“Ju kontribuat…”: As intervista e fundit s’i shkon mirë Kurtit, edhe gazetari zviceran e zë ngushtë - NACIONALE

“Ju kontribuat…”: As intervista e fundit s’i shkon mirë Kurtit, edhe gazetari zviceran e zë ngushtë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, përveç presioneve që pati nga partnerët ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash edhe nga mediat po konsiderohet si personi që kontribuoi në përshkallëzimin e situatës në veri. Si u zë ngusht në intervistën e fundit?

Për media në Kosovë jo, por për ato ndërkombëtare, kryeministri Kurti po duket të jetë mjaft i gatshëm për të dhëna intervista.

Siç kishte raportuar Nacionale para disa ditësh, jo të gjitha këto intervista po shkojnë mirë. Shpesh, kryeministri po vihet në siklet.

“Ju keni kontribuar…”

Njëra nga pyetjet që Kurtit iu bë nga gazetari zviceran, Stephan Israel në "Der Bung", ishte edhe ajo për situatën në veri dhe qëndrimin e tij të ashpër rreth çështjes së targave.

“Kohët e fundit, megjithatë, ju keni kontribuar në një përshkallëzim me një qëndrim të ashpër në mosmarrëveshjen për njohjen reciproke të targave.” – i tha Kurtit gazetari.

Kryeministri ynë u përgjigj me pyetje, duke thënë: “A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë?”

“Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël shfrytëzohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat, por për kontrollin e territorit në kufirin me Serbinë. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj. Ne kemi gërmuar gjashtë laboratorë droge atje dhe gjithashtu minatorë të bitcoin që kanë përfituar nga transmetimi falas. Askush nuk i paguan faturat e energjisë elektrike.” – vazhdoi ai.

Bloomberg përmendi “politika që shihen si provokuese”

Bordi editorial i mediumit të afërt me demokratët në ShBA, “Bloomberg”, së fundi ka publikuar një opinion ku i ka disa kërkesa për ndërkombëtarët, në veçanti amerikanët.

Aty, u bëhet thirrje diplomatëve perëndimor që t’i bëjnë presion Kurtit që t’i pezullojë këto politika, që janë parë si provokuese nga komuniteti serb në Kosovë.

“Parandalimi i një të tillë do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rifilluar dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t'i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet e policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në bashkim derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës.” – shkruan në opinion.

Edhe më e ashpër dukej të ishte një kërkesë që i është bërë ShBA-së në këtë shkrim, ku thuhej se “gatishmëria e NATO-së për të mbajtur forcat e saj në terren (të Kosovës) nuk është e pacaktuar”.

Madje, thuhet se kjo mbështetje “duhet të kushtëzohet” me marrëdhënien e Qeverisë me komunitete serbe.

“Nga ana e saj, SHBA duhet t'u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përjetshme. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe.” – shkruan mes tjerash.

Lajme të ngjashme