“Kemi fillu me dalë në komunë, veç duhet edhe disa renovime”: Kryetari i Zubin Potokut i përgjigjet Kurtit - NACIONALE

“Kemi fillu me dalë në komunë, veç duhet edhe disa renovime”: Kryetari i Zubin Potokut i përgjigjet Kurtit

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Pas dështimit të largimit të kryetarëve nga komunat veriore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga dy udhëheqësit në Zveçan e Zubin Potok, që të dalin në punë në objektet komunale.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka bërë të ditur për Nacionalen se ata kanë filluar të dalin në objektin e komunës, megjithëse nuk kanë dashur të bëjnë ‘reklamime’.

Sipas Zeqirit, objekti i komunës ka nevojë edhe për disa renovime dhe më pas puna do të vazhdojë normalisht.

“Në zyre veç kemi filluar me i funksionalizu, e dinë edhe kryeministri, janë pak a shumë politike ato (deklaratat e tij). Ia kena fillu me shku, jemi në punë e sipër me i funksionalizu zyret, ka kapak nevojë për disa renovime, procedurat nuk po na lejojnë me shku qaq shpejt, kështu që na nëpër zyre po funksionojmë në një aspekt. Ka nevojë pak a shumë për disa renovime, sidomos te dyert sepse kur janë thyer dyert kur kanë intervenuar në fillim, kështu që gradualisht katin e parë e kemi funksionalizu, pritet të dytin edhe me radhë”, ka thënë Zeqiri për Nacionalen.

Zeqiri ka thënë se ai ka shkuar disa herë në objektin e komunës, ngjashëm sikur edhe nënkryetari dhe drejtorët. Megjithatë, ai thekson se nuk kanë dashur të bëjnë publicitet me këto tema.

“Lëvizjet po bëhen, shkojnë drejtorat, unë kam qenë disa herë por jo publike. Po kanë qejf me ba publike, ne punojmë disa punë por natyrisht që nuk i bëjmë publike për shkaqe...kështu që jemi në trend e sipër, shkojmë në komunë, unë kur dua shkoj, shkon nënkryetari, shkojnë drejtorët”, tha Zeqiri për Nacionalen.

Kryetari i Zubin Potokut bëri të ditur se kryeministri Kurti gjatë vizitës së tij, ka qëndruar pikërisht në zyret të cilat janë rinovuar.

“E kemi funksionalizu katin e parë, edhe kryeministri aty ka qenë. Ani pse nuk më ka informuar mua. Në zyret që ka shku kanë qenë dikastere të komunës. Nuk jam i tillë të bëj publicitete, por puna është asisoj, janë në funksion, unë nuk e kam problem me shku çdo ditë, mirëpo nuk është krejt në funksion por për shkak të renovimit pamja është pak. Nuk e kem atë problem”, tha ai më tutje për Nacionalen.

I pyetur nëse ka pasur komunikim me kryetarin e PDK-së rreth daljes në objekte të komunës, Zeqiri ka deklaruar se rekomandimi fillestar ka qenë që të mos shkohet. Megjithatë, sipas tij muajt e fundit shkuarja është bërë domosdoshmëri.

“Kam pasur përpara komunikim në vazhdimësi, kemi kontakte me kryetarin, kam pasur rekomandimet e fillimit. Por, tani këta muajt e fundit është domosdoshmëri shkuarja në objekt, ani pse rekomandimet i kam pasur që mos me ba lëvizje inspriuese, megjithatë janë nevojat që neve na duhet që pavarësisht rekomandimeve ne kemi filluar, dhe do të shkojmë në të gjitha objektet”, përfundoi Izmir Zeqiri për Nacionalen.

Ditën e djeshme dështoi referendumi për largimin e katër kryetarëve nga komunat veriore. Pas mbylljes së qendrave të votimit, kryeministri Kurti bëri thirrje që të hiqen masat ndaj Kosovës, dhe Izmir Zeqiri e llir Peci, ta vazhdojnë punën nga objektet e komunave.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.

Ky referendum u shoqërua me dalje minimale për shkak të bojkotit nga Lista Serbe.

Lajme të ngjashme