Policia mohoi raportimet e mediave serbe, kurse KFOR-i konfirmoi të shtënat: ç'ngjau në Zubin Potok?
KFOR-i ka konfirmuar të shtënat me armë zjarri në Zubin Potok. Në një përgjigje dhënë Koha.net, nga ky mision kanë thënë se brenda pak çasteve do t'i publikojnë të dhënat shtesë, teksa bëhet e ditur se nuk ka të lënduar e as dëme materiale.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t'ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe, duke thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkëmbim zjarri ndaj asnjë grupi dhe nuk ka qenë e përfshirë në çfarëdo shkëmbimi.
“Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, ka thënë Kelani për Nacionalen.
Presidenca
Pas këtyre raportimeve, pra rreth shkëmbimeve të zjarrit në Zubin Potok, ka reaguar shefi i kabinetit të Presidentes Osmani, Blerim Vela.
Vela, përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter" ka thënë se këto media, puro pro-regjimit të Vuçiqit, po tentojnë nxitje tensionesh.
Sipas tij, të gjitha këto janë raportime false, që për synim kanë destabilizimin.
"Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në ndonjë skenë krimi. Strukturat ilegale dhe kriminale serbe po gjuajnë me armë", tha ndër tjerash Vela.
🚨 #Serbia’s pro-regime media are in overdrive to instigate armed confrontation in #Kosovo, falsely reporting that skirmishes are taking place near Zubin Potok.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) December 25, 2022
Kosovo Police is not involved in any skirmishes. Serbia’s illegal and criminal structures are firing weapons. pic.twitter.com/hyWtCM9iny
Ç'ndodhi?
Mediat serbe, Kurir dhe Novosti kanë publikuar një video, ku sipas tyre kishte të shtëna në Zubin Potok.
Ata për burim kishin një faqe lokale që supozohet të shpërndajë informacione mbi komunën e Zubin Potokut.
16
Të dielën e 25 dhjetorit u regjistrua dita e 16 prejse u vendosën barrikadat serbe në disa lokacione në veri të vendit, barrikada këto që "detyruan" autoritetet t'i mbyllin dy pikat kufitare, ato në Jarinjë e Bërnjakë.
Shumëçka ka ndodhur për këto pak më tepër se dy javë, ani pse ajo kryesorja mungon: largimi i barrikadave. Institucionet kosovare janë në pritje të KFOR-it për t'i hequr të njëjtat, duke lëshuar më pas edhe "ultimatume" për misionin paqeruajtës, kjo nga disa deputetë të pushtetit.
Në anën tjetër, një pjesë e vogël e ndërkombëtarëve kanë bërë thirrje që të njëjtat të hiqen me dialog, për dallim prej shumicës absolute, që u kanë bërë thirrje atyre që i vendosën, t'i largojnë sa më shpejt, sepse kështu vuajnë banorët e asaj zone.
Jo vetëm kaq, ambasadori gjerman Jorn Rohde ka hedhur kritika edhe ndaj Beogradit zyrtar, ndërsa ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të fillojë edhe dialogun me serbët lokalë, për integrimin e këtyre të fundit, sepse sipas tij, vetëm në atë mënyrë "distancohen" serbët e Kosovës nga strukturat e dirigjuara.
