Java e Kurtit dhe Jeff Hovenierit
Në ditët e fundit Kryeministri Kurti e ka çmontuar vetëveten. Ky është lajm i mirë për Kosovën. Roli i ambasadorit amerikan Jeff Hovenier duket të jetë instrumental.
Berat Buzhala
Për krejt çfarë ka bërë Albin Kurti si kryeministër në disa ditët dhe javët e fundit, Albin Kurti opozitar, minimumi, do të kishte thirrur protesta dhe do të kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës kurse maksimumi do të kishte ftuar qytetarët në padëgjueshmëri qytetare. Albin Kurti opozitar, Albin Kurtin kryeministër do ta kishte njollosur me epitete, si, Esat Pashë, ministër i Rrahman Morinës, skifter në Prishtinë pulë në Ambasadë Amerikane etj. Me siguri e mbani në mend këtë gjuhë, sepse nuk kanë kaluar disa dekada, por vetëm pak vite.
Çfarë ka bërë?
E ka nënshkruar marrëveshjen për energjinë, e cila i jep të drejtën një kompanie të Serbisë që të regjistrohet në Kosovë dhe të qëndrojë në mes të Kosovës dhe konsumatorëve serbë. Kurti opozitar këtë do ta kishte cilësuar si dorëzim të Kosovës para kompanisë shtetërore serbe të energjisë.
Tjetër çfarë ka bërë?
Pas një sage të gjatë dhe të tensionuar në Bruksel, Kurti ka pranuar që serbët e Kosovës të vazhdojnë t’i përdorin tabelat e veturave që rrënjet i kanë te Sllobodan Millosheviqi. Kishte dalë në konferenca të shpeshta për shtyp me ministrin më qesharak të tij, Xhelal Sveçlën, duke e bindur opinionin se pas fazës së parë të qortimeve do të vinte faza e dytë e dënimeve për të gjithë ata serbë që nuk i pranojnë tabelat zyrtare në Kosovë. Sveçla turrej duke thënë që ministria e tij kishte kapacitete të mjaftueshme për ta implementuar vendimin e qeverisë. Në fund, me një marrëveshje të arritur në Bruksel, Kurti jo vetëm që i pranoi tabelat e veturave, por me një paragraf të asaj marrëveshjeje i ka pranuar edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura prej qeverive të kaluara. Sigurisht më e rëndësishmja prej të gjithave, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Po tjetër?
E fundit dhe më domëthënësja: hoqi dorë prej mbajtjes së zgjedhjeve të paralajmaruara në veri të vendit, duke iu nënshtruar kështu vullnetit të Beogradit. Në fillim të mandatit të tij, Kurti ishte treguar i fortë, duke i ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, kurse pa kaluar as dy vite, atij Beogradi ia ndaloi mbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës në Kosovë. Para disa viteve një zbythje të këtillë Kurti opozitar do ta kishte cilësuar si një akt të tradhtisë.
A ka edhe dicka tjetër?
Sigurisht. Është drafti i marrëveshjes bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë, të punuar nga ekspertët francezë dhe gjermanë. Kurtit në të kaluarën nuk i kanë mjaftuar as dispozitat de jure, kurse tash ka filluar të fshihet pas dispozitave de facto. Bie fjala, Kosovën e njihnin superfuqitë, si SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, kurse Kurti çartej në publik, qysh asnjë prej këtyre njohjeve nuk e ka domëthënien e duhur, nëse paraprakisht Serbia nuk na kërkon falje, nuk i gjen të zhdukurit, nuk i kompenson dëmet e luftës etj. Tash, kurse dolën në publik. Tash i shikon në mes të gishtave edhe dispozitat e kësaj marrëveshje për një lloj autonomie të fortë të Kishës Ortodokse Serbe, kurse në të kaluarën ishte i gatshëm t’i hipte traktorit e t’i lëvronte personalisht arat e kishave serbe. Gjithashtu, po tregohet elastik deri në maksimum duke e interpretuar njohjen de facto, ose çka quajmë njohje de facto. Kurti kryeministër po e zhbën frankenshtajnin që e kishte krijuar vetë.
A është kjo një gjë e keqe?
Absolutisht jo. Kurti është duke luftuar me demonët e tij, mirëpo veprimet e ditëve të fundit – jo fjalët, veprimet – janë ato të duhurat. Presidenti Vuçiq ka qënë shumë i bindur që tashmë në Prishtinë e ka një aleat që do t’i ndihmonte atij që të dukej një politikan dhe një njeri normal, madje i moderuar. Gjërat shkuan aq larg sa figura seniore të politikës amerikane kur flisnin në telefon me Vuçiqin pajtoheshin që politikat e qeverisë së Kosovës ishin dëshpëruese. Edhe në Bruksel mendonin njëjtë. Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, kishte shkuar aq larg sa thoshte që Kosova ishte tashmë anti-amerikane. Fatkeqësisht, baza e votuesve të Kurtit, jo 51 për qind, por një pjesë e mirë e tyre, ishin në gjendje që t’i shkonin atij prapa deri në humnerë. Budallenj të diasporës, por edhe këtu brenda nesh, filluan t’i skuqnin sytë dhe veshtë, duke bërtitur për një sovranitet absolut, duke e mbështetur Kurtin për një qërim përfundimtar të hesapeve me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me Washingtonin. Një budalla thoshte që më mirë le të kthehet komplet Serbia, se sa të bëjmë koncesione të panevojshme.
Roli kyç i ambasadorit Hovenier
Është shumë interesante dinamika e ambasdorëve amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd. Tash e dy vjet Hill dhe Hovenier duket që janë në garë se kush e ka nxënësin më të mirë. Hill ishte shumë i zëshëm në përkrahje të Vuciqit. Madje jo vetëm ai, por edhe Blinken dhe Derek Chollet. Deri para dy ditëve, kur befasisht nxënësi i Hovenier, kryeminstri ynë, arriti të shënonte nga një gjuajtje e lirë prej mbi 20 metra distancë. Kurti dhe Osmani arritën ta përmbysin rezultatin negativ të kohës së rregullt gjatë minutave shtesë. Dje ka qnë dita më e keqe e shtetit serb në dy vitet e fundit. Kurti, më në fund, vendosi t’i kthehej realitetit politik të ndërtuar në vendin tonë tash e 30 vjet, që aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka alternativë. Gjithashtu hapësira për kreativitet është minimale, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Sllobodan Millosheviq në Rambuje kishte provuar të tregohej i zgjuar, kurse e kemi parë rezultatin. Edhe ai, sikurse edhe ca budallenj në vendin tonë, kishte pretenduar që ishte bombarduar sepse kishte kërkuar më shumë për vendin e tij. Po, edhe? A kishte marrë? Në këso lojërash, askujt nuk i intereson se çfarë ishte qëllimi, por çfarë ishte rezultati.
Parashikimin për sjelljen e Kurtit e kam humbur
Kur kishte filluar punën Nacionale, unë e kam pasur një polemikë me kryeredaktorin e kësaj gazete, Jetlir Bujën. Kemi shkruar të dytë për Kurtin, kurse unë kam thënë, nga frika, që Kurti nuk do të ndryshojë dhe si pasojë e kësaj do të dëmtohet interesi nacional i Kosovës. Jetliri kishte parashikuar që Kurti do të ndryshonte. Jam shumë i lumtur që e kisha gabim. Sido që të jetë, ne ende jemi në fillim. Kjo lojë mund të humbet në vazhdime.


