“Kërcimet” e pushtetit në Ujman: Ministra e deputetë të VV-së u bënë tok për pak garues, s’mungojnë vetëlavdërimet - NACIONALE

“Kërcimet” e pushtetit në Ujman: Ministra e deputetë të VV-së u bënë tok për pak garues, s’mungojnë vetëlavdërimet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Liqeni i Ujmanit tashmë është një distenacion politikisht i shfrytëzuar nga ana e pushtetit. Në patrullime te ky liqen aritifical i Kosovës është parë edhe vetë Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme. Por dje rrethina e liqenit të Ujmanit ishte e mbushur më plot me ministra të Qeverisë Kurti, deputetë të VV-së e aktivistë të partive në pushtet. Sidoqoftë, mungoi kryeministri Albin Kurti, pasi është në një vizitë në Francë.

Dy zëvendëskryeministra, katër ministra e disa deputetë u panë në afërsi të Ujmanit, nga ku shikuan disa kërcime në ujë. Besnik Bislimi, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari, Fitore Pacolli, Artan Abrashi, Luan Aliu, Erden Atiq e të tjerë, u panë në fotografi të ndryshme.

E gjithë kjo u mbajtë në nderim të ditës së Policisë së Kosovës. Ndonëse gara ka përfunduar që 24 orë, “kërcimet” e pushtetit mbi temën e liqenit të Ujmanit nuk kanë marrë fund ende. Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Kosovës, foli sot për garën e djeshme, duke theksuar se “gara e kërcimtarëve profesionistë u bë simbol i vendosmërisë së popullit tonë”.

“Të qëndrosh këtu dhe të shijosh bukurinë e liqenit, emocionet e qytetarëve të shumtë të pranishëm, dhe qëndresën e njerëzve tanë në veri, është një ndjenjë që të bën të besosh në fuqinë e pakrahasueshme të vendosmërisë sonë, qytetarëve tanë që nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të palëkundur në besimin se Kosova është një dhe e pandarë, e të gjithë qytetarëve të saj, pa asnjë dallim.

Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar dhe shembull i respektit dhe tolerancës ndaj komuniteteve pakicë” – ka shkruar Gërvalla, ndër të tjera.

Fotografi nga Ujmani publikoi edhe deptueti i VV-së, Artan Abrashi. Natyrisht, në kolazhin e fotografive ishte edhe një fotografi me dy pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

“Sot në Liqenin e Ujmanit, në aktivitetet e shënuara për nder të përvjetorit të rënies në detyrë të Enver Zymberit. Lavdi!” – shkroi dje Abrashi në profilin e tij në Facebook.

Të njëjtat foto, sigurisht me pak ndryshime, i shpërndau edhe deputetja tjetër e pushtetit, Fitore Pacolli.

Shpërthimi afër Ujmanit

Përveç “shpërthimit” të vizitave të pushtetit në Ujman, në atë pjesë të Kosovës kishte edhe një shpërthim të vërtetë, pra jo simbolik. Sjellim ndër mend që bash fundjavën e kaluar, më saktësisht të dielën, në veri u dëgjua një shpërthim. Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga Policia e Kosovës, kishte vetëm dëme materiale.

“Ka një shpërthim, pasi të kalohet tuneli i 5-të në anën e majtë, ka pas dëme materiale në dy vetura, të lënduar nuk ka, rrethanat se si ka ardhë deri të shpërthimi nuk dihen, policia është duke u marrë me rastin” – kishte deklaruar Elshani.

Në një prononcim tjetër për Nacionalen, Elashani kishte treguar se është bastisur një shtëpi, si dhe një person është identifikuar për hedhjen e mjetit shpërthyes.

“Policia e Kosovës pas hetimeve intensive ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për hedhjen e eksplozivit ndaj veturave të qytetarëve shqiptarë në Liqenin e Ujmanit. Në vazhden e hetimeve në lidhje me rastin shpërthimit të sotëm në afërsi të Ujmanit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut. Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifiku një person i cili për neve është me interes për intervistim.” – ka thënë ai.

Për këtë temë kishte shkruar edhe vetë Kurti.

Lajme të ngjashme