Kenia u shpall luftë zogjve kulea që po i hanë të mbjellat, pritet të mbysë miliona - NACIONALE

Kenia u shpall luftë zogjve kulea që po i hanë të mbjellat, pritet të mbysë miliona

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një nismë e qeverisë keniane për të mbytur deri në gjashtë milionë zogj të llojit kulea, të cilët kanë pushtuar zona të gjera, do të ketë pasoja të paqëllimshme për grabitçarët dhe speciet e tjera, kanë paralajmëruar ekspertët.

Thatësira e vazhdueshme në Bririn e Afrikës e ka zvogëluar sasinë e një lloji specifik të barit, farat e të cilit janë burim kryesor i ushqimit për këta zogj, duke shkaktuar vërshim të fushave të drithit nga ta. 800 hektarë të mbjellë me oriz janë të rrezikuar. Rreth 120 hektarë të fushave me oriz janë shkatërruar nga këta zogj.

Një zog i këtij lloji mund të hajë deri në 10 gramë drithë në ditë, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë. Fermerët në pjesën perëndimore të Kenias pritet të humbin deri në 60 tonë drithë për shkak të këtyre zogjve. Më 2021, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë vlerësoi se humbja e drithit për shkak të këtyre zogjve arrinte në vlerën e 50 milionë dollarëve në vit.

Shpërndarja e pesticidit fention ka qenë metodë e zgjedhur për luftimin e dëmtuesve në Afrikë, por hulumtuesit e kanë përshkruar këtë lëndë si “helmuese për njerëz dhe për organizma të tjerë që nuk janë cak i sulmit”.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin e drejtojnë së bashku konventën e Roterdamit, qëllimi i së cilës është pakësimi i rreziqeve nga substancat kimike në bujqësi. Këto dy institucione e kanë shqyrtuar mundësinë që fentionin ta fusin në listën e Shtojcës III të traktatit, ku ndodhen lëndët kimike industriale e pesticidet që ndalohen ose që kufizohen shumë për shkak të arsyeve mjedisore e shëndetësore.

Përhapja masive e zogjve të llojit kulea ndodh në shumë shtete afrikane. Para gjashtë muajve, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë ia dhuroi Tanzanisë 500 mijë dollarë për t’i përkrahur shpërndarjen e pesticideve, vëzhgimin dhe ndërtimin e kapaciteteve, pasi rreth 21 milionë zogj të tillë pushtuan fusha të orizit, melekuqes, melit e grurit.

Lajme të ngjashme