Katër viktima të dhunës në familje i rrëfyen Nacionales historitë e tyre, çka na mësojnë ato?
Javën që po e lëmë pas, Nacionale publikoi 4 podcasts, biseda me 4 gra viktima të dhunës në familje, që gjendeshin në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë në fund të muajit mars, koha kur ekipi jonë e vizitoi këtë shtëpi. Nacionale bisedoi me to duke i pyetur për ato gjëra që askush nuk i ka pyetur: cila ka qenë jeta e tyre para se të martohen, para se t'i nënshtrohen dhunës psikike dhe fizike? Ato kanë rrëfyer për fëmijërinë e tyre, adoleshencën, për planet e ëndrrat e tyre të çiknisë, duke na mësuar se martesa për shumicën e vajzave në Kosovë është një instrument përmes së cilit lejohet dhuna ndaj tyre dhe se si mendësia patriarkale e bën gruan gjithmonë viktimë të dhunës. Por le të nxjerrim 4 mësime kryesore nga këto rrëfime:
Nuk është olbigim martesa - nuk je rob i askujt
Nga bisedat që kemi bërë me gratë, kuptuam se shumica e atyre që përjetonin dhunë ishin të martuara me rregullat e Kanunit ose traditës shqiptare, ku baba vendos për çikën se ku të martohet, e me kë të martohet. Mbi të gjitha, tradita që duhet martuar gjithsesi sepse “ky është qëllimi krysor”, nuk qëndron. Por edhe nëse je martuar, mos qëndro në martese për shkak se je tashmë e martuar. Martesa sikurse lidhet, ashtu edhe mund të prishet.
Mos duro hatri fëmijëve, raportoje dhunën qysh në fillim
Shumë gra, dhunën ndaj tyre e kanë duruar me vite të tëra. Kur pyeten përse, përgjigjja është gati e njëjtë: hatri fëmijëve. Përdorimi i fëmijëve nga ana e dhunuesve është si formë ose mjet për të mbajtur viktimën brenda shtëpisë dhe kësisoj duke i mbajtur ato larg stacionit të policisë, raportimit.
Mos u kthe te shtëpia që je dhunuar, nuk ka shans të dytë
Kthimi te shtëpia e dhunuesit ose shtëpia e dhunuesve është një praktikë e zakonshme, për fat të keq, për shumë gra që janë viktima të dhunës në familje. Mungesa e pavarësisë financiare, mungesa e trashëgimisë te familja dhe mungesa e përkrhajes së shtetit, bëjnë që shumë gra, viktima të dhunës në familje të kthehen sërish te shtëpitë e tyre. Gjithashtu ideja që “t’ia japin edhe një shansë se mos ndoshta ndryshon dhunuesi”, nuk qëndron. Në asnjë rrëfim.
Mundesh me ia dalë vetë, s’ke nevojë për burrin
Kur gratë, viktima të dhunës në familje, ia dalin që ta ndalin dhunën ndaj tyre dhe të ikin nga shtëpia ku janë dhunuar, ato përballen me një realitet të ri, aspak të njohur e mikëpritës për to. Përtej Shtëpive të Sigurta, ku janë të sigurta, jashtë tyre jeta nuk është aspak e lehtë. Duhet gjetur punë, duhet mbajtur fëmijët, duhet një vend për të jetuar, diçka për të ngrënë, dhe krejt këto janë një punë e zorshme. Por rrëfimi i kësaj gruaje na bën të kuptojmë se është e mundur. Shumë e mundur: