Kajtazi: Zyrtarë të lartë të Kosovës nuk ofruan garanci për Thaçin e të tjerët që të mbrohen në liri
Vehbi Kajtazi, analist dhe gazetar i njohur, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë. Në një analizë të tij në Klan Kosova, z. Kajtazi ka bërë një deklaratë të fortë.
Në “Rubikon” që udhëhiqet nga ana e gazetarit Adriatik Kelmendi, z. Kajtazi ka theksuar se zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës nuk kanë qenë të gatshëm të ofrojnë garanci për mbrojtjen në liri të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
“Unë besoj që shpejt, shpejt ka me u dëshmu që zyrtarë të lartë të shtetit tonë, në komunikim me drejtuesit e Gjykatës Speciale nuk kanë qenë të gatshëm të me ofru garanci për mbrojtjen e tyre në liri me arsyetimin që ata janë të rrëzikshëm dhe paraqesin problem për Kosovën. Nuk ka me shku larg kur kjo ka me u dëshmu.” – deklaroi Kajtazi.
Dardan Sejdiu, që po ashtu është analist, e pyeti Kajtazi se çfarë po mendon, duke kërkuar më shumë sqarime për deklaratën e sapo dhënë në Klan Kosova.
“Zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës në komunikim me drejtues të Gjykatës Speciale nuk kanë qenë të gatshëm me ofru garanci për mbrojten e tyre në liri, e përseris. Ka pasur komunikim direkt për këtë çështje, ka pasur kërkesë zyrtare nga mbrojtja e të akuzuarve për lirimin e tyre dhe ofrimin e garancive për mbrojtje në liri, madje kanë qenë publike” – deklaroi tutje z. Kajtazi, duke e përmendur edhe një përgjigje të drejtorit të Policisë së Kosovës rreth kësaj çështjeje.
