siç bëhet e ditur, “janë planifikuar takime mes të gjitha palëve”.

Përmes një komunikate për media, misioni i KFOR-it ka konfirmuar se në incidentin e mbrëmshëm, nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale.

“…ne po punojmë për zbardhjen e të gjitha fakteve.” – thuhet në komunikatë.

Takime mes të gjitha palëve

KFOR-i në njoftimin e bërë, ka dhënë informacione se është planifikuar takim mes të gjitha palëve, por pa treguar më shumë detaje.

“Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë ata që janë të përfshirë të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.” – u tha mes tjerash.

Tutje, KFOR-i thotë se pret nga të gjithë akterët që të përmbahen nga veprime provokuese dhe të gjendet një zgjidhje për sigurinë e komuniteteve.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.” – shkruan në njoftim.

Në fund, thuhet se misioni i KFOR-it është në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë të përfshirë në proces, derisa ritheksohet, se është shtuar prania dhe patrullimet gjatë muajve të fundit.

“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut.” – shkruan në fund.

Situata në veri

Sipas raportimeve, mëngjesin e së hënës ka qenë një situatë më e qetë, derisa vendosja e barrikadave ka hyrë në ditën e 17-ë.

Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për pjesëmarrjes në sulmet pranë zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në fillim të këtij muaji në Mitrovicën e Veriut.

Ky i fundit, aktualisht po mbahet në pikën kufitare në Jarinje, derisa nuk dihet nëse do të transferohet diku tjetër.

SHBA dhe BE, ndërkaq kanë kërkuar që të largohen barrikadat menjëherë dhe palët të ulën për dialog.

Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar një medium i afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Pink.rs, raportoi se QUINT-i i ka dhënë ultimatum atij që t’i largojë barrikadat brenda 24 orëve, megjithatë, nuk ka pasur diçka të konfirmuar zyrtarisht.

Sipas mediumit në fjalë, kjo kërkesë e ambasadorëve të QUINT-it ka detyruar presidentin serb që të thërras takim me kryeministren dhe gjeneralin e ushtrisë, me këtë të fundit që ka deklaruar se është nisur për në Rashkë.

Pas gjuajtjeve me armë në veri, reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se “bandat kriminale” sulmuan KFOR-in.

“Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t'i mohojnë të gjitha sulmet”, ka shkruar ministri.

Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur...

Posted by Xhelal Sveçla on Sunday, December 25, 2022

Lajme të ngjashme