Katër kryetarë komunash në gjah për investime milionëshe, por milionerët lëshuan sallën
"Kemi me honger si ta qitsh qat tokë në shfrytëzim", i tha një biznesmen kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të cilin e ndaloi në korridorin e një hoteli drejt sallës ku mbahej ngjarje e mbushur me biznesmenë shqiptarë në diasporë. Fjalen e kishte për planin e Komunës së Prishtinës për të dhënë tokë në shfrytëzim për biznese apo investitorë. Rama shpërthen në të qeshura me qasjen e biznesmenit, por nuk e komentoi. Si në siklet tenton të ikë shpejt e shpejt nga llafi me të.
I qaset të tjerë biznesmenëve dhe gradualisht arrin të hyjë në sallë për të zënë vend. Por, as aty nuk e lënë vetë. Bizneset duket se kanë shumë pyetje për kryetarin Rama, por ata duhet të presin që të përfundojë ceremonia hyrëse, pastaj prezantimin e katër kryetarëve të komunave dhe më pas të bëjnë pyetje.
Kur gazeta Nacionale e pyeti biznesmenin për “foren” me Përparim Ramën, ai qesh, dhe gjithashtu nuk pranon të identifikohet.
Ceremonia hyrëse e Forumit të Bizneseve të Diasporës, nis dhe mbaron me disa fjalime të mërzitshme burokratësh, për t’i lënë radhë panelit me katër kryetarët e komunave. Pos Ramës, në këtë panel morën pjesë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Të katërtit kanë kohën e tyre për të bërë një prezantim fillestar, por moderatorja e panelit, Leonora Çerreti, nga Organizata GERMIN, detyrohet që t’ia ndalë fjalimet prezantuese gati secilit kryetar.
Ata kishin ardhur të përgatitur me materiale promovuese për qytetet e tyre, dhe secili mundohej ta paraqiste qytetin e tij si më të mirin për të investuar. I pari i kryeqytetit prezanton disa fotografi e video që janë qysh prej kohës së fushatës dhe flet më shumë për disa hapësira nëpër qytet ku mund të investohet. Ndërsa homologu i tij nga Prizreni, Shaqir Totaj, tenton t’i bëjë diss Ramës, duke e nisur prezantimin e tij me fjalinë e famshme: Prizreni, qytet i kulturës. Më pas bëhet më praktik.
“Përparësia e Prizrenit është qasja e lehtë në autostradë, dhe afërsia me detin, më saktësisht Portin e Durrësit”, thotë Totaj.
Vazhdon me të tjera projekte sikurse ajo për partneritet privato-publik për ngrohtoren e qytetit, menaxhimit të mbeturinave dhe një projekt kontravers në Prizren, ndërtimin e teleferikut dhe një kompleksi turistik në Kalanë e Prizrenit.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, duke mos pasur diçka të gatshme që t’u ofrojë investitorëve, ka vetëm premtime.
“Do ta bëjmë shumë shpejt Zonën Ekonomike”, thotë ai, pasi potencon faktin se mbi 30% e banorëve në Gjilan jetojnë në diasporë. “Pra mundësia për të investuar është e madhe”, shton Hyseni.
Pas disa minutash, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, e shfrytëzon këtë deklarim të Hysenit, për t’u mburrur me qeverisjen e tij.
“Ne tashmë kemi Zonë Ekonomike në të cilën punojnë 2 mijë punëtorë. Edhe dy Zona të tjera janë duke u bërë gati. Gjithashtu në Suharekë për dallim prej qyteteve tjera, nuk ka asnjë ndërtesë pa leje”, thotë Muharremaj.
Por përderisa kryetarët e komunave po shtyheshin mes vete, shumë biznesmenë filluan ta lëshojnë sallën. Kur kryetarët përfunduan prezantimet, salla ishte gjysmë e zbrazur. Gazeta Nacionale pyeti disa prej tyre nëse po e lëshonin sallën, sepse nuk u dukej interesant ajo çka prezantonin kryetarët, dhe shumica e tyre qeshin me këtë pyetje. Por kur flasin, japin arsye tjetër, pse po dilnin nga salla.
“Është shumë nxehtë për besë, edhe pak bajat”, thotë një nga ta që nuk deshi të identifikohet.
Por, një tjetër investitor ndërkombëtar, pranon të flasë me emër e mbiemër. Patrick Landrock, drejtor i kompanisë “kitzVenture” nga Austria, shumë i famshëm për epitetin e milionerit të vetbërë përmes valutës digjitale kripto, e lëshoi gjithashtu sallën bashkë me dhjetëra të tjerë. Kur Nacionale e pyeti për arsyen e lëshimit të sallës teksa kryetarët e komunave po prezantonin mundësitë për investime, ai qeshi.
Me një edukatë, jep një arsye, që nuk ishte arsyeja e vërtetë.
“Po them edhe unë që arsyeja ishte nxehtësia, dhe kam një orë ulur”, thotë Landrock. Kur u pyet nëse ka ndonjë plan konkret për të investuar në Kosovë, ose në ndonjërën prej komunave, ai thotë se ende nuk e ka idenë për Kosovën, aq shumë sa të investojë.
“Unë e njoh Kosovën përmes disa lajmeve të mëhershme dhe tash përmes disa miqve që i kam nga Kosova”, thotë Landrock, teksa vazhdon drejt sallës ku kishte pije dhe ushqim dhe dhjetëra të tjerë biznesmenë.
Kryetarët përplasen për parti
Brenda sallës, kryetarët vazhdonin të flisnin për “kushtet e tyre të mira investuese”, por deri këtu, rivaliteti i kryetarëve të komunave nuk ishte aq i “tensionuar”.
Situata u nxeh kur fjala iu dha biznesmenëve. Pyetje nuk bëri asnjëri biznesmen i huaj. Janë biznesmenët shqiptarë të diasporës që kanë pyetje. Por jo për projektet e reja. Ata kanë halle të tjera, të vjetra. Një biznesmen pyeti kryetarin e Prishtinës për procesin e legalizimit të, siç tha ai, “10 mijë banesave”, një tjetër e pyeti të parin e Prizrenit për probleme të shpronësimit, ndërsa për kryetarin e Suharekës ishin pyetjet për premtimet e zgjerimit të formave të investimit në turizëm. Për kryetarin e Gjilanit nuk pati askush pyetje, por ai e mori fjalën, kur u sulmua Qeveria e partisë së tij, Vetëvendosje. Krejt kjo ndodhi kur kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, akuzoi Qeverinë për injorim të qytetit të tij.
“Kanë qenë 15 ambasadorë me më vizitu dhe më kanë ofru ndihmë, por asnjë zyrtar i Qeverisë”, tha Totaj që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.
Menjëherë reagoi Alban Hyseni, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai vendosi të sulmojë KEDS-in për të shpërndarë pak adresën e vetme të kritikave nga bizneset për mungesë të ligjit dhe paqëndrueshmërisë me energjisë elektrike.
"Mos harroni që kemi kompani private për rrjetin e shpërndarjes së energjisë. E njëjta vonon nga dy muaj që të na ofrojë një përgjigje”, thotë Hyseni, teksa fjalën e kërkon sërish Totaj për një replikë. Më pas inkuadrohet edhe Rama e Muharremaj, dhe kësisoj paneli i dedikuar për investime u shndërrua në një arenë politike.
Dalëngadalë salla po zbrazej, dhe milionerët nuk po dëgjonin.