‘Kapja’ e institucioneve nuk i mjafton, Qeveria Kurti s`po e ndal presionin as ndaj shërbyesve civil
Qeverisë Kurti nuk i po i mjafton vetëm kapja e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura. Stafi politik i ministrive nuk po e lënë rahat as punonjësit e administratës, të cilat janë të mbrojtur me ligj nga politika.
Shkarkimet dhe presionet ndaj shërbyesve civil në këtë qeveri nuk kanë të ndalur. Vetëm gjatë viti 2022 kanë ndodhur disa raste skandaloze që kabinetet e ministrave kundërligjshëm kanë ndërhyrë në shërbimin civil, duke kërkuar shkarkimin ose largimin e zyrtarëve të caktuar.
Madje, këto ndërhyrjet kanë ndodhur për arsyeje banale dhe politike.
Për rastet që ka raportuar gazeta Nacionale ndërhyrjet janë bërë vetëm pse ata zyrtarë kanë qenë të partive tjetra politike.
Mburojën e vetëm këta zyrtarë po e gjejnë te Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili po i miraton ankesat e tyre, duke i cilësuar pretendimet e qeverisë si kundërligjore.
Këshilltari i ministrit urdhëron shkarkimin e zyrtarit për arsyeje banale
Javën e kaluar gazeta Nacionale ka raportuar për një ndërhyrje eklatante në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Fidan Kalaja, këshilltari i lartë politik i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 1 dhjetor të vitit të kaluar, ka kërkuar nga Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Venera Çerkini, që të shkarkohet Drejtori i Divizionit për Shërbime Logjistike, Naser Korça.
Kalaja kërkesën e kishte bërë në mënyrë zyrtare, duke iu drejtuar me e-mail ministrit Elbert Krasniqi dhe Zëvendëssekretares së Përgjithshme Venera Çerkini.
Në e-mailin që e ka siguruar gazeta Nacionale, Kalaja përmend edhe arsyen e shkarkimit.
Sipas tij, Korça duhet të shkarkohet sepse ka lënë të pres një shofer të ministrisë rreth 30 minuta.
"I nderuar ministër z. Krasniqi, e nderuar zvsekretare zn, Çerkini. Uroj të jeni mirë. Me anë të këtij e-maili kërkojë shkarkimin nga detyra të udhëheqësit të divizionit për shërbime logjistike z. Naser Korça. Vetëm sot, ka lënë shoferin e ministrisë të pret 30 minuat jashtë edhe pse u paralajmëruar rreth 54 minuta më herët. Është jo bashkëpunues dhe nuk respekton kodin etik të punës. Uroj në një përgjigje të pozitive", thuhet në e-mailin e këshilltarit Kajala, të cilin e ka siguruar gazeta.
Sallahu kërkoi auditim veç për zyrtarin me tre vëllezër dëshmorë
Kohë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se edhe në ministri të caktuara ka pasur presione politike ndaj shërbyesve civil. Një nga rastet me ekstreme është Ministria e Drejtësisë.
Në këtë institucion, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kërkuar auditim veç për zyrtar në këtë ministri, i cili ka tre vëllezër dëshmorë.
Por, Elbasan Dervishaj, udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në MD, është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës dhe e ka fituar rastin.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil ka gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu kishte kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm këtë zyrtar.
Vërejtjen si masë disiplinore që ia kishin shqiptuar Elbasan Dervishajt në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Civil e ka rrëzuar si vendim.
“Në kuptim të këtyre dispozitave ligjore konstatoi se udhëheqës i subjektit të sektorit publik në sistemin ministror është Ministri, kështu që bazuar në këtë konstatim si dhe duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Kolegji për shqyrtimin e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë nuk është në autoritetin e zv/ministrit. Këshilli konstaton se kërkesa e datës 31 maj 2022 për auditim të veçantë është bërë përmes tejkalimit të autorizimeve të përcaktuara nën nenin 11 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive”, është thënë në vendimin e KPMSCK-së që e ka parë gazeta Nacionale.
Dhjetëra zyrtarë japin dorëheqje nga Zyra e Kryeministrit
Presioni ndaj shërbyesve civil nuk ka munguar as në Zyrën e Kryeministrit. Madje, për shkak të këtij presioni dhjetëra zyrtarë kanë lëshuar punën.
Vitin e kaluar, kjo zyre ka konfirmuar për gazetën Nacionale se gjatë vitit 2021 dhe 2022 afro 30 zyrtarë kanë dhënë dorëheqja nga Zyra e Kryeministrit.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se nga Zyra e Kryeministrit e kanë përfunduar marrëdhënien në shërbimin civil si në vijim: Në vitin 2022 janë 7 dorëheqje, në vitin 2021 janë 4 dorëheqje. Ndërkaq, në Departamentin për Integrim Evropian, (ish-MIE) në kuadër të ZKM-së, në vitin 2021 kanë dhëne dorëheqje 6 zyrtarë. Në vitin 2022 kanë dhënë dorëheqjen 11 zyrtarë”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për gazetën Nacionale.
Njëri nga të larguarit, në kushte anonimiteti, i kishte thënë gazetës se nuk ka mundur ta durojë presionin, prandaj ka vendosur të lerë punën.
“Me ardhjen e qeverisë së re ka filluar edhe presioni ndaj shërbyesve civil. Presioni është bërë në mënyra të ndryshme, të cilat unë nuk kam mundur me i duru dhe kam vendosur të dorëhiqem”, ka thëne burimi.
Këto veprime Qeverisë Kurti nuk i kanë mjaftuar. Për ta kapur edhe administratën publike, Qeveria tashmë ka miratuar edhe Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili është kritikuar nga opozita dhe Bashkimi Evropian.
Sipas opozitës, ky ligj legjitimon kapjen e administratës dhe është kundër kushtetuese.
PDK-ja dhe LDK-ja këtë ligj e kanë dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.


