Kallëzimi penal ndaj Martin Berishajt, opozita kërkon dorëheqjen e tij - pushteti hesht
Skandali financiar në të cilin u përfshi ambasadori Martin Berishaj përsëri është bërë temë e rendësishme mediale. E gjitha pasi Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit, pas shkresës së Nacionales, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori. Opozita tashmë ka kërkuar dorëheqjen e tij, gjersa pushteti ende nuk ka folur.
Edhe ambasadori Berisha nuk foli, ndonëse gazeta Nacionale insistoi në një përgjigje. Ai u “arsyetua” se nuk po e dëgjonte gazetaren.
Ndërsa lajmi eksluziv i Nacionales ka marrë dhenë nëpër mediet e vendit.
Reagimi i opozitës
Dita filloi me një lajm të madh. Në email-in e Nacionales arriti një email, që tregonte se ishte ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt, teksa AKK falënderonte gazetën për bashkëpunim.
“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.
Gazeta Nacionale ka kërkuar sqarime nga Qeveria Kurti, ministrja Gërvalla e presidentja Vjosa Osmani, të cilët qenë të zhurmshëm në mbrojtje të Berishajt.
Deri tani, pushteti ka heshtur.
Por, një gjë e tillë, i vuri në lëvizje partitë opozitare.
E para me qëndrim ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Zëdhënësja e LDK-së, Jehona Lushaku, theksoi se shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj është domosdoshmëri, duke e akuzuar se ai po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës.
Lushaku në një deklarim për Nacionale ka thënë se kallëzimi penal për Berishajn është veç një përfundim logjik ndaj skandalit me 600 mijë euro.
“Shkarkimi i Ambasadorit Martin Berishaj domosdoshmëri Agjensioni Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni. Hapja e hetimeve, por edhe përfshierja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media gjatë ditës. Më saktë në ora 13:30, partia më e madhe opozitare do të tregojë qëndrimin e saj për çështjen Berisha.
Edhe Partia Social Demokrate ka reaguar për kallëzimin penal ndaj Berishajt, duke kërkuar hetim edhe ndaj presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Ambasadori Berishaj është dashur të shkarkohet ne ditën që ka plasur skandali. Për më tepër, qysh atëherë dihej që nuk i ka të deklaruara dy kompani, pronar i të cilave është. Ishte e pashembullt mbrojtja që Kryeministri Kurti, Presitentja Osmani dhe Kryeparlamentari Konjufca i kanë bërë rastit Martini. Pa asnjë hezitim”, tha Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së.
Për çka dyshohet Berisha?
Në muajin prill, gazeta Nacionale kishte raportuar për një skandal të madh financiar që kishte shpërthyer në Slloveni. Aty ishte përfshirë ambasadori Martin Berishaj.
Më vonë, Nacionale gjeti se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë në vitin 2022.
Sipas deklarimit i cili është publik në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, shihet që Berishaj nuk e ka deklaruar kompaninë e tij ‘MB Consulting’, me pronar dhe punëtor vetë Berishaj, anipse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj është në pronësi edhe të dy kompanive të tjera me seli në Kosovë – “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C.”. Asnjërën nga këto nuk i ka deklaruar në formular.
Berishaj ka deklaruar banesë në vlerë prej 180 mijë euro e përfituar në vitin 2001, shtëpi e trashëguar nga 2008 në vlerë prej 72 mijë euro, një tjetër banesë të përfituar në vitin 2006 në vlerë prej 50 mijë euro, dhe tokë me sipërfaqe 62,000.00 m2 e trashëguar nga prindërit në vlerë prej 80 mijë euro.
Pasuri të luajtshme ka deklaruar veturë Mercedes E220 e blerë nga kursimet në vitin 2016 në vlerë prej 15 mijë eurove, dhe një veturë në emrin e bashkëshortes Audi 8 e blerë në vitin 2018 në vlerë prej 42 mijë eurove.
Ka deklaruar para të gatshme në dy banka sllovene, në emrin e vet 15 mijë euro, dhe në emrin e gruas 10 mijë euro.
Të hyrat si ambasador i ka deklaruar në vlerë prej 39,936.00 euro në vit, dhe të hyrat e bashkëshortes në vlerë prej 24 mijë euro në vit.
Ndryshe, Nacionale shkroi edhe për mundësinë e dënimit të Berishajt.