Kajtazi: Martin Berishaj është nën hetime për katër vepra penale - tërhoqi 4 milionë euro në total
Gazetari Vehbi Kajtazi është i ftuari i radhës i Intervistës së Buzhalës, emision ky prodhim i Gazetës Nacionale, episodi respektiv i së cilit do të tranmsetohet të hënën e 23 janarit në RTV 21 dhe platformat tona sociale.
Gjithsesi, ekipi ynë ka veçuar disa nga pjesët më interesante të kësaj interviste, teksa ju sjell ato në videon e mëposhtme.
Fillimisht Kajtazi tregoi se Martin Berishaj ka tërhequr mbi 1.5 milionë euro në total nga llogaria e GEN-it në Beograd.
Veç, kësaj, ai dha detaje, duke shtuar se totali i tërheqjeve duke përfshirë Kosovën e Malin e Zi ka tejkaluar 4 milionë euro.
"I ka marrë mbi 1.5 milionë euro, i kanë ardhë nga llogaria e GEN-it në Beograd. Kjo është për në Prishtinë. Në Mal të Zi i ka marrë diku 2 milionë e 800 mijë euro. 1 milion e 300 mijë i ka nxjerr “cash”. Mbi 900 mijë i ka tërheqë personalisht z.Martin Berishaj. Rreth 270-280 mijë një ortak i tij, poashtu në Prishtinë. Dhe, me këto vlera kalon 4 milionë euro. Raporti i Qendrës së inteligjencës Financiare e Malit të Zi e dëshmon një gjë të tillë dhe ata thonë që këto para janë tërheqë “cash” në Mal të Zi".
Gazetari që shquhet për informacione në sistemin e Drejtësisë deklaroi se për tërheqjet gjegjëse janë regjistruar për periudhën gjashtëvjeçare, saktësisht nga viti 2016 e deri në pjesën e fundit të vitit që lamë pas.
Tutje, ai tha se këto nuk janë deklarime të tij, por të Qendrës së Inteligjencës Financiare të shtetit malazez.
"Këtu bëhet fjalë për periudhën 2016 deri në fund të vitit 2022. Tërheqja e këtyre parave, në këtë mënyrë, për mua është shpërlarje parash. Shpërlarje e pastër parash. Unë nuk po e them këtë, po Qendra e Inteligjencës Financiare. Këtë e thotë Prokuroria, këtë e thotë Policia. Dhe, Martin Berisha i ka dy kallëzime penale. Një për fshehje të pasurisë, diku rreth 1 vjet, ka qenë ambasador dhe nuk e ka deklaruar. Në shkurt diku është emëruar ambasador dhe pas një viti diku, i ka barttë aksionet, të gjitha, 100%, ortakut të tij dhe ortaku i tij kur është marrë në pyetje ka deklaruar se: m’i ka falur!".
S'mjaftoi me kaq. Ai dhuroi edhe informata të tjera të rëndësishme, duke precizuar saktë se ambasadori Berishaj momentalisht është nën hetime për katër vepra penale.
"Unë e sfidoj edhe sot, me ardhë me fol për secilin transaksion, edhe e inkurajoj, ndaq këtu, ndaq ndonjë studio tjetër, ndaq gjykatë, ndaq media tjetër. Përndryshe është në hetime për katër vepra penale. Në Kosovë: Shmangie tatime, ka kallëzim penal prej Policisë së Kosovës, mosdeklarim të pasurisë, ku ka edhe kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe për shpërlarje parash. Baza e gjithë kësaj është shpërlarja e parave dhe për deklarim të rrejshëm nën betim para Komisionit Parlamentar Hetimor për çështje".
Në pjesën e fundit kujtoi faktin se po të ishte dikush tjetër në vend të Berishajt, ky vend mbase do të vlonte nga protestat, ose siç tha ai: do të kallej!
"Me pas qenë dikush tjetër, në një tjetër periudhë, ky vend ish kall".
Më lart pjesa e shkëputur, teksa ju ftojmë që mos ta humbisni emisionin e plotë në fillim të javës së ardhshme, për të mësuar shumë të pathëna tjera rreth rastit që tronditi vendin mbarë.
