Kapen në Fushë Kosovë barna të kontrabanduara me vlerë 150 mijë euro, dyshohen për përfshirje edhe zyrtarë doganorë
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Fushë Kosovë kanë ndalur tre persona të dyshuar që përmes një veturë po bartnin një sasi të madhe të barnave.
Në njoftim thuhet se këto barna dyshohet se ishin futur përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pa kaluar nëpër procedurat e parapara për raste të tilla.
“Për rastin janë njoftuar Inspektorët farmaceutik, të cilët kanë bërë edhe evidentimin me procesverbal të barnave, sasisë dhe llojeve të tyre. Sipas inspektorëve vlera e kësaj sasie të banave është rreth 150 mijë euro.” – thuhet në njoftim.
PK ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar (dy shtetas turq dhe një kosovar).
“Ndaj tyre është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘Kontrabanda me mallra’. Pas intervistimit, tre të dyshuarit me aktvendim nga prokurori janë dërguar në mbajtje.” – thuhet në njoftim.
Pas kësaj, në vazhdën e trajtimit të rastit të mësipërm, hetuesit e NjRHKEK-së, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, kanë intervistuar dy zyrtarë doganorë, të angazhuar me detyrë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorinë e rastit, i cili me aktvendim mbi ndalimin e personit ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tjetrit rasti vazhdohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftim.