Sulme ndaj Policisë, EULEX-it, tash edhe KFOR-it: 17 ditë nga vendosja e barrikadave në veri - NACIONALE

Sulme ndaj Policisë, EULEX-it, tash edhe KFOR-it: 17 ditë nga vendosja e barrikadave në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mes sulmeve e shtënave me armë zjarri, sot janë bërë 17 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit. Pas sulmit ndaj misionit të EULEX-it, të shtëna pati edhe në afërsi të patrullës së KFOR-it. Çka po ndodh në veri?

Veriu i vendit po vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e vendosje së barrikadave nga serbët lokal të përkrahur nga struktuarat kriminale. Këto barrikada i kanë bërë 17 ditë prej që janë vendosur dhe nuk dihet se kur do të largohen.

Përveç vendosjes së barrikadave, në drejtim të Policisë së Kosovës e EULEX-it janë konfirmuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Ndërkaq, mbrëmë është konfirmuar se të shtëna ka pasur edhe në afërsi të patrullës së KFOR-it në Zubin Potok.

KFOR konfirmoi rastin e të shtënave me armë zjarri.

Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe, duke thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkëmbim zjarri ndaj asnjë grupi dhe nuk ka qenë e përfshirë në çfarëdo shkëmbimi.

Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, ka thënë Kelani për Nacionalen.

Edhe pse u konfirmua nga KFOR-i, kryetari i Listës Serbë, Goran Rakiq, vazhdon të thotë se nuk kishte sulm ndaj KFOR-it

Informatat tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. “Serbët në veri respektojnë anëtarët e KFOR-it, të cilët janë atje në përputhje me Rezolutën 1244”, ka thënë Rakiq për TV Pink.

Reagime e institucioneve të Kosovës

Menjëherë pas këtyre lajmeve, reagoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se këto janë lojëra të Vuçiqit dhe “instrumente kriminale” të tij.

Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t'i mohojnë të gjitha sulmet”, ka shkruar ministri.

Ndërsa, shefi i kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, Blerim Vela në rrjetin social "Twitter" ka thënë se këto media, puro pro-regjimit të Vuçiqit, po tentojnë nxitje tensionesh.

"Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në ndonjë skenë krimi. Strukturat ilegale dhe kriminale serbe po gjuajnë me armë", ka thënë ndër tjerash Vela.

Kujtojmë se barrikadat u vendosen për shkak të arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Pantiq i është caktuar masa e paraburgimit për shkak se dyshohet për “vepra terroriste”.

Ndërkaq si kush për largimin e barrikadave, udhëheqësit e serbëve po kërkojnë të lirohet ish-polici Pantiq.

SHBA dhe BE kanë kërkuar që të largohen barrikadat menjëherë dhe palët të ulën për dialog.

Deri më tani nuk është dhënë një datë se kur do të mund të largohen barrikadat, por ajo që dihet është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të presin edhe gjatë për largimin e tyre.

Lajme të ngjashme