A merr vendime Gjykata Speciale në emër të popullit të Kosovës? Përgjigjet ish-kryetari i Supremes - NACIONALE

A merr vendime Gjykata Speciale në emër të popullit të Kosovës? Përgjigjet ish-kryetari i Supremes

1 vit më parë

nga Besian Beha

Kur u shpall dënimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, kryegjyqtari në Gjykatën Speciale, përdori frazën “në emër të popullit të Kosovës”. Kjo nxiti jo pak reagime në Kosovë, ku analistë e qytetarë shprehën dilema për përkrahjen e kosovarëve ndaj kësaj gjykate.

Për këtë çështje, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani ka folur për gazetën Nacionale. Ai ka thënë se Gjykata Speciale nuk e ka asnjë atribut të Kosovës.

“Meqenëse këto Dhoma, formalisht konsiderohen si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ku aktgjykimet merren në emër të popullit të Kosovës, është e kuptueshme që edhe pranë këtyre Dhomave e aktgjykimi të merret në emër të popullit edhe pse, asnjë atribut nuk e posedon kjo Dhomë, për ta konsideruar si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Hasani.

“Paraqet një institucion “sui genereis” të sistemit gjyqësor, që nuk ekziston askund në glob. Këto Dhoma, defakto, në çdo dimension janë puro ndërkombëtare”, ka theksuar Fejzuallah Hasani për Nacionalen.

Hasani ka thënë se ka qenë i pritur dënimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

“Unë kam qenë i sigurt se do shpallen fajtorë, por këtë dënim nuk e kam pritur. Dënimi është ligjor që dmth.në kuadër të limiteve ligjore (minimum dhe maksimum) por për legjitimitetin e dënimit, kam dilema e mia edhe pse akoma nuk kemi ndonjë praktikë gjyqësore në raste të tilla, ngase është aktgjykimi i parë, për veprime që konsiderohen të orientuara për ta penguar drejtësinë në Dhomën e Specializuar”

Sipas ish-kryetarit të Supremes, Gjykata Speciale nuk mund të akuzohet për bashkëpunim me institucionet e Serbisë.

“Nuk mund të komprometohen Dhomat, për bashkëpunim me asnjë institucion të ndjekjes e as me ato të Serbisë, ngase Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mandat që të bashkëpunoj me secilin institucion të drejtësisë që ata e vlerësojnë se mund t’i shërbejnë procesit në Hagë,, pastaj janë legjitimuar ligjërisht nga Kuvendi i Kosovës, që me rregulla të brendshme të kolegjiumit të këtyre Dhomave, të përdorin, të marrin në konsideratë, çdo provë, që vlerësohet relevante për procesin, pavarësisht burimin”, ka theksuar Hasani për Nacionalen.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me vonesat e Prokurorisë, në nxjerrjen e dokumenteve në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Megjithatë, duke folur për nisjen e gjykimit, Hasani ka theksuar se procesi duhet të nis në një fazë sa më të arsyeshme për personat që gjenden në paraburgim.

“Edhe për Dhomën e Specializuar, vlejnë standardet nga Konventa “për një gjykim në afat të arsyeshëm”, avokatët, mund ta atakojnë procesin në këtë dimension dhe është Dhoma e Gjykatës Kushtetuese pranë Dhomës së Specializuar, që ka kompetencë, për të dhënë vlerësimin e tyre edhe lidhur me cenimin e standardit për gjykim në afat të arsyeshëm dhe mbajtja eventuale të panevojshme në paraburgim”, ka thënë më tutje Hasani.

Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Hagës po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim, dhe procesi është në fazën e apelimit.

Për rastin e Salih Mustafës, fjala përfundimtare do të jepet në muajin shtator.

Kurse procesi ndaj Thaçit e të tjerëve dhe Pjetër Shalës, është ende në fazën prapaprake.

Lajme të ngjashme