“Kam parime”: Ish-presidentët e Shqipërisë për vizitë në Hagë, Fatmir Sejdiu tregon pse s’iu përgjigj ftesës - NACIONALE

“Kam parime”: Ish-presidentët e Shqipërisë për vizitë në Hagë, Fatmir Sejdiu tregon pse s’iu përgjigj ftesës

1 vit më parë

nga Besian Beha

Ish-presidentët e Shqipërisë javën e ardhshme do të shkojnë për vizitë te ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Kjo është bërë me ftesën e Behgjet Pacollit. Megjithatë, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, tha se ish-presidentët e Kosovës “nuk janë përgjigjur”.

Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës, ka thënë për gazetën Nacionale që punët në Gjykatën Speciale duhet të vazhdojnë pa ndërhyrje. Sipas tij, për të akuzuarit në Hagë, ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë.

Sejdiu ka thënë se gjithçka duhet të dokumentohet në procesin gjyqësor.

“Më fal të lutem. Unë çmoj proceset qysh kanë qenë në kuptimin e mosndërhyrjes kurrkush hiç në atë proces të prejudikimit apo hyrjes në kompetenca të gjyqësisë. Atë e kam thënë gjithmonë, dëshiroj të jetë pafajësia e tyre se prezumimi i pafajësisë është parimi themelor në drejtësi. Dhe të dokumentohet ajo punë në kuptimin më të nevojshëm sikur që e shprehin,” - ka thënë Sejdiu për Nacionalen.

Sejdiu ka folur edhe për parimet e veta, pa dashur të komentojë për arsyet konkrete pse e ka refuzuar ftesën nga Pacolli.

Kam parimet e mia, dhe që për mua është e rëndësishme që të mos prezumohet fajësia e kërkujt, por është në kuptimin e dokumentimit secila palë e ka të drejtën e vetë në atë kuptim dhe nuk kam komente të tjera”, theksoi Fatmir Sejdiu për Nacionalen.

Fatmir Sejdiu tha se akuzat nga Gjykata Speciale, janë ngarkesë për Kosovën.

“Nuk është ftesë, shkresa janë ato që janë. Nuk dua t’i komentoj. Qëllimi im ai që kam shpreh gjithëmonë: për Kosovën një akuzë e tillë është ngarkesë, por është prezumimi i pafajësisë, që të dokumentojnë pafajësinë e vet secili prej të akuzuarve”, përfundoi ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Gazeta Nacionale është në pritje të përgjigjes edhe nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ish-krerët e shtetit shqiptar, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Bamir Topi dhe ish kryeministri, Pandeli Majko do të udhëtojnë drejt Hagës me 29 shtator.

Organizimi i Behgjet Pacollit

Shkuarja e ish-presidentëve të Shqipërisë në Hagë, është organizuar nga kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, shkroi në facebook se ish-presidentët e Kosovës nuk janë përgjigjur.

“Me iniciativën e ish presidentit të Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli javën e ardhshme ish-presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, bashkë me z.Pacolli do të vizitojnë liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ftesa u ishte bërë edhe ish-presidentëve të Kosovës, të cilët për arsye të panjohura nuk e kanë konfirmuar vizitën e tyre. Ish presidentja Jahjaga ka injoruar totalisht secilen thirrje telefonike qoftë edhe thirrjen nepërmjet letrës”, ka shkruar Zyberaj në facebook.

Jetlir Zyberaj, nga njerëzit më të afërt të Pacollit, tregoi arsyen e vizitës.

“Qëllimi i kësaj vizite është solidarizimi me krerët e UÇK-së që janë të paraburgosur në Hagë dhe mbështetja e kauzës dhe luftës së drejtë të Kosovës për liri dhe pavarësi kundër Serbisë në vitet e 90-ta. Ka momente kur polarizimi nuk i ndihmon interesit kombëtar të vendit dhe ky është një prej tyre, por uniteti është përgjigja ndaj agresionit të Serbisë kundër historisë, të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës”, përfundoi postimi i Jetlir Zyberajt.

Vizita e tyre në Hagë do të realizohet më 29 shtator.

Më herët vizitë në Gjykatën Speciale ka bërë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atje ka qëndruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Fatmir Sejdiu ka kryer detyrën e presidentit të Kosovës prej vitit 2006 e deri në vitin 2011

Lajme të ngjashme