JAVA: Shamia, shkelja e Kushtetutës, rroga në KEK dhe Gjuriqi me Bidenin - NACIONALE

JAVA: Shamia, shkelja e Kushtetutës, rroga në KEK dhe Gjuriqi me Bidenin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot përfundon java e gjashtëmbëdhjetë e këtij viti, dhe që u përshkua nga një varg ngjarjesh domethënëse të cilat do t’i përflasim në këtë artikull.

K O K A

Java do të niste duke e zënë Kosovën – pjesën myslimane të saj – nën regjimin e agjërimit. Dhe, muaji i shenjtë i myslimanëve do të rriste tensionin mbi debatin e zakonshëm e të vazhdueshëm mbi shaminë.

Ky debat kësaj here u çel prej një drejtoreshe të një shkolle në komunën e Gjakovës që e kishte ndaluar bartjen e saj nga vajzat e shkollës me anë të një stikeri. Ajo në fakt thjesht po respektonte një udhëzim administrativ nga Ministria e Arsimit – megjithëse ndoshta në mënyrë të pakujdesshme – por kjo nuk e ruajti nga linçimet e kërcënimet e shumta. Drejtoresha do të ikte edhe nga shtëpia e saj me fëmijët e saj të vegjël për shkak të linçimit të bërë.

https://nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/Drejtoresha-e-shkolles-se-mesme--ne-Gjakove-pre-e-kercenimeve-dhe-ofendimeve-te-renda-1424

K R A H Ë T

Sado shije të keqe që do të linte një ngjarje e tillë nuk mund as të krahasohej me punësimet familjare e partiake të bëra nga zyrtarët e Vetëvendosjes në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Skandali në KEK do të kishte në qendër deputetin Halil Thaçi, e të cilit – siç do të zbulonte gazeta Nacionale – do t’i punësohej të paktën një nip, një djalë i axhës dhe disa kusherinj. Përveç tyre, në KEK do të punësoheshin edhe anëtarë tjerë të Vetëvendosjes.

Zyrtarët e Vetëvendosjes – përfshirë ministren Albulena Haxhiu – kanë refuzuar të pranojnë skandalin në fjalë megjithëse kanë përshëndetur nisjen e hetimeve nga Prokuroria. Këto punësime janë quajtur të dyshimta e shqetësuese madje edhe nga KEK-u dhe sindikata e KEK-ut.

https://nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-KEKSkandali-Ish-anetari-i-Bordit-tregon-pse-ishte-pezulluar-konkursi-famekeq-me-2020--1964

Në një bisedë për gazetën, ish anëtari i Bordit në KEK kishte treguar se konkursi në fjalë ishte pezulluar në vitin 2020 për shkak të mundësisë për keqpërdorime.

Rroga e një punëtori të thjeshtë në KEK shkon prej 600 deri në 1500 euro (përfshirë mëditjet).

K Ë M B A

Ndërkohë që të premten – një ditë para Ditës së Kushtetutës - Gjykata Kushtetuese konstatoi se ministrja Arbërie Nagavci kishte shkelur Kushtetutën kur me vendimin e 23 prillit të vitit të kaluar (2021) i kishte dhënë direktiva komunës së Kamenicës rreth organizimit të shkollave.

Kjo ishte bërë në mënyrë që të pamundësohej e ashtuquajtura “reformë në arsim” e iniciuar nga ish kryetari i Komunës në fjalë, Qëndron Kastrati.

Ky i fundit, së bashku me bashkëpartiakët e tij (PSD) e së fundi edhe me LDK-në, kanë kërkuar dorëheqjen e ministres nga pozicioni që mban.

Nagavci ka deklaruar se “do ta analizonte” vendimin!

GJ U H A

Një ditë më vonë, të shtunën, BSPK do të organizonte një protestë të madhe kundër Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me Ligjin e Pagave. Kjo bëri që të shpërthente një konflikt i ri në distancë mes kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharajt, dhe anëtarëve të Vetëvendosjes. Zëdhënësi i partisë së Kurtit u duk se po krahasonte Jasharajn dhe sindikalistët e tjerë protestues me qentë endacakë.

D O R A

Ndërkohë, të shtunën një fotografi do të merrte vëmendjen e kosovarëve. Marko Gjuriq do të gjente veten në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë me dorën e djathtë të shtrënguar nga presidenti amerikan Joe Biden. Po ajo dorë e Gjuriqit, vetëm katër vjet më parë ishte lidhur (bashkë me tjetrën) nga policët e Kosovës pas një hyrjeje të paligjshme në Kosovë.

https://nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-Gjuriq-2164

Opozita ka kritikuar kryeministrin Kurti për dëmtimin e miqësisë me Amerikën pas takimit Biden-Gjuriq. Kryeministri në anën tjetër pritet të udhëtojë në ShBA muajin tjetër, përkundër agjenda e takimeve të tij ende nuk dihet.

Lajme të ngjashme